Inceneratorët po grabisin shqiptarët dhe po bëjnë miliona

01: KLSH: Inceneratori i Tiranës i mori paratë më shpejt nga të gjitha PPP-të

 

Aktualisht, ka rreth 15 kontrata të partneritetit publik-privat (PPP) në Shqipëri që menaxhohen nga operatorë privatë me financime shtetërore. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka theksuar shqetësime për disbursimin e shpejtë të fondeve buxhetore për disa prej këtyre kontratave, siç është koncesioni i inceneratorit të Tiranës, që ka marrë pagesa të konsiderueshme, pavarësisht se objekti është shpallur të jetë i pavlefshëm dhe nën hetim nga SPAK për korrupsion. Po ashtu, për shumë kontrata të tjera, si ndërtimi i infrastrukturës dhe shërbime mjekësore, shpenzimet po tejkalojnë planifikimet dhe janë jashtë kontrollit. Ndërkohë, Inceneratori i Fierit është jashtë funksionit dhe, megjithatë, mbetjet urbane të bashkive të qarkut Fier vazhdojnë të deponohen aty, duke krijuar një emergjencë mjedisore.

NOA

Aktualisht janë rreth 15 kontrata të partneritetit Publik –Privat, të cilat menaxhohen nga privatët me financime shtetërore. Sipas hulumtimit të KLSH-së mbi pagesat buxhetore ndaj këtyre kontratave rezulton se, koncesioni i inceneratorit të Tiranës ka disbursimin më të shpejtë nga fondet buxhetore në raport me kontratat e tjera“Nga analiza e ecurisë së realizimit të shpenzimeve për kontratat koncesionare në raportin e mes-vitit konstatohet se kontrata “Ndërtimi dhe Operimi i Porti Jahteve Orikum – Dukat” për 5 mujorin 2023 është realizuar 9 %; “Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës së Arbrit” realizimi është 18 %, ndërsa “Ndërtimi i Shkollave të Arsimit Parauniversitar në Bashkinë e Tiranës” nuk është kryer asnjë pagesë, ndërkohë që për koncesionin e landfillit të Tiranës raportohet se janë paguar 70 % e totalit të pagesave.

Të gjitha sa më sipër, shfaqin nevojën e rritjes së vëmendjes së institucioneve shtetërore dhe të autoriteteve kontraktore për një planifikim të studiuar dhe monitorimin e vazhdueshëm dhe të kujdesshëm të shpenzimeve gjatë zbatimit të kontratave koncesionare” referoi KLSH-ja për Kuvendin.

Pagesat e rregullta ndaj inceneratorit të Tiranës një objekt që tashmë nuk ekziston, i klasifikuar për korrupsion të shumëfishtë nga SPAK kanë sfiduar ligjet dhe mbi të gjitha moralin e qeverisjes.

Kontrolli i Lartë i Shtetit gjithashtu vuri në dukje se pagesat ndaj kontratave koncesionare po dalin jashtë kontrollit.

Koncesioni i sterilizimit, i cili ofron shërbimin e furnizimit të setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale sterile dhe furnizim me materiale mjekësore sterile ka marrë financime për vitin 2023 gjithsej në vlerën prej 1,750 milion lekë, 100 % të planifikimit vjetor, i cili është parashikuar në rritje edhe për vitet 2024 dhe 2025.

