Mijëra besimtarë myslimanë në mbarë vendin kanë festuar sot Kurban Bajramin. Namazi në Tiranë u fal në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, përcolli mesazhe me më shumë paqe e solidaritet në shoqëri. Ai bëri apel për krerët e shteteve që të jenë më të drejtë në drejtimin e vendeve, ndërsa u lut për përfundimin e luftës së përgjakshme në Gaza. Edhe qytetarët, pas faljes së namazit, përcollën mesazhe urimi që ky Kurban Bajram të jetë i begatë për vendin dhe familjet shqiptare.
Mijëra besimtarë myslimanë kanë kremtuar sot festën e Kurban Bajramit. Në Tiranë, besimtarët falën namazin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ceremonia e faljes nisi në orën 6:15 nën drejtimin e kreut të Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu.
Para besimtarëve kanë mbajtur ligjërata hoxhallarë dhe drejtues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, të cilët vunë theksin te mbrojtja e familjes. Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, u lut për më shumë paqe dhe solidaritet, teksa shtoi se shumë familje preken nga sfidat ekonomike dhe sociale. Ai foli edhe për situatën në Gaza, duke u lutur për paqe dhe dhënien fund të luftës, të cilët po përballen me një konflikt të ashpër prej shumë kohësh.
“Të shohim njëri-tjetrin me sy njerëzor, të ndihmojmë, të falim, dhe të bashkëpunojmë për një shoqëri më të drejtë, më të begatë dhe më të bashkuar. Le t’i lutemi Zotit së bashku për Gazën. Për jetët e prera në mes dhe gjendjen e rëndë që po kalojnë. Lutemi gjithashtu për paqe në mbarë botën“
Pas faljes, besimtarët myslimanë kanë përcjellë urimet e tyre, duke u lutur që kjo festë të jetë e begatë për vendin dhe familjet shqiptare.
Kurban Bajrami, ose i njohur ndryshe si Bajrami i Madh, është festa më e rëndësishme në kalendarin islam. Pas faljes së namazit për paqe e shëndet, besimtarët bëjnë kurban dhe më pas mblidhen në një drekë familjare. Një vëmendje e veçantë u kushtohet familjeve në nevojë.