Koncesioni i sterilizimit ‘këput’ darën e drejtësisë, ish zv/ministri i Shëndetësisë Klodjan Rrjepaj dhe bosi Ilir Rrapaj që përfitoi milionat ‘mbyllin hesapet’ me burgun duke ia hedhur paq
Info
Me fabulën e “rinovimit të instrumenteve dhe uljen e infeksioneve spitalore”, shteti lidhi një kontratë 100 milionë dollarë me privatin, pagëzuar si “koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, ku në “gangrenën shëndetësore”, në 13 vite u grabitën 153 mln euro të taksapaguesve shqiptar.
Ish zv/ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj ‘mbyllin hesapet me burgun’ në të njëjtin vit kur mbaron kontrata koncesionare e sterilizimit që kushtoi xhepave të shqiptarëve 153 milion euro.Gjykata e Posaçme liroi dje ish-zv/ministrin Klodjan Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që u arrestuan në gusht të 2023.Shkak për shuarjen e masës është bërë fakti se sipas përllogaritjeve, atyre u ka përfunduar koha e dënimit më mbajtjen në paraburgim.
Në 4 mars 2026, GJKKO shpalli vendimin për tetë nga nëntë të pandehurit për aferën e koncesionit të sterilizimit, proces që u zhvillua me gjykim të shkurtuar pas ndarjes më vete të çështjes së ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Bib Ndreca dhe me anëtarë Flora Hajredinaj dhe Elsa Ulliri vendosi që të shpallë fajtorë ish. zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj për veprën penale të vjedhjes përmes shpërdorimit të detyrës, ndërsa rrëzuan një nga akuzat kryesore ajo e grupit të strukturuar kriminal. Rrepaj dhe Rrapaj u shpallën të pafajshëm për veprën penale të grupit të strukturuar kriminal dhe u dënuan secili me 6 vite të cilat u reduktohen në vetëm 4 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar, nga i cili ata përfitojnë 1/3 e dënimit.Pra ata u dënuan për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikim dokumentesh”.
Kontrata e partneritetit publik privat të sterilizimit, i cili u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë mbi 153 milionë euro, është një ndër katër kontratat e kushtueshme të qeverisë në sektorin e shëndetësisë.Hetimet e kryera nga SPAK zbuluan shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së koncesionit me qëllimin e vetëm të shpalljes fituese të kompanisë së Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staçini.Rrapaj zotëronte 40% të aksioneve në konsorciumin e kompanive fituese. Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin, hartimin e kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të paracaktuara si dhe mosveprimin për zgjidhjen e konfliktit të interesit. Shkelje ligjore u gjetën edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.
Qeveria “lan duart” me Sterilizimin
Pas 10 vitesh dhe 153 milionë euro vjedhje me PPP-në e shëndetësisë, kalimi i shërbimit në shtet shihet si manovër politike për të mbyllur aferën dhe për të zbutur hetimet e SPAK ndaj firmëtarëve kryesorë.
Historiku/ Sterilizimi trefishon fitimin më 2018. Emigranti që fitoi koncesionin 100 milion USD me një të punësuar
Kompania SaniServis ka fituar koncesionin e sterilizimit, me një total prej 12,3 miliardë lekësh për periudhën 2016-2025. Për çdo operacion që ofrohet në sallat shqiptare të operacionit, SaniServis paguhet 37,700 lekë për ndërhyrjet me intensitet të lartë, 22,300 lekë për ndërhyrjet me intensitet të mesëm, 13,900 lekë për ndërhyrjet me intensitet të ulët dhe 266 lekë për ndërhyrjet dhe 266 lekë për paketimet. Ekspertët e Shëndetësisë pohojnë se kostot e sterilizimit kanë kaluar kostot e operacionit, dhe kjo është absurde sipas tyre.
Po kush është emigranti që fitoi PPP-në 100 milion USD të Sterilizimit ?
Një biznesmen i vogël shqiptar nga Peruxhia, pronar i një agjencie ndërmjetësimi dhe një kompanie ndërtimi qëndron pas tenderit të kontestuar me vlerë 100 milionë USD të Ministrisë së Shëndetësisë për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe sallave të operacionit. Për më shumë se një dekadë, Ilir Rrapaj drejtoi një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë të qetë rezidenciale në qytetin e Peruxhias të rajonit Umbria në Itali, të cilën e themeloi së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000 me një kapital të vogël prej 1500 eurosh. Megjithatë, pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit 2013, emigranti me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës u kthye në Shqipëri dhe vendosi kontakte me kreun e shëndetësisë shqiptare, Ilir Beqaj, me të cilin ka pasur takime të shpeshta ku kanë marrë pjesë edhe biznesmenë italianë, të interesuar në tregun e shërbimeve mjekësore. Dy vjet pas rikthimit në atdhe, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, Rrapaj është shpallur fituesi kryesor i një kontrate koncesionare prej 100 milionë dollarësh në një tender të kontestuar. Konsorciumi humbës pretendon që shpallja fitues e konsorciumit në të cilin Rrapaj ka shumicën e aksioneve është e paligjshme, pasi ai ka dhënë një ofertë që tejkalon fondin limit. Ajo e ka ankimuar vendimin e Komision të Vlerësimit të Ofertave, KVO të Ministrisë së Shëndetësisë në Komisionin e Prokurimit Publik, KPP. Të dhënat e mbledhura nga BIRN sugjerojnë se konsorciumi i emigrantit shqiptar, Ilir Rrapaj ka pasur kontakte të vazhdueshme me ministrinë e shëndetësisë dhe ministrin Beqaj që nga viti 2013. Mbetet e paqartë se çfarë roli luan kompania Invetital Ll.C në konsorcium, duke qenë që ka vetëm 1 të punësuar, kapital minimal dhe në dukje zero eksperiencë në fushën e mjekësisë. I pyetur nëpërmjet telefonit për marrëdhënien e tij me Ilir Rrapajn, ministri Beqaj në fillim mohoi ta njihte. Pasi BIRN i dërgoi ministrit disa fotografi ku ai shfaqej me biznesmenin nga Peruxhia, Beqajt iu rifreskuar memoria, duke pranuar se “kishte njohje me z.Ilir Rrapaj.” Më të detajuar këtë PPP dhe lidhjet me ish ministrin Ilir Beqaj do e pasqyrojmë të zgjeruar në numrat në vijim.
Shëndetësia publike merr qindarka, oligarkët marrin miliona
Evis Sala u shtoj spitaleve nga 50 mijë deri në 1.5 milion lekë, ndërsa 15% të fondit u kalon sërish koncesioneve të laboratorëve, dializës dhe sterilizimit. Me rishikimin e buxhetit të vitit 2025, qeveria u tall edhe njëherë me nevojat e qytetarëve për shërbim shëndetësor, sidomos në spitalet e qyteteve, por edhe në 4 qendrat spitalore të Tiranës, duke u shtuar fonde qesharake.Në Vendimin Nr. 682, datë 12 nëntor 2025, me objekt financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për nëntor, dhjetor i shtoi , 35 milionë lekë si vlerë totale për 4 qendrat spitalore në Tiranë dhe 35 spitalet e rretheve.
Shoku i të arrestuarve të SPAK-ut, fitues i vetëm i tenderëve shtetërorë të sterilizimit
Me Vendim nr. 845, datë 30 dhjetor 2025 dhe regjistrim më 15 janar 2026 në QKB, koncesioni privat i sterilizimit u tjetërsua në shoqëri aksionare shtetërore, të emërtuar “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit” në pronësi të Ministrisë së Shëndetësisë.Por fondet e kësaj shoqërie publike, vazhdojnë t’i jepen kompanive të grupit të ish-koncesionarit Ilir Rrapaj, nëpërmjet prokurimeve pa garë dhe me fonde në vlerë të seteve kirgjiakle, sterilizimit e shërbimeve të tjera, më të larta se vlerat kur ishte koncesion privat.Këtë e dëshmojnë dy tenderë të publikuar më 7 prill 2026, të zhvilluar nga Administratorja e shoqërisë së Sterilimizimit, Arisa Cane, dhënë kompanive që kanë qenë kontraktore të ish-kompanisë koncesionare “Sani Service”.
Tenderi i parë, me vlerë kontrate 28.5 milionë lekë me TVSH, i është dhënë kompanisë “GAMASERVICE” sh.p.k, për shërbimin e transportit të seteve kirurgjikale sterile, jo sterile, materialeve të buta sterile, materialeve të buta jo sterile dhe mbetjeve të rezikshme spitalore.
Kompania “GAMASERVICE” sh.p.k, është në pronësi të Artan Lleshit, shok kursi në Fakultetin e Mjekësisë me ish-pronarin e PPP-Sterilizimit, Ilir Rrapaj, me ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe mik i ish-ministrit Ilir Beqja, të arrestuar nga SPAK e GJKKO.
Sipas dosjes së SPAK, Artan Lleshi, përveçse ishte Drejtor i Shërbimit Tregtar në ish-kompaninë koncesionare “Sani Service” me pagë mujore 4.5 milionë lekë, kompania e tij “GAMASERVICE” sh.p.k ka marrë 1.6 miliardë lekë nga fondet shtetërore të PPP-Sterilizimit, nëpërmjet kontratave fiktive.




















