Gëzim Shima: Ja kush e shkatërroi sindikalizmin në Shqipëri

622
Sigal

Themeluesi i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Shqiptare tregon prapaskenat pas vendosjes së demokracisë

Gëzim Shima: “Ja kush e shkatërrroi sindikalizmin në Shqipëri”

Sindikalizmi shqiptar është kompromentuar. Eshtë përdhosur idealizmi i sindikalistëve të parë.  Solidariteti dhe imazhi i punëtorisë në  fillimet e demokracisë  janë goditur rëndë. Radhët  e avokates së punonjësve, u mbushën me ish spiunë dhe idhtarë të regjimit të kaluar. Ata e përçanë dhe e degraduan në gjendjen që është sot    

Intervistoi Luan Shtëpani

Me thjeshtësi të deklaron se është kryetari i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH). E ndërsa emocionohet, me një memorie për t’u patur zili, rendit me qetësi ngjarjet që ka përjetuar në krye të këtij grupimi sindikal. Gjatë kësaj interviste ai rrëfen kushtet dhe misionin për të cilën u krijua kjo organizatë, ditët e para të përballjes me diktaturën, solidarizimin me grevën e studentëve. Kush e shkatërroi lëvizjen sindikaliste, cilët janë ata që morën në dorë fatet e punëtorisë  pas vitit 1990. A ishin pjesë e ish sigurimit të shtetit dhe strukturave të vjetra leva të ish PPSH-së. Kush i delegoi në krye dhe a po e përmbushin misionin, për të mos lënë asnjë gjurmë të sindikalizmit. Megjithëse ndjen dhimbje, sepse ideali i tij dhe i bashkëpunëtorëve  nuk u përmbush, akoma shpreson duke propozuar zgjidhje.

Kush është Gëzim Shima

Ka lindur në qytetin e Tiranës në një familje të mesme. Ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës në fakultetin Gjeologji- Minierë dhe është diplomuar inxhinier. Është specializuar për Stratigrafi dhe punime radiometrike. (kërkime minerare radioaktive). Njihet si shkencëtar në fushën e Gjeologjisë dhe ka bërë mjaft studime të këtyre fushave. Eshtë autor dhe bashkëautor  i shumë e shumë  projekteve, manualeve dhe librave shkencorë. Në 10 vitet e para të profesionit ka punuar në ndërmarrjen gjeologjike në Rubik, ku 6 vite i ka kaluar si gjeolog në Spaç. Në 20 vitet e ardhshme do të punonte në ndërmarrjen Gjeofizike në Tiranë. Ka nënshkruar dokumentin e parë si President i Parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Shqiptare dhe ka qenë një ndër protagonistët  kryesorë të zhvillimeve demokratike në vend në fillimin e viteve ’90. Ka spikatur ndër liderët e protestave të para antikomuniste  në Shqipëri. Ka mbështetur energjikisht lëvizjen për rrëzimin e diktaturës komuniste. Në shtator të vitit 1991 largohet nga Shqipëria për t’u vendosur në Gjermani. Flet dhe shkruan mirë gjermanisht, anglisht, italisht, rusisht.

  1. Shima si lindi ideja për themelimin e BSPSH-së, cili ishte misioni i kësaj organizate dhe përse duhej në atë periudhë lëvizja e fuqishme sindikale?

Gjendja e rëndë ekonomike e vendit, turbullirat e shumta politike  sollën  përshtjellim të madh. Në tërësi qytetarët e kishin treguar veten e tyre me protesta të vogla dhe deri të karakterit të mesëm, se po i kundërviheshin me forcë diktaturës. Duke filluar që nga 2 korriku 1990  me futjen në ambasada si dhe protestat dhe grevat më tej në zonat industriale të vendit, si të Fushë-Arrëzit, minatorët kryesisht, dhe protestat në qendra të tilla si: Kombinati i Tekstileve në Tiranë dhe në Berat, në Korçë, Vlorë, Shkodër, në sektrorin e naftës etj. Fillimet e protestave  sollën aktivizimin  e rinisë studentore, pra fillimet janë saktësisht nga punonjësit. Duke parë tejzgjatjen e gjendjes së rënduar dhe mundësinë e goditjes së pakët nga partitë që po krijoheshin me fillimin e pluralizmit, njerëz të shumtë filluan t’i avanconin idetë. Ishte e qartë që diktatura kishte gjithçka në dispozicion. Në përgjithësi në krye të shumë partive, organizatave, shoqatave po vazhdonin të vendoseshin njerëzit e së kaluarës, pra vinte era agjenturë e vjetër ose “këngë e re për dashurinë e vjetër”. Duhej krijuar një organizatë e fuqishme ku të përfshiheshin të gjithë, intelektualë përparimtarë, punonjës që kishin kundërshtuar gjithmonë padrejtësitë, njerëz të familjeve patriotike, pinjollët e mbetur të familjeve të mëdha që kishin dhënë gjithçka për pavarësinë e vendit, pronarë brez pas brezi, ata që dëshironin larine, demokracinë dhe zhvillimin e vendit duke marrë për model demokracitë perendimore. Këtu përfshihen dhe ata luftëtarë të cilët e kishin kundërshtuar shumë qartë diktaturën dhe kishin përfunduar në burgjet e saj, në kampet e përqëndrimit ose në internime. Duke parë se kush ishin në krye të disa lëvizjeve (që dukeshin qartë që ishin komunistët, njerëzit e Ramiz Alisë), u kristalizua mendimi që diktaturën mund ta rrëzonte vetëm populli i bashkuar, pavarësisht nga bindjet politike, besimet fetare, ishin intelektualët, punonjësit, të pasur ose të varfër, pa dallime rajoni, qytetarë ose fshatarë, të cilët i bashkonte dëshira e madhe e të gjithë shqiptarëve të ishin të lirë dhe të pavarur. Të shpëtonin përgjithmonë nga diktatura e egër komuniste.

