Gëzim Tushi: Dhuna në familje, gangrena e Shoqërisë tonë

1202
Sigal

Intervista/ Flet sociologu Gëzim Tushi: Ja realiteti shqiptar; gratë, dhuna dhe demokracia shtëpiake…

Të reagojmë ashpër kundër dhunës në familje…

Albert Z. ZHOLI

Ekzistenca e drejtësia sociale që kemi në jetën shoqërore dhe përpjekjet për të ripërkufizuar dhe ridimensionuar përmasat e pabarazisë gjinore, janë komponentë me rëndësi që favorizojnë betejën sociale, shtetërore, juridike e kulturore për të mbrojtur gratë nga padrejtësisë që u bëhet atyre në shumë aspekte të jetës në shoqërinë tonë aktuale. Por për fatin e keq të shoqërisë, qytetërimit dhe vetë grave, shoqëria jonë po përballet paradoksalisht me një fenomen social siç është zgjerimi i shkaqeve të konflikteve dhe dhunës mbi to në familje. Ky është një problem shumë i madh dhe i vështirë për t’u përballuar nga që zhvillohet në familje dhe brenda kontureve të mbyllura të shtëpisë.

-Si do ta cilësoje si fenomen dhunën ndaj grave?

Fenomeni i dhunimit të grave në familje për motive banale apo “esenciale” nuk është fenomen i ri për shoqërinë shqiptare. Por përmasat, format, stratagjemat fiziko maskiliste të dhunës së burrave mbi to e kanë bërë këtë fenomen të jetë në përmasa sociale jo thjesht shqetësuese por alarmante. Padyshim akoma shoqëria jonë nuk është në fazën e pjekurisë së qytetërimit të vet, që dhunën e meshkujve mbi gratë në familje të mos e konceptojë në mënyrë eufemike duke e trajtuar atë si defekt kulturor të familjes tradicionale shqiptare. Përkundrazi dhuna mbi gratë në familje nuk është problem kulturor por aspekt i qartë i sjelljes kriminale mbi gratë dhe duhet trajtuar si e tillë. Çfarëdo statistikash pozitive të përdorim për të treguar evolucionin qytetar të shoqërisë shqiptare dhe përmirësimin e statusit social të gruas shqiptare në shoqëri, ato nuk e kanë peshën dhe vlerën e duhur për gratë, në se ato në familjen e tyre ndihen dhe trajtohen si qenie inferiore ndaj burrave, të rrezikuara nga dhuna sadiste dhe krimi ordiner, në se ato në “kështjellën bazë” të jetës së tyre bashkëshortore ndihen të rrezikuara nga dhuna që vjen nga diskriminimi fizik, shpirtëror, emocional dhe subjektiv për shkak se “shtëpi shqiptare” vazhdon ende të ruajë atavizmën e “qendre dhune” për gratë të cilat ndihen të tmerruara nga niveli tejet agresiv i mentalitetit maskilist dhe pesha anti-humane e autoritarizmit ekstrem të meshkujve në marrëdhënie me to.

-A ka sot barazi gjinore tek ne dhe sa ndikon ajo në dhunën ndaj grave?

Nuk ka barazi gjinore dhe nuk mund të shmanget dhuna në familje, në se nuk do ndryshojmë strategjinë e punës sonë duke e përqendruar vëmendjen në krijimin e kushteve sociale, ligjore, kulturore për përhapjen publike të koncepteve të reja për raportet e ndryshuara midis mashkullit dhe femrës në shoqëri, apo midis burrit dhe gruas në familje. Studimet e realizuara nga organizatat jo qeveritare, të dhënat e organeve shtetërore për gratë viktima të dhunës në familje, faktet e pasqyruara nga media, tregojnë se jemi në një fazë kritike, kur intensiteti i dhunës në familjen shqiptare dhe brutaliteti maskilist që ushtrohet jashtë çdo kontrolli brenda mureve të shtëpisë është i thellë, i dukshëm, intensiv në krahasim me dhunën që ushtrohet në ambiente publike mbi to. Meqenëse të gjithë jemi të shqetësuar, të përfshirë me kontribute të ndryshme sipas pozicionit që kemi në jetën shoqërore, duhet së pari të bëjmë marrëveshjen e fjalës për të pranuar të vërtetën se në vendin tonë nuk do zbutet dhuna pa punuar me të gjithë mjetet, format dhe instrumentet e jetës sociale intensivisht. Në radhë të parë dhe mbi të gjitha me meshkujt tanë, një pjesë prej të cilëve kanë mbetur “rob” të biologjisë së deformuar dhe forcës instiktive të dhunës kafshërore. Kjo do të thotë se tani duhet kuptuar dhe pranuar nga të gjithë njerëz dhe institucione të rëndësishme të jetës shtetërore dhe publike se jemi para nevojës së ngutshme, për të bërë revolucion të vërtetë në familje dhe brenda mureve të shtëpive tona, për të zbutur trajtën barbare të maskilizmit tradicional ballkanik, në mënyrë që të krijohen kushte që ndihmojnë gratë të cilat në betejën e tyre vendimtare kanë nevojë së pari të ndihmohen nga të gjithë për të ndërtuar në radhë të parë “demokracinë shtëpiake”. Sepse shtëpia jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë “kështjella mashkullore”, në të cilën burri shqiptar e konsideron dhe e quan gruan si pronë të vetën bashkë me trupin, shpirtin, dinjitetin, subjektivitetin dhe personalitetin e saj. Madje, sic po tregojnë rastet ky kufi është duke tejkaluar çdo limit të të drejtave të gruas në familje dhe shumë burra po bëjnë krime makabre, duke e menduar si sadist të vërtetë që kanë të drejtë dhe për ekzistencën dhe dhe jetën e saj.

