Konsultat dhe ekzaminimet e përsëritura- i shtojnë vuajtjet të sëmurëve kronikë

Ja si komisionet mjekësore të KMCAP-Epror dhe të Shërbimit Social zvarrisin të sëmurët drejt QSUT, duke u shtuar barrën e shpenzimeve ekonomike

Nga Dr. Miltiadh Veveçka-  Specialist në Neurologji & Psikiatri- Berat

Sigal

 

Vitet e fundit komisionet mjekësore të KMCAP-Epror dhe të Shërbimit Social kanë shtuar tejmase dërgimet e pacientëve me sëmundje kronike, sidomos me sëmundje të rënda neurologjike dhe psikike nga qarqet e Shqipërisë për t’u konsultuar dhe ekzaminuar në klinikat universitare të QSUT Tiranë ose për t’u rikonfirmuar diagnoza e tyre duke u paraqitur fizikisht para KMCAP-Epror në Tiranë. Këto kontrolle dhe ekzaminime të të sëmurëve që prej viteve përfitojnë paaftësi në punë ose ndihmë ekonomike bëhen për të përjashtuar dyshimin se mos janë bërë padashje diagnoza të gabuara nga mjekët specialistë të qarqeve, por dhe për të zbuluar në ndonjë rast vendime të padrejta me qëllim përfitimi, nga ndonjë mjek specialist i korruptuar.

Si rrjedhojë, në zbatim të kërkesave të komisioneve të sipërpërmëndura, të sëmurët rëndë të paralizuar, të cilët nuk ecin, me paraliza të anësive të një ane ose të të dy anëve, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, transportohen nga familjarët në kryeqytet me taksi etj me shpenzimet e tyre dhe kur paraqiten në zyrat e komisioneve mjekësore, mjekët e Tiranës u thonë: “ Çudi, pse keni ardhur, i sëmuri është dukshëm në gjendje të rëndë ”. Dhe familjarët, të drobitur e të lodhur prej vitesh nga mbingarkesa e përkujdesjes për këta të sëmurëve rëndë dhe, tashmë edhe të mërzitur e acaruar nga udhëtimi i zgjatur dhe shpenzimet në para të transportit, u përgjigjen shkurt: “ Pse çuditeni? Ju na keni kërkuar “. Veç kësaj, të sëmurët rëndë, me diagnoza qartësisht të dukshme e të sakta klinikisht dërgohen për ekzaminime të përsëritura, të kryera 1 ose disa herë më parë, MRI (Rezonancë manjetike), EEG, ENG, EMG ( Elektromiograma), këto të fundit shumë të dhembshme dhe të dëmshme te të sëmurët me miopati të dukshme, të avancuara etj.

Prej gati 3 vjetëve një mbingarkesë tjetër u është shtuar edhe të sëmurëve me prapamendje mendore të rënda dhe të thella, (imbecilitet dhe idioci ), të dukshme që nga larg jo vetëm për mjekët, por edhe për njerëzit e thjeshtë, profanë në mjekësi. Këtyre të sëmurëve u plotësohet dokumentacioni i përsëritjes së ndihmës ekonomike, dikur deri para 3 vjetëve vetëm nga mjeku psikiatër, tani edhe nga psikologu dhe nga mjeku i familjes me formularë prej 8 faqesh, gjithsej rreth 24 faqe. Janë të shumta pakënaqësitë dhe ankesat e familjarëve të këtyre pacientëve me prapambetje të thellë mendore të sipërpërmëndur, të cilëve sipas rregullores së re duhet t’u plotësohet dokumentacioni në tre shkallët e sipërpëmëndura: mjek i familjes, psikiatër, psikolog dhe sporadikisht të dërgohen për konsulta në Klinikën Universitare Psikiatrike të Tiranës ?! Kërkesa për thjeshtimin e kësaj procedure të trefishtë nuk është pranuar nga dikasteret qendrore të Tiranës. Sikurse të mos mjaftonin këto endje lart e poshtë, të sëmurë me prapambetje mendore, të cilëve u është përcaktuar koha e ndihmës ekonomike 3-5 vjetë, dërgohen nga Shërbimi Social në mënyrë të përsëritur çdo vit te mjeku i familjes dhe te psikiatri në poliklinikën e qytetit për t’u plotësuar një dokument tjetër, i ashtuquajturi formular vjetor?!

Familjarët të indinjuar përsëri ankohen pse ata duhet të humbasin kohë dhe të vuajnë edhe sorollatjet për shkak të kësaj burokracie të tepëruar, kur data e rikontrollit është caktuar pas një viti apo më vonë, por ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër të autoriteteve të Shërbimit Social.

Por a ka zgjidhje për t’u shmangur ky stërmundim i të sëmurëve dhe i familjarëve të tyre?

Përgjigjia është: Po, ka zgjidhje! Një variant zgjidhjeje është grumbullimi i rasteve të pacientëve të dyshuara për gabim diagnostik ose dyshim korrupsioni në Spitalin Rajonal ose në Zyrën e Komisionit Mjekësor pranë vendbanimit të tyre dhe atje në një datë të caktuar të shkojnë për kontroll 1 ose disa nga mjekët e KMCAP qendror të Tiranës apo të QSUT dhe të verifikojnë diagnozën. Kjo procedurë, mjaft lehtësuese për të sëmurët, ka qenë praktikuar sporadikisht disa dhjetvjeçarë më parë edhe në kohën e monizmit.

Përsa i përket të sëmurëve rëndë me tetraplegji, paraplegji, miopatira të avancuara të trashëguara, prapambetje të thellë mendore, epilepsi të konfirmuara etj.- nuk është e nevojshme t’u bëhen MRI, EEG, EMG, ENG etj. të përsëritura, aq më tepër kur këto ekzaminime janë kryer disa muaj apo vite më parë. Këto ekzaminime të kushtueshme, që si rregull duhen bërë falas, veç stërmundimit të ecejakeve të të sëmurëve dhe të familjarëve, rrëndojnë pa qenë e nevojshme buxhetin e shtetit. Dhe së fundi, një zgjidhje e thjeshtë dhe radikale praktikohet nga Shërbimet Sociale (Welfare) dhe Sigurimet Shëndetësore (Insurance) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje paraqitet familjari, po e nënvizoj jo i sëmuri, me dokumentacionin e daljes nga spitali dhe zyrtari, që nuk është mjek, por nëpunës me formim juridik ose ekonomik, përcakton në bazë të ligjit, në përputhje me diagnozën, sesa para në dollarë dhe triskë ushqimore (food stamp) i takon të sëmurit në muaj, vit etj. Pyetjes që i bëri autori i këtij shkrimi, nëse një vendim i tillë është i nxituar, pa dalur i sëmuri para komisionit mjekësor, nëpunësi amerikan, i sipërpërmëndur në Worcester, MA iu përgjigj: “ Nëse mjeku ka gënjyer, prokuroria (FBI) shkon në Spital dhe i vë prangat në duar mjekut të korruptuar dhe e dërgon me vendim gjykate në burg ”.