KLSH auditon 5 bashki: Rriten borxhet tatimore dhe taksat e papaguara

52
Sigal

Pesë bashki të audituara gjatë këtij viti nga Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë shfaqur probleme në arkëtimin e taksave vendore, rritjes së borxhit tatimor apo detyrimeve të përgjithshme. Sigurisht problematika nuk është e njëjtë në të pesta, por secila prej tyre shfaq një apo dy elemente. Auditimi i parë i takon Bashkisë Kamëz ku KLSH ka konstatuar se detyrimet e prapambetura deri në fund të 2021 dhe ende të pambledhura kapin vlerën 323 milionë lekë.Në këtë kontekst, KLSH ka kërkuar që Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore, të marrë masa për nxjerrjen e njoftim vlerësimet tatimore për debitorët, duke ndjekur të gjitha rrugët për arkëtimin e detyrimeve për taksat dhe tarifat vendore në fund të periudhës në vlerën 323.7 milionë lekë.“Sipas të dhënave edhe pse vazhdojnë procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve, rezultojnë se nga 444 subjekte debitore në vlerën 121 milionë lekë, janë aktive 404 subjekte ose 91% e totalit të cilët nuk kanë paguar taksa dhe tarifa në vlerën 117 mijë lekë ose 79 % e vlerës së debitorëve,”- thuhet në auditim.

Ndërkohë një tjetër bashki e audituar është ajo e Prrenjasit. Sipas KLSH, nga auditimi mbi dokumentacionin e vendosur në dispozicion për vitin 2022, u konstatua se janë krijuar detyrime debitore progresive të palikuiduara për subjektet fizike/juridike në vlerën 18,3 milionë lekë dhe për taksat dhe tarifat familjare në vlerën 45 milionë lekë, në total 63.3 milionë lekë, e cila përbën të ardhura të munguara për buxhetin e Bashkisë Përrenjas.

Për Bashkinë Cërrik, lidhur me taksat vendore dhe të ardhurat e munguara, KLSH ka nënvizuar në raportin e auditimit se detyrimet për taksat dhe tarifat vendore, që taksapaguesit kanë ndaj Bashkisë Cërrik në datën 31.12.2022 janë në vlerën 39.7 milionë lekë, nga e cila: subjekte fizik/juridik dhe institucione shtetërore në vlerë 7.9 milionë lekë për 142 subjekte dhe abonentë familjarë në vlerë 31.7 milionë lekë për 3,441 abonentë, vlerë kjo e cila përbën detyrim të paarkëtuar në buxhetin e Bashkisë Cërrik.“Rezulton se vetëm në vitin 2022 borxhi tatimor i krijuar është në vlerën totale 20.5 milionë mijë lekë, i përbërë nga 5 milionë mijë lekë për 130 subjekte private dhe 14,692 lekë nga taksapaguesit familjarë. Bashkia Cërrik nuk ka aplikuar masat e duhura ligjore për subjektet që nuk kanë paguar detyrimet për taksat dhe tarifat vendore”- thuhet në auditim.

Një tjetër bashki e kaluar në sitën e KLSH është ajo e Kolonjës ku auditimi i të ardhurave të realizuara nga taksat dhe tarifat vendore për vitin 2021, u konstatua se në fillim të vitit 2021 kanë qenë debitor 28 subjekte të biznesit të madh në vlerën 4.6 milionë lekë, 67 subjekte të biznesit të vogël në vlerën 3.4 milionë lekë dhe 1 institucion në vlerën 661 mijë lekë.“Në fund të vitit 2021 në mënyrë progresive rezultojnë debitor, 31 subjekte të biznesit të madh në vlerën 5.9 milionë lekë, 85 subjekte të biznesit të vogël në vlerën 4,369,959 lekë, 1 institucion në vlerën 754 mijë lekë dhe 1 subjekt (NIPT sekondar) për tarifat vendore sipas kohëzgjatjes së kantierit në vlerën 130 mijë lekë, pra gjithsej 11 milionë lekë për 118 subjekte, pra gjatë vitit 2021 janë krijuar 38 subjekte debitorë për vlerën 2.2 milion lekë, nga të cilët 21 subjekte rezultojnë debitor për herë të parë, ndërkohë që 17 subjekte të tjerë janë debitor edhe në vitet e mëparshme, veç debisë së krijuar në vitin 2021” nënvizon KLSH.Bashkia e fundit e audituar është ajo e Hasit për të cilën KLSH ka nënvizuar se vlera e detyrimeve më 31.12.2022 është 11.3 milionë lekë, ndërsa vlera e borxhit e krijuar gjatë vitit 2022 është 4.6 milionë lekë. Ndërkohë gjendja e debitorëve progresiv në fund të vitit 2022 është në vlerën 42.5 milionë lekë.