Diçka më konkrete për kushtet në të cilat startoi lëvizja sindikaliste shqiptare?

Më lart deklarova se synimi ishte rrëzimi i diktaturës komuniste. Pë të arritur këtë duhej masë shumë e madhe, duhej të hidheshin njerëzit në rrugë, në protesta e greva. Në atë periudhë ne mendonin se diktaturën nuk mund ta rrëzonin partitë politike, por një organizatë e madhe ku të futej i gjithë populli. Në këtë kuadër, BSPSH-ë ndërtoi një strategji dhe taktikë të tillë mbështetur dhe në eksperiencën e vendeve të tjera. Më 26 dhjetor 1990 u takova me dy miq ku u thashë: “Për të rrëzuar diktaturën dhe për të krijuar besim në popull, ne duhet të përdorim një emër tjetër ta quajmë „sindikatë“ dhe do ta shtojmë e „pavarur“ që të kuptohet që politikisht nuk mbështesim partitë e ndryshme, kemi vetëm qëllime ekonomike, pra zhvillimin dhe përparimin e vendit. Vetëm kështu do të mundej që të bashkohej populli pa dallim dhe se një paraqitje e tillë na lidh dhe na bashkon dhe me studentët, të cilët janë bijtë e punëtorëve, fshatarëve, komunistëve ose jo”.  Fjala e ‘pavarur’ dhe kërkesat ekonomike i bashkonte  të gjithë shtresat. Pavarësisht se ishte fundviti, njerëzit filluan të interesoheshin dhe të aktivizoheshin në qendrat e punës. Gjatë janarit u krijuan në të gjithë qytetet e Shqipërisë organizata të BSPSH-së, u krijuan degët e saj në të gjitha rrethet dhe në qendrat kryesore industriale. Situata u përgatit për një greve të përgjithshme. Nga mesi i janarit filloi greva e minatorëve të pellgut qymyrguror të Tiranës. Ishte një grevë shumë e rëndësishme që pasonte shumë greva të tjera. Ne si BSPSH-së, në Tiranë shpërndanim fletushka, ku sqaronin njerëzit se çfarë kërkonin minatorët. Organizuam dërgimin e qytetarëve me autobus në Valias, të tjerë shkonim me makina të rastit, me biçikletë ose në këmbë. Me mbarimin e grevës vlerësuam se lëvizjet e izoluara dhe sporadike nuk mund ta rrëzonin diktaturën. BSPSH-ja filloi të organizohej mirë në ndërmarrje e institucionet shkencore, por qeveria nuk po e merrte seriozisht këtë grupim. Për të realizuar qëllimet tona dërguam dhe kërkesën për njohjen zyrtare. Tre herë përfaqësuesit e BSPSH-së përgatitën dokumentat dhe i dërguan në ish ministrinë e drejtësisë të asaj kohe. Kishte pengesa të mëdha. Është tashmë e zbuluar  se dy persona shkonin shpesh në ministri të paautorizuar nga BSPSH-ja, pra për të penguar njohjen ligjore të saj. Gjithësesi, BSPSH-ë,  ndonëse e paligjëruar vazhdonte aktivitetin e saj. Më 19 shkurt 1991, u mblodhëm në Pallatin e Kulturës në orën 17.00 ku kishin ardhur jo vetëm sindikalistë, por edhe prindër të studentëve grevistë. Pra, problem i sindikatës dalëngadalë po futej në familjet shqiptare, falë mbështetjes që ne i dhamë grevës së studentëve. Në orën 20.00, RTSH-ja njoftoi se BSPSH-ë, në përkrahje të studentëve, fton popullin e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, për një grevë të përgjithshme. Ndërsa në edicionin e orës 22.00, TVSH dha lajmin e grevës duke shtuar se ajo ishte e paligjshme. Të nesërmen në mëngjes njerëzit në grupe po drejtoheshin për tek studentët. BSPSH-ja  u mblodh te Rruga e Elbasanit, dikur ish fushë basketbolli. Pranë nesh erdhi një autoblindë,  e cila bllokoi hyrjen për në bulevardin kryesor. Shkuam tek studentët, por me pak vonesë. Kur na panë thërritën në kor: „Ne do të fitojmë, sindikata është me ne“. Dera u hap,( deri atëherë ata nuk kishin pranuar asnjë përfaqësues të partive politike), u futa brenda, u takova me ta. U përlota për faktin se në atë moshë ata po përballonin gjënë më të vështirë në jetë, siç ishte greva e urisë. Dola dhe së bashku me kolegët u drejtuam për tek RTSH-ja, por atje nuk na lejuan për të dhënë një njoftim zyrtar. Pranë TVSH-së qëndronte një autoblindë. Më pas u drejtuam për në sheshin “Skënderbej”. Populli rrëzoi monumentin e diktatorit. Dua të shtoj se Ramiz Alia, kishte ftuar në darkë të gjithë kryetarët e partive. Në këtë takim merrte pjesë përfaqësuesi i Bashkimeve Profesionale dhe një përfaqësues i sindikatës së minatorëve. E ndërsa ai i Bashkimeve Profesionale e cilësoi BSPSH-në të paligjshme, ai i minatorëve e cilësoi fantazmë. Pra, kuptohet qartë se kush ishin në atë takim. Të nesërmen përsëri populli i Tiranës doli në protestë. Thirrjet ishin për sindikatën.