-Si duhet të përkufizohet shtëpia?

 

Nuk ka pse e fshehim faktin për të cilin duhet të turpërohemi si burra që shtëpinë që duhet të jetë ambienti kryesor ku duhet të lulëzojë dashuri, mirëkuptimi, partneriteti e kemi bërë “qendër dhune” ku pa frikë dhe droje dhunohet dhe diskriminohet brutalisht gruaja shqiptare. Shoqëria shqiptare nuk mund të jetë e qetë në se në shumë shtëpi, në emër të privatësisë, mosndërhyrjes apo si pasojë e zgjerimit të indiferentizmit social, disa familje janë shndërruar në “burg social” për gratë. Shtëpia nuk është “kështjellë e mbyllur” në të cilën meshkujt e pa ekuilibruar e sadistë, të kenë mundësi të bëjnë çfarë të duan, të sillen si të duan me gratë, si të ishin qenie inferiore pa të drejta dhe personalitet. Sfida e shoqërisë tonë nuk është vetëm shndërrimi i familjeve tona në komunitete të shëndetshme, paqësore, por me rëndësi të veçantë është garantimi i “staturës së shtëpisë” si instrumenti social më i madh i barazisë gjinore, i sigurisë morale të brezave, i identitetit të shëndoshë gjinor dhe shfaqjes së dinjitetit edhe për gratë dhe fëmijët. Duhet të përpiqemi më shumë dhe të ndihmojmë me të gjithë mjetet gratë, për të dalë nga paragjykimet vjetra deterministe biologjizante, për të shkatërruar konceptin që kanë një pjesë jo e vogël e tyre për misionin thjeshtësuar biologjik, seksual dhe edukativ në familje. Mentalitet që favorizon dhunën dhe e mban gruan të mbyllur dhe të dhunuar në shtëpi, duke pasur të kufizuar kufirin e të drejtave individuale dhe sociale, nga që të destinuar të qarkullojë sipas dëshirave të burrit në “trekëndëshin fatal”, që të lindë, të ritë, të edukojë fëmijët, të bëjë punët e shtëpisë. Kjo pozitë e disa grave është një nga shkaqet tradicionale që favorizon dhunën e meshkujve mbi to. Ndërkaq duhet të bëhemi të ndërgjegjshëm, se në aspektin e zgjerimit të dhunës në familje, ka ndikim fakti që në shoqërinë tonë ka një prirje të dukshme sociale disfavorizuese për gratë, që papunësia tek ato është më e thellë, dhe që ky realitet është një nga shkaqet “shtesë”, që ndihmon pozitën e tyre të disfavorizuar në familje.

  • Cila është detyra e parë që mund dhe do të ulë dhunën ndaj grave?

Parandalimi, frenimi dhe ndëshkimi i dhunës që ushtrohet në shtëpi, duhet të jetë një nga sfidat e mëdha të kohës për shoqërinë civile, shtetin dhe të gjithë organizimet e shumta të jetës sociale në Shqipëri. Dhunën duhet ta zbulojmë aty ku ajo është më intensive, aty dhe duhet të ndërhymë me të gjithë mjetet e parandalimit, ndëshkimit ligjor të dhunuesit dhe rehabilitimit social të viktimës. Nuk është e vërtetë që dhuna mbi gratë nuk është nga pikëpamja sociale esenciale për familjen shqiptare.