Nga auditimi i pagesave nga fillimi i koncesionit (2016) dhe deri në vitin 2023 rezulton se është shpenzuar 97 % e fondit limit të përcaktuar në Aneksin 1, Kapitulli iV.1.1 të kontratës koncesionare në një kohë që janë edhe dy vjet për mbylljen e kontratës. Sipas kontratës, nga fondi limit kanë ngelur edhe 384 milion lekë për dy vite në një kohë që shpenzimet mesatare vjetore të viteve të fundit janë mbi 1,700 milion lekë. Sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga FSDKSH, në lidhje me financimin e Kontratës Koncesionare “Për ofrimin e hemodializës”, ka rezultuar se, pagesat në vlerën prej 849 milion lekë janë kryer mbi bazë e projeksionit dhe mbi projeksionit sipas rajoneve. Për vitin 2023, koncesionari është paguar për shërbim të pakryer dhe mbi projeksionin mujor për 9,241 raste nën projeksion dhe 1,557 raste mbi projeksion, në shumën gjithsej 103.5 milion lekë. Për kontratën koncesionare të laboratorëve, sipas FSDKSH në vitin 2023 janë shpenzuar 1,725 milion lekë (1,719 milion lekë paraqitur nga MF, pra me një diferencë 6 milion lekë më pak), 112 milion lekë më shumë se në vitin 2022. Referuar të dhënave mbi shpenzimet e kryera dhe ecurisë së planifikimit afatmesëm të buxhetit për financimin e këtij shërbimi rezulton se, vlera e tij do shkojë më tepër se parashikimi, duke kërkuar çdo vit më shumë angazhim fondesh buxhetore. Nga analiza e të dhënave mbi numrin e ekzaminimeve dhe shpenzimeve të kryera rezulton se ka prirje për rritjen e përvitshme të ekzaminimeve me tarifa të larta, kundrejt atyre me tarifa të ulëta.

2.Inceneratori nën sekuestro nga SPAK, bashkia vijon ta mbushë me mbetje

Ndërkohë që bashkia hoqi dorë nga inceneratori i Fierit duke shpallur falimentin dhe shkriu ndërmarrjen si dhe buxhetin e krijuar nga bashkitë e qarkut Fier, mbetjet urbane të bashkive vijojnë ende të hidhen në landfildin e këtij incenertarori, çka do të thotë se shumë shpejt do kemi një emergjencë mjedisore për fushë të re të hedhjes së mbetjeve urbane. Inceneratori i Fierit doli jashtë pune, ndërmarrja e krijuar nga bashkitë e qarkut Fier me buxhet fillestar 100 milionë lekë shpalli falimentin. Tashmë mbetjet urbane të bashkive të qarkut Fier po mbushin landfildin e këtij inceneratori.

Brenda ambienteve të sipërfaqes së rrethuar ka punonjës, që merren me peshimin e shkarkimin e mjeteve që çojnë mbetjet urbane, që janë të ndërmarrjes së pastrim të qytetit të cilët në bisedë të lirë pohojnë se vazhdojnë  të paguhet rregullisht nga bashkia dhe nuk kanë probleme me pagesat.

Ata nuk prononcohen para kamerës pasi na thonë se ambienti monitorohet e survejohet me kamera dhe objekti është me shirita e nuk lejohet askush të shkojë brenda pasi është nën hetim nga SPAK dhe ruhet me policë të tij, por që kamera e SYRI TV vetëm shirita filmoi e jo forca ruajtëse të objektit.

Punëtorët në bisedë të lirë na thanë se mjetet e bashkive vijnë e shkarkojnë mbetje urbane nga bashkitë e qarkut rregullisht pavarësisht se çfarë është thënë në media. Kjo gjë dukej qartë edhe nga punonjësit e mjeteve që hynin në gropat pranë inceneratorit për të shkarkuar mbetjet urbane të marra nga bashkitë që vinin të qarkut Fier.

Ndërkohë që inceneratori është jashtë funksionit dhe ruhet nga policia e SPAK si skenë krimi mbetjet urbane të 6 bashkive të qarkut Fier vazhdojnë të hidhen në gropat e këtij inceneratori të cilat nga 4 që janë gjithsej dy janë tejmbushur e treta po mbushet dhe me sa duket shumë shpejtë bashkia Fier do të shpalli një tjetër emergjencën mjedisore pasi aty vetëm hidhen e grumbullohen mbetje urbane por që nuk përpunohen e të digjen por mbulohen me dhe si dikur fusha e vjetër e bashkisë Fier në Mbrostar e cila shpërtheu në flakë duke ndenjur e ndezur e mbuloi me tym për disa ditë me radhë lagje të tëra të qytetit Fier.