Hyqmet Zane: Unë e dua Vlorën, por jo të shpërfytyruar nga qeverisja

261
Sigal

 

Përjetime të trishta në një javë pushimesh

Këndohej dikur “Vlora, Vlora, bjeri më të lumtë dora, bëja fora …”, kur bëhej fjalë për të luftuar armikun, që kishte pushtuar këtë qytet dhe rrethinat e saj të Shqipërisë së Jugut. Dhe vlonjatët e hodhën në det pushtuesin e huaj dhe kënga mori dhenë se në Vlorë ka burra që përballen me armiq të fuqishëm dhe u bëjnë ballë atyre. Por vitet ikën shpejt dhe brenda një shekuli Vlora u shndërrua në qytetin e shumë ditë-hijeve dhe ku në këto vitet e fundit ka lulëzuar një “armik i brendshëm”, i rrezikshëm dhe që po e vetëshkatërron këtë qytet.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë armik me armë, por për një qeverisje që ka shkatërruar gjithë territorin e saj në formë dhe në përmbajtje. Një javë mjaftoi të përballesha me një situiatë të paimagjinueshme, që të krijon trishtim për gjendjen dhe të pariparueshëm ndonjëherë. Ajo Vlora e bukur dhe e vlerave historike, nuk e ka më atë shkëlqim, se edhe sheshin e Flamurit e kanë zaptuar “projektet” rregulluese me qëllime “pushtuese” nga “investitorët strategjikë” që po gllabërojnë qendrën dhe rrethinat, si edhe në të gjithë Shqipërinë.

Kur themi Vlora, kemi kënaqësinë e vlerave të një qyteti dhe rrethinave të tij me emër dhe me bukuri të ndryshme. Por një dorë, një mendje e mbrapsht, një qeverisje lokale dhe qendrore ia ka nxjerrë kallajin, siç thotë populli. Turizmi nën pushtetin e diellit rrezatues dhe nën shoqërinë e detit është një peligrinazh i mbushur me bukuri në gjirin e Vlorës mes gadishullit të Karaburunit, qytetit dhe ishulli i Sazanit në mes, është i papërsëritshëm. Ndërthurja e historisë së lashtë me bukuritë e natyrës me detin si vlerë, e bëjnë Vlorën vendin e mrekullueshëm për plazh dhe qetësi. Por që ky ëndërrim i imi shpërfytyrohet nga një rrugëtim me makinë nga Skela në drejtim të Ujit të Ftohtë e më pas në Rradhimë e Orikum. O Zot, thashë me vete, çfarë bëhet kështu?

Lungomarja e betonizuar me plazh që qelbet nga ujrat e zeza, pallate njeri pas tjetrit ku qytetarë vlonjatë të thonë se ky është i këtij politikani dhe ai atje i një politikaneje, se ai qeveritar lokal dhe qendror ka dhënë këtë dhe atë leje dhe ka marrë miliona. Janë të bëra ndaj dhe janë të thëna. Ai aksioni për pastrimin nga ndërtimet pa leje i kanë lënë vendin ndërtimeve ku të mund, me shumë kate edhe majë shkëmbi, hotele pa fund dhe lluks i paparë, por me mungesë të theksuar turistësh dhe pushuesish, jo vetëm për çmimet e larta, por edhe për shërbimet e pavlera që bëhen.

Mjaft të ngresh kokën në drejtim të malit në gjithë gjatësinë e rrugës nga uji i ftohtë e deri matanë Rradhimës, do të shikosh ndërtime cip mbi cip, vend e pa vend, me leje apo pa leje dhe, siç të thonë qyetarët vlonjatë janë të gjitha të trafikantëve të drogës në qytetin e Pavarësisë, në qytetin e luftës, në qytetin e diktaturës, në qytetin e revolucionit të vonua të 1997-ës, në qytetin  e kasaphanës së ndërtimeve dhe në qytetin e trafikimit të qenieve njerëzore, po aq sa edhe në kryeqytetin e kanabizimit. Çfarë emri mund t’i gjesh këtij fakti që politikanë të ndershëm thonë e çfarë nuk thonë në Parlament dhe hedhin akuza pas akuzash, të cilave u përgjigjet me paturpësi kryeministri dhe ministrat e tij të kapur deri në grykëa thua se nuk ka ndodhur asgjë, se jeta ka vazhduar normalisht edhe pse të vrarët dhe kriminaliteti ka marrë dfhenë dhe të humburit nga kriminelët janë të shumtë. Bëhet fjalë për Vlorën ku policia del e implikuar nga trafikantët e drogës dhe qytetarët e thjeshtë shohin si të shushatur se nuk dinë nga t’ia mbajnë. Rrugët e brendshme të qytetit të gropëzuara dhe me kanale të pambyllura, ku linjat elektrike shtrihen me kabblla të trashë përgjatë mureve dhe rilindja e qeverisjes “shkëlqen” nga abuzimet dhe trafikimet, nga paratë e pista dhe nga hajdutëria. Edhe pse në këtë qytet deputeti i “nderuar” ka qenë vetë kryeministri, duket se njeriu bashkëpunëtor i tij vlonjat Arben Ahmetaj, qyteti ngjason me një rrëmujëhane të paparë me fasada kot më kot dhe me problematika plot e përplot.

Jo vetëm mua, por edhe bashkëpushuesit e pakët që vinin në plazh i trembte mënyra e ngritjes së ndërtimeve ku të mund dhe pa asnjë rregull urbanistik. Nga ana tjetër shezllonet e shumë plazheve të gjithë vijës bregdetare rrinin të ngritur dhe pa pushues, a thua se ishte maj apo fillim qershori dhe jo që ishte mesi i korrikut dhe piku i ardhjes së turistëve. Rrallë mund të dëgjoje ndokënd të fliste gjuhë të huaj, se të gjithë ata që vinin për plazhin shqiptar, që si edhe unë janë sponsporizuar nga fëmijët e tyre në pamundësi të shpenzojnë mes çmimeve të larta.

Kur dëgjova Oliver Varheli, komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësi të mirë i BE që tha se “u mahnita nga rruga” (ajo e sipërmja) se rrugën skandaloze të bregut të detit, që ka vite që rri në të njejtën gjendje, ai nuk e paska parë ngaqë qeveritarët e kishin imponuar të shkonte në një rrugë të re që për hir të së vërtetës ishte e pambaruar pa tapetin e përfunduar, pa vijëzimet sipas standarteve dhe që vetëm lehtësonte rrugëtimin që të mos futeshe në qytet se do të zihej fryma. Dhe siç thotë deputeti i nderuar Bujar Leskaj është inaguruar nja gjashtë herë !!

Fotografimet e bëra flasin më shumë se fjalët se si është katandisur Vlora jonë e dashur, ajo Vlora që ia bënte fora, por që është shpërfytyruar e tëra nga papërgjegjshmëria e një kryeministri – deputet të Vlorës, që vajti në Durrës që ta shpërfytyrojë edhe atë qytet siç edhe e ka nisur rrugëtimin e shkatërrimeve në çdo gjë. Lind pyetja “ a do të përsëritet ajo kohë e artë kur këndohej “Vlora, Vlora, bjeri më të lumtë dora, bëja fora …” për të ndalur të keqen, që i është fanitur dhe që po e fundos në detin e ligësive qytetin antik të lashtësisë, që një mendje e mbrapshtë e ka katandisur në gjendjen e një katrahure të paparë. Armiku i jashtëm nuk mund t’i bëjë gjë Vlorës, por “armiku i brendshëm” e pushton siç edhe e ka pushtuar.