Çfarë ndodhi më tej, dhe si e vlerësoni gjendjen në të cilën ndodhen sot sindikatat?

Aktiviteti po shtrihej në të gjitha rrethet e vendit. Pasi u njohëm ligjërisht  janë dhënë me dhjetra intervista në kanalet televizive dhe gazetat e huaja. Doli në treg gazeta “Sindikalisti”, më e shitura në atë kohë. Nuk mungonin incidentet, arrestimi im në Lezhë. Kulmi i kësaj veprimtarie u shënua  me ultimatumin  me 17 kërkesa që i drejtuam qeverisë, e cila nuk dha asnjë përgjigje. Kryeministri nuk denjoi të takohej me BSPSH-në. Në këto kushte, ne shpallëm grevën e përgjithshme më 16 maj, e cila e arriti qëllimin e saj. Qeveria dha dorëheqjen. Në këtë periudhë u rrit shumë autoriteti dhe besimi tek BSPSH-ë. U trondit politika e cila vinte si pjesë e së kaluarës. Gjatë periudhës  maj- qershor 1991,  jam takuar personalisht me ish -Sekretarin Amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker, dhe me ish -Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Hans Ditrih Gensher. Në këto takime kam thënë, se ata që përfaqësojnë sot partitë politike në Shqipëri nuk do të sjellin asgjë të mirë, sepse i përkasin së kaluarës. Janë më fanatikët e partisë që sundonte gjatë diktaturës. E ndërsa ditët kalonin, BSPSH-ja po sulmohej nga të gjitha drejtimet. Dhe qëllimi kryesor ishte shkatërrimi i saj. Në qershor elementë të ndryshëm me qëllime të mbrapshta u futën në BSPSH-ë  me misionin që këtë organizatë ta dobësojnë. Gjendja po rëndohej, situata po agravohej. Filluan përçarjet dhe grindjet. Të infiltruarit kërkonin me çdo kusht largimin tim dhe të pjesës së shëndoshë të BSPSH-së. Tashmë nuk bëhej fjalë për idealizëm dhe solidaritet sindikalist.  Vetë kam marrë disa letra anonime të cilat kërkonin me çdo kusht largimin tim. Dhe kërcënime të ndryshme. Dalëngadalë BSPSH-ja  po venitej, derisa u shndërrua në rrip transmesioni  i partive opozitare, ashtu siç ishin në diktaturë  Bashkimet Profesionale. Që në krijimin e BSPSH-së,  kisha deklaruar se me fuqizimin e kësaj organizate, unë do të largohesha nga drejtimi për t’iu rikthyer profesionit tim. Kjo organizatë e fitoi një betejë, por humbi pasbetejën. Sepse pjesa e papërgatitur e mbyti mendimin intelektual. U zëvendësuan një pjesë e njerëzve të devotshëm. Po ashtu, u larguan dhe me dhunë sindikalistë nga drejtimi. Ajo që ka ndodhur gjatë këtyre viteve tregon qartë se unë kisha të drejtë. Sindikalizmi në Shqipëri është në krizë të thellë, sepse sindikatat janë kthyer në “lëngje” që marrin formën e çdo “ene” politike.

