Erdian Leskaj sjell fjalorin për tregtinë, doganat e transportin

737
Sigal

Një fjalor i munguar dhe koncept-formues, i Eridian Leskaj

Dija dhe përvoja njerëzore e ka pasur gjithnjë të nevojshme të organizohet, strukturohet dhe sistemohet në mënyrën e enciklopedive, për ta trashëguar njohjen dhe informacionin që ajo zotëron, për brezat e ardhshëm në të gjithë vendet dhe popujt. Që me sistemimin e vet të parë në enciklopedi, ajo dalëngadalë filloi të specifikohej dhe rigrupohej nëpër fjalorët e fushave përkatëse të kësaj dijeje, pasi dhe masa e madhe e dijeve që ofronin enciklopeditë kërkonte ekspertë të posaçëm të gjithë-dijshëm e të gjithë-formuar. Nisi të shpërthente kështu epoka e hartimit të fjalorëve të shkencave humane, politike, ekonomike, juridike  e kështu me radhë, në të gjitha fushat e specifikuara e të veçanta të dijes. Por përgjatë viteve me zhvillimin e kulturës dhe shkencës, e për pasojë edhe të tregtisë dhe ekonomisë, përveçse në mënyrë të përgjithshme, edhe në mënyrë të detajua, do të ndihej nevoja që këta fjalorë të plotësoheshin me fjalorët e termave specifikë të përdorur në secilën nga fushat në të cilat lëvizin dhe kishin marrëdhënie këto dije. Është pikërisht ky grup fjalorësh që plotësonin njëri-tjetrin, ai që u shfaq më i vlefshmi dhe më i dobishmi, për t’u përdorur nga specialistët e fushave përkatëse për vite e vite me radhë.

Mirëpo shekulli i ri, me zhvillimin dhe përhapjen kapilare të internetit dhe përdorimeve të tij në çdo fushë të jetës, filloi të ndikonte edhe në funksionimin e të gjitha mënyrave të vjetra. Lindi  “shoqëria në rrjet” me të gjitha rrjedhimet e saj nga pikëpamja sociologjike, pastaj kapitalizimi informacionit që e vinte informacionin si vlerën parësore të tregut, me të gjitha transformimet radikale ekonomike, e së fundi edhe lëndët dhe fushat e reja ndër-disiplinore të studimit, nga pikëpamja shkencore-akademike që, sigurisht ndikuan edhe në mënyrën e studimit dhe lëvrimit të dijes së çdo fushe. Tanimë, nuk mund të kufizohesh vetëm në fjalorët e përgjithshëm, praktikat e reja projektojnë nevojën e dijes nëpër fusha të ndryshme, që përçon rrjedhimisht nevojën e fjalorëve ndër-disiplinorë. Kjo është premisa kryesore e kohës që do të ndikojë shumë në formimin e së ardhmes, e që formësoi njëherësh edhe shtytjen time të parë teorike në përpilimin e këtij fjalori. Por, ajo që i dha jetën dhe brumin e ngjizjes së dalëngadaltë e të vazhdueshme ishte praktika e punës së përditshme.

Qysh kur nisa punë në Administratën Doganore më bëri përshtypje se megjithëse unë isha njohës i mirë i gjuhës angleze dhe megjithëse me profesion financier, përsëri shumë terma të dokumenteve tregtare të importit dhe eksportit nuk isha ne gjendje ti kuptoja plotësisht, vura re se shumë terma apo klauzola në dokumentet e transportit (kryesisht të transportit detar) nuk isha në gjendja t’i kuptoja dhe më duhej të hulumtoja për të kuptuar kontekstin e tyre.

Ishte pikërisht atëherë që më lindi ideja që t’i mblidhja të gjitha termat që hasja nëpër fatura tregtare, polica sigurimi, dokumente transporti, etj dhe të krijoja një fjalor anglisht – shqip me shpjegimet përkatëse për çdo term. Mendova që të krijoja një fjalor të kuptueshëm për të gjithë, për nëpunësit e Administratës Doganore, për ndërmjetësit doganor, tregtarët, transportuesit, pse jo edhe për ekonomistët. Diçka e tillë do të  përmbushte edhe qasjen time fillestare të përdorimit të tij shumë-planësh, e po njëlloj do ta plotësonte atë “paketë” të deritanishme fjalorësh në fushën e ekonomisë dhe drejtësisë, me të cilët formohen dhe punojnë ekspertët e këtyre fushave. Është diçka që i ka munguar kësaj pakete, madje, kjo qasje mund ta shtrijë përdorimin edhe në bizneset përtej këtyre fushave, e mund të ndihmojë shumë edhe në krijimin e një koncepti të ri pune dhe zhvillimi të biznesit tonë, për të ndikuar sa më shëndetshëm në ekonomi. Sot jetojmë në një kohë kur tregu më i largët është vetëm një klikim larg, e vetmja barrierë nuk është më trau i doganës por gjuha prandaj edhe shpresoj se ky fjalor do të ndihmojë sadopak në afrimin e mallrave dhe tregjeve.