Gëzim Zilja: Tuneli dhe përdorimit politik i këngës polifonike

121
Sigal

 

Me vendosjen e rregjimit komunist poezia popullore pësoi një dëm të pallogaritshëm pothuaj e humbi rolin e saj historik dhe atdhetar, humbi elegancën, finesën, vërtetësinë, origjinalitetin dhe bukurinë e vargut. Qëllimi i poezisë dhe këngëve do të ishte partia, diktatori, dhe doktrina komuniste. Poezitë popullore filluan të vinin të gurta, hermetike, të thata, pa lëng jete, larg mjeshtërisë, metaforave mahnitëse dhe figurave të tjera poetike të një arti të madh plot jetë e gjallëri.

Para pak ditësh me madhështi e pompozitet u bë inaugurimi i Tunelit të Llogarasë, mjaft i diskutueshëm për koston e ndërtimit dhe domosdoshmërinë e nevojave prioritare që ka Vlora si qytet. Festa ishte tipike nga ato të kohës së diktaturës, ku me forcë dhe kërcënime punonjësit e administratës si ushtarët të bindur, duartrokisnin e tundnin flamujt kombëtarë bashkë me disa pleq qyqarë, që po u binte dambllaja në atë vapë përvëluese. Me këtë rast u dha një koncert ku spikatën nja tre grupe polifonike, që unë i shkrova me emër, por drejtuesit e tyre mohuan duke thënë që janë grupe mikse. Meraku im nuk është që pse ata kënduan nga që u gufonte zemra prej patriotësh prej inaugurimit të tunelit, por për devijimin, zvetënimin dhe ndryshimin e misionin historik që ka pasur dhe ka kënga polifonike e Labërisë. Poezia dhe kënga popullore historikisht i kanë shoqëruar si një dokument i kohës gjithë trevat, ku kanë jetuar e jetojnë shqiptarët. Ato u zhvilluan dhe morën hov të jashtëzakonshëm sidomos gjatë pushtimit turk nga ndalesa që i bëri perandoria turke shkrimit të gjuhës shqipe. Për shekuj me rradhë poezia dhe kënga polifonike kanë qenë një domosdoshmëri për mbijetesën dhe ekzistencën e kombit shqiptar. Një komb dallohet nga një tjetër nga gjuha, doket e zakonet e tij dhe këtë mision e ka kryer me sukses poezia dhe kënga popullore. Gjithë historia e kombit shqiptar kryesisht në shek XVIII dhe XIX u përcoll me vërtetësi e besnikëri të pashoqe nga poezia dhe kënga popullore. Lidhur me këtë Ismail Kadare shkruan: “… Për shumë shekuj me rradhë poezia popullore ka qenë për shqiptarin kronikë e jetës së tij, dijet, morali, urtësia, arkivi, kujtesa kombëtare, kumti i tejçuar nga brezi në brez. Ajo zëvendësoi shkollën, botimet, gazetat, universitetin, akademinë. Kjo poezi nuk druhet para asgjëje, dhe nuk tërhiqet para asgjëje dhe është e përbërë nga vjersha, balada, epose të tërë, proverba, vaje, këngë djepi, britme, ligje lodra, etj, etj . Autobiografia e popullit në vargje. Bot. Onufri. 2002.

Si një trashëgimi e tmerrshme dhe e shëmtuar nga koha e diktaturës ka ende grupe polifonike që këndojnë për udhëheqësit e demokracisë plot pompozitet e servilizma të neveritshme për arsye që më shumë i dinë ata dhe udhëheqësit politikë që i porosisin. Prijësve të popullit apo trimave u është kënduar dhe në gjallje. Kjo ka kuptim kur ata e meritojnë këtë.

Me vendosjen e rregjimit komunist poezia popullore pësoi një dëm të pallogaritshëm pothuaj e humbi rolin e saj historik dhe atdhetar, humbi elegancën, finesën, vërtetësinë, origjinalitetin dhe bukurinë e vargut. Qëllimi i poezisë dhe këngëve do të ishte partia, diktatori, dhe doktrina komuniste. Poezitë popullore filluan të vinin të gurta, hermetike, të thata, pa lëng jete, larg mjeshtërisë, metaforave mahnitëse dhe figurave të tjera poetike të një arti të madh plot jetë e gjallëri. Ato prodhoheshin në kovaçanat e ideologjisë komuniste, ku skuqeshin e përpunoheshin hekuri e çeliku, shndërroheshin në kazma, lopata, pushkë e mitraloza, me të cilat ndërtohej e mbrohej atdheu socialist. Gjithçka u politizua, por gjithsesi kënga popullore polifonike mbijetoi. Ajo u dobësua në përmbajtje por u përsos më tej në elementët thelbësorë të saj: vijën melodike, në teknikat e marrësit, hedhësit, kthyesit dhe sidomos në ison e saj, që është thelbi dhe boshti i këngës polifonike.

