Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë më 27 qershor 2024, Gjykata e Posaçme detyrohet të vërë në dispozicion informacionet dhe dokumentet e kërkuara nga kjo organizatë që në janar të vitit 2023. Gjykata e Posaçme kishte refuzuar dhënien e dokumenteve me argumentin se ishte e ndaluar publikimi i akteve të dosjes për narkotikët pasi janë “sekret shtetëror”.
Rrjeti investigativ i gazetarëve globalë OÇRP (Organized Crime and Corruption Reporting Project) fiton betejën ligjore ndaj Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të drejtën e informimit.
Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë më 27 qershor 2024, Gjykata e Posaçme detyrohet të vërë në dispozicion informacionet dhe dokumentet e kërkuara nga kjo organizatë që në janar të vitit 2023.
Gjykata e Posaçme kishte refuzuar dhënien e dokumenteve me argumentin se ishte e ndaluar publikimi i akteve të dosjes pasi janë “sekret shtetëror”.
Çështja kaloi në proces gjykimi fillimisht tek Komisionari për të Drejtën e Informimit dhe më pas në Gjykatën Administrative. Bëhet fjalë për dosjen me nr. akti 34, hetimet gjyqësore të së cilës flasin për operacionin policor të quajtur “Lugina e Vilunit”, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2014.
Pas një viti e gjysmë beteje administrative dhe ligjore, Gjykata Administrative vendosi se aktet gjyqësore nuk janë “sekrete shtetërore” dhe duhet t’u vihen në dispozicion gazetarëve.
Vendimi nuk është i formës së prerë dhe më gjasë do të apelohet, gjithsesi është një precedent i krijuar që u jep të drejtën gazetarëve për të aksesuar një informacion publik nga njëra anë dhe duke “edukuar” institucionet në detyrimin për të dhënë informacionin nga ana tjetër.
Kalvari për të marrë informacion
E drejta për t’u informuar sigurohet nga shteti shqiptar përmes ligjit “Për të Drejtën e Informimit”, miratuar në vitin 2014, sipas të cilit çdo institucion është i detyruar që brenda 10 ditëve pune të vendosë në dispozicion të çdo qytetari informacionin e kërkuar prej tij përmes kërkesës për informim. Megjithatë, gazetares së OÇRP-së, Lindita Çela, iu desh të luftonte mbi 1 vit e gjysmë me Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) që t’i jepej e drejta për t’u informuar dhe për t’iu vënë në dispozicion dokumentet e kërkuara.
Më 23 janar të vitit të kaluar gazetarja dërgoi pranë GJKKO-së kërkesën për informacion ku i kërkonte vendosjen në dispozicion të akteve dhe dokumente gjyqësore rreth dosjes ku ishin të përfshirë Mikel Hoxha (ose Ermal Mehmetaj), Ervis Sulo, Indrit Rraja, Leonidha Dhimojani, Mirjan Vitaj, Alfred Syli dhe Kristian Çokaj me akuzën e kryerjes së veprës penale të “trafikimit të narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim.
Sipas të dhënave të bëra publike nga policia, shtatë shtetasit ishin arrestuar në vitin 2014 gjatë operacionit “Lugina e Vilunit” teksa tentonin të trafikonin 700 kg kanabis drejt Italisë. Person i dyshuar për kryerjen e së njëjtës vepër penale ishte dhe Bardhok Pllanaj, i cili qëndronte fshehur në makinën e ish-deputetit Mark Frroku. Emri i Pllanajt nuk u përfshi në hetime dhe as u dërgua në gjykatë.
Pavarësisht se seancat gjyqësore ndaj të pandehurve u bënë me dyer të hapura dhe procesi gjyqësor kishte përfunduar në maj të vitit 2016, GJKKO nuk pranoi të vendoste në dispozicion informacionet e kërkuara me argumentin se aktet ishin të ndaluara për publikun.
Ky vendim e detyroi Çelën të depozitonte më 6 mars 2023 pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit ankesën për informacionin e mohuar nga GJKKO-ja. Gati një muaj më pas, në prill të 2023-shit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit doli me vendimin që Gjykata e Posaçme duhet t’i jepte gazetares aktet e kërkuara duke anonimizuar të dhënat personale të personave të përfshirë në procesin gjyqësor. Ky vendim nuk u mirëprit nga GJKKO-ja, e cila e ankimoi vendimin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë.
Pas një viti e gjysmë beteje administrative dhe ligjore, Gjykata Administrative vendosi se aktet gjyqësore nuk janë “sekrete shtetërore” dhe duhet t’u vihen në dispozicion gazetarëve. Vendimi nuk është i formës së prerë dhe me gjasë do të apelohet, gjithsesi është një precedent i krijuar që u jep të drejtën gazetarëve për të aksesuar një informacion publik nga njëra anë dhe duke “edukuar” institucionet në detyrimin për të dhënë informacionin nga ana tjetër.
Në padinë e ngritur Gjykata e Posaçme pretendohej se Komisioneri për të Drejtën e Informimit kishte legjitimuar gazetaren për të marrë akte që përmbanin informacione sekrete, ndër të cilat përfshiheshin përgjime dhe të dhëna nga jeta private e personave të përfshirë në hetime.
Në procesin gjyqësor të nisur në prill të 2024-s, gazetarja Lindita Çela është përfaqësuar nga Qendra ResPublica, e cila prej kohësh merret me mbrojtjen dhe asistimin e të drejtave të gazetarëve në aksesin për informacion.
Juristët e Qendrës ResPublika dhe Komisionierit për të Drejtën e Informimit, Andi Meçi dhe Eneida Bardhoshi, kërkuan rrëzimin e kërkesë-padisë të ngritur nga GJKKO. Sipas tyre, padia ishte e pabazuar në ligj dhe në prova, pasi Gjykata e Posaçme nuk kishte përcaktuar se cila pjesë e akteve gjyqësore ishte sekrete. Gjithashtu, avokatët argumentuan se të dhënat e kërkuara nga gazetarja Çela i përkisnin një rasti të gjykuar me dyer të hapura dhe se pretendimi për refuzimin e informacioneve se të dhënat përbënin “sekret shtetëror” ishte i pabazuar në ligj.
Sipas ligjit shqiptar, cilësohet “sekret shtetëror” çdo dokument ose material që, pavarësisht formës dhe natyrës së tij, i është vendosur një nivel i caktuar klasifikimi dhe një periudhë e caktuar sipas ligjit për t’u cilësuar si “sekret shtetëror”. Megjithatë, informacioni i kërkuar nuk i përkiste kategorisë “sekret shtetëror”. Edhe nëse do të cilësohej si