Kush është rruga e ringritjes?

Në fillimet e saj,  BSPSH-ë  ndriçonte qiellin e lirisë, të demokracisë, për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.  Edhe tani “si meteor” sillet lart në qiell. Një rrugë shpëtimi do ishin sindikatat rajonale, me fuqi dhe kompetenca, ku qendra duhet të luajë vetëm rolin e koordinatorit dhe jo të “sulltanatit”.  Vetëm kështu do të rikthehet shkëlqimi i dikurshëm i sindikatave.

Raporti sekret drejtuar Komitetit Qendror të PPSH-së

 

Sipas një raporti sekret drejtuar Komitetit Qendror të PPSH-së,  për ngjarjet e 20 shkurtit ndodhur në qytetin e Tiranës, Drejtoria e Policisë informon se, “në mbrëmjen e 19 shkurtit 1991 në sallën e leksioneve të Pallatit të Kulturës, sapo kishte përfunduar mbledhja e sindikatës së pavarur, ku u vendos që të nesërmen të ndërpritej puna në ndërmarrje, në shenjë solidariteti  me studentët grevistë, ku dhe do të shkohej në qytezën e tyre”.

Drejtues të sindikatës, për këtë ditë, kanë pohuar se kjo mbledhje u organizua për t’i dhënë karakter mbarëpopullor, ku morën pjesë prindër dhe të afërm të studentëve të cilët me diskutimet e tyre elektrizuan sallën. Të gjithë ishin të preokupuar për fatin e studentëve, sepse ata  nuk i përkasin vetëm familjes së tyre, por gjithë popullit dhe kombit shqiptar. Ata do të ishin  politikanët dhe qeveritarët e së nesërmes, të zhvillimit të vendit dhe bashkimit të kombit. Në këto momente u bë thirrja që të gjithë të mblidhen tek studentët me slloganin “do t’i shpëtojmë ata, se nuk ka forcë për të ndaluar ecjen përpara”. Pasi kanë vëzhguar me kujdes situatën (sipas raportit), mblidhen menjëherë drejtuesit e ministrisë së Brendshme dhe të policisë së Tiranës. Raportohet se punëtorët mund të linin  punën, dhe se gjendja bëhej më serioze, nëse nuk do të punonin ndërmarrje të tilla si ajo e miellit, e bukës, qumështit etj. Në raport shkruhet se grumbullimet e mëparshme në qytetin studenti ishin shqetësuese dhe se mund të ndodhte që të bëheshin thirrje për të bërë manifestime para Presidencës, Kuvendit dhe Kryeministrisë. Për këtë policia kishte vendosur të mbylleshin me forca të përqëndruara, të gjithë rrugët që lidhnin rrugën “Labinoti”  me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”  dhe sheshin “Skenderbej”. Kalimi do të lejohej vetëm për individë dhe grupe të vogla njerëzish. Ndërsa punëtorët që do të largoheshin nga  puna për të shkuar tek studentët që ishin në grevë, të lëviznin në mënyrë të detyruar në drejtime të caktuara, pa u dhënë mundësi të përqëndroheshin në sheshin “Skënderbej” dhe pranë objekteve të përmenduara me lart. Po sipas këtij raporti, punonjësit që braktisën punën filluan të lëviznin qetësisht  drejt qytezës së studentëve me përjashtim të punëtorëve të Valiasit, të cilët hidhnin parrulla politike me përmbajtje fyese dhe  shpifëse. Sheshi u tejmbush, ndërsa kolonat e njerëzve që vinin nga ndërmarrjet vazhdoninn të ngjiteshin për tek ky shesh. U hodhën parrulla politike, ku folësit shprehën solidaritet me studentët, kritikuan Qeverinë dhe kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Sipas policisë, në ballkonin e konviktit pas thirrjeve për qetësi dhe që të ruheshin nga provokacionet u shfaq një banderolë ku shkruhej  “Drejt sheshit Skenderbej”.  Policia raporton me detaje të gjithë intenerarin e protestuesve, përplasjet me policinë, deri në mbërritjen e qytetarëve para Muzeut Historik Kombëtar. Tregohen veprimet e policisë dhe tubuesve deri në rrëzimin e bustit të  E. Hoxhës. Policia për t‘u justifikuar, shprehet se shtatorja kishte kohë që mbrohej me shërbim, për të evituar shkatërrimin me dinamit ose rrëzimin me tërheqje me automjete të tonazhit të madh. Edhe më 20 shkurt,  qëndronte i gatshëm veç forcave dhe një oficer xhenier, ndërsa hyrja e automjeteve ishte bllokuar. Për policinë ishin shumë faktorë që ajo dështoi në mbrojtjen e bustit.