Krahas këngëve për partinë që dominonin në sasi, të imponuara nga drejtuesit komunistë, poetët popullorë ia dolën që të krijojnë dhe këngë të mrekullueshme për figurat historike të kryengritjeve kundër Turqisë, invazionit serb e grek, për Skënderbeun dhe luftërat e tij të lavdishme, për dashurinë, natyrën, familjen dhe miqësinë midis njerëzve. Lindja dhe vdekja e këngës popullore bëhet pa komandë, pa urdhëra partie e dekrete parlamentare. Këngët ashtu si lindin edhe vdesin ose jetojnë përjetësisht; kjo varet tërësisht nga populli që i “dënon me harresë”, i mohon ose përjetëson me kalimin e kohës. Me ardhjen e demokracisë këngët e panumërta për shoqërinë socialiste, komunizmin dhe diktatorin u tretën si sheqeri në ujë. Kështu ka ndodhur edhe me këngët para komunizmit, ku mijëra u zhdukën dhe qindra të tjera rezistuan e këndohen të pandryshuara deri në ditët tona.

Mirë shoku Enver që e kishte izoluar Shqipërinë dhe e mbylli në qyp për 45 vjet me rradhë nga rreziku imperialisto-revizioniste po këtë Shqipërinë e Edi Ramës kush e kishte izoluar, dhe a ishte hapja e këtij tuneli e përmasave planetare? Diktatorët në këto raste nga etja për pushtet, madhështi, lavdi, popullaritet sidomos kur janë në krizë shpirtërore, kthehen dashur pa dashur në lolo (gaztorë pallati) duke lejuar lapërdhira e jargavitje të këtij niveli.

Si një trashëgimi e tmerrshme dhe e shëmtuar nga koha e diktaturës ka ende grupe polifonike, që këndojnë për udhëheqësit e demokracisë plot pompozitet e servilizma të neveritshme për arsye që më shumë i dinë ata dhe udhëheqësit politikë, që i porosisin. Prijësve të popullit apo trimave u është kënduar dhe në gjallje. Kjo ka kuptim kur ata e meritojnë këtë. Por të këndosh për drejtuesit e Shqipërisë këta tridhjetë vjet sidomos për një kryeministër, që gjysmën e qeverisë e ka në burg është e padrejtë dhe e neveritshme. Janë po ata këngëtarë e poetë, nipat dhe mbesat e tyre, që i kanë kënduar sa u hante gabzheri, 45 vjet Enver Hoxhës  dhe Sigurimit të Shtetit (Që pa gdhirë u ngrit tër’ fshati./Oh, ç’të madh kemi gëzimnë!/Arrestohet sot Reshati,/Do këndojmë për sigurimnë!) që i kënduan Sali Berishës, Fatos Nanos, Ilir Metës, Pandeli Majkos dhe sot Edvin Ramës. Mjaft nga këta poetë e këngëtarë tashmë qimebardhë, janë vlerësuar me titujt të lartë si “Nderi i Kombit,” “Mjeshtër i Madh” e lloj-lloj medaljesh, madje disa me pension të veçantë.
Në 05,07,2024 qeveria socialiste inauguroi tunelin e Llogarasë. Në ceremoninë e hapjes së tunelit, grupe polifonike kënduan plot pathos revolucionar për këtë vepër dhe udhëheqësin mëndjendritur Edvin Rama, pavarësisht se ky gjysmën e qeverisë dhe administratës së lartë e ka në burg ose hetim për vjedhje. Po le të analizojmë vetëm tekstin e këngës. Sa për interpretimin e saj, ndjesia që të jep poezia nuk të le të shijosh asgjë të tillë. Sikur në katër vargjet e fundit të hiqet fjala Edi Rama dhe të vendoset Enver Hoxha kënga duket sikur është bërë në vitet e diktaturës.
Gjithë Vlora dhe Himara.

Gjaku ri dhe brezi vjetër:

Mirënjohje o Edi Rama (Enver Hoxha)

Fjalën e ktheve në vepër…

Autori i poezisë i jep vetes të drejtën që të përfaqësojë gjithë popullin shqiptar (Gjaku i ri dhe brezi i vjetër) si mirënjohës për Edi Ramën a thua ky paratë për ndërtimin e tunelit i ka nxjerë nga xhepi i tij dhe gjithë shqiptarët janë të lumtur. Kjo këngë u këndua nën hundën e Edi Ramës dhe ky krenar si heronjtë e miteve, apo përrallave, që kanë mposhtur kuçedrën dhe kanë shpëtuar fshatin, nënqeshte gjithë krenari bashkë me Ballukun. Por më tej, kënga ngec, çalon, vargu thyhet, dhe ruhet vetëm rima:

O moj ti bota shqiptare;

ishe izoluar fare.

Hape udhë e çave male,

je një lule planetare

Mirë shoku Enver që e kishte izoluar Shqipërinë dhe e mbylli në qyp për 45 vjet me rradhë nga rreziku imerialisto-revizionist po këtë Shqipërinë e Edi Ramës kush e kishte izoluar, dhe a ishte hapja e këtij tuneli e përmasave planetare? Diktatorët në këto raste nga etja për pushtet, madhështi, lavdi, popullaritet sidomos kur janë në krizë shpirtërore, kthehen dashur pa dashur në lolo (gaztorë pallati) duke lejuar lapërdhira e jargavitje të këtij niveli. Po ka edhe më, se marrëzia nuk ka fund:

O breg i bukur mbi vale,

gjithë rrugët shkojnë në Himarë.

Tani nuk është më e ndarë

lulja e kombit shqiptar.

Sipas këtij poeti shërbëtor, Himara kjo lule e kombit shqiptar deri më 05.07.2024 paska qenë e ndarë nga Shqipëria. Pasi Rama me Ballukun vranë kuçedrën (hapën tunelin) kjo lule e vetmuar u bashkua me Shqipërinë. Thuhet se këto lloj grupesh polifonike miks, janë në garë për këngën e Bexhet Pacollit kur të hapë aeroportin. Për çfarë do t’i këndojnë grupet polifonike Bexhetit, që shkatërroi një zonë të mbrojtur dhe çliroi Vlorën nga pelikanët, flamingot, pulebardhat, karabullakët e gjithë shpendët e rralla që kanë aty abitatin e tyre?! Por si paralli do të shtrojë një darkë të madhe ( pas inaugurimit) me mish të pjekur keci, brinjë viçi dhe si ëmbëlsirë do të ketë kabuni me mish dashi. Mendoj që drejtuesit e grupeve polifonike, që kanë krijuar këto tridhjetë vjet këngë polifonike të një niveli shumë të lartë, nuk mund dhe nuk duhet të vihet në shërbim të politikës. Sigurisht ata mund të këndojnë për Bexhon, por në shtëpinë e tij. Aeroporti ashtu si tuneli ndërtohet me paratë e shqiptarëve të varfër e të vjedhur. Bexhetët, kryeministrat dhe deputetët, që u këndojnë disa grupe, nuk janë bamirës. Në rastin më të mirë janë nëpunës të shtetit që kullandrisin paratë e popullit.

Dy fjalë për këngën polifonike të Labërisë

Kënga polifonike tashmë dhe pasuri e UNESKO-sa është një dukuri thellësisht shqiptare ku në të isua, si bashkim zërash të harmonizuar është elementi kryesor. Bashkë me marrësin, hedhësin dhe kthyesin ata përbëjnë një ansambël të përkryer të polifonisë labe. Kur këto janë në harmoni të plotë, kur zërat nuk “hahen” kur kënga vete “gjym,” ajo vjen e dallgëzuar e lozonjare si valët e detit, në një ditë plot diell, kur këndohet për një leshverdhë trëndelinë, ose dashuri të humbur diku, dikur; vjen si gjëmim malesh kur këndohet për atdheun dhe luftëtarët e lirisë; dëgjohet dhe ndihet si shushurima e rrëkeve pas shirave pranverorë, kur i këndohet bukurisë së një vajze; kthehet në një det të trazuar e dallgë të shkumbëzuara pas përplasjes në shkëbinjtë e thepisur kur sjell lajmin e vrasjes së një djali të ri; vajton si violina në duart e një muzikanti virtuoz, kur i këndohet halleve e derteve të panumërta të shqiptarit, e kështu pa mbarim. Nuk ka sferë të jetës shoqërore që të mbetet jashtë temave të këngës polifonike. Ato shoqërohen sipas rastit me britma gëzimi, me thirrje për t’u bashkuar në gëzime dhe hidhërime, nga marrësi, hedhësi apo kthyesi. Ndërkaq isua herë si dallgë deti, herë si nanuritje kur nëna ve në gjumë fëmijën, herë si bubullimë para rrebeshit të shiut, herë si përzierje e zërave të bilbilave në agimet e majit, herë me zhurmën e përrenjëve që derdhen nga malet pas shkrirjes së dëborës, e herë si krisma armësh në luftë, shoqëron këngën që është unike në llojin e saj dhe ka lindur bashkë me labin. Nuk mund të mësohet në asnjë shkollë, apo akademi muzikore kënga labe. Ajo mësohet vetëm në trevat ku ka fillesat e saj e trashëgohet brez pas brezi. Nëse ndodh që kënga polifonike përdoret për qëllime politike, ky veprim e nxjerr atë nga binarët e misionit të saj historik, si kronikë e jetës së popullit dhe arkiv i kujtesës kombëtare transmetuar në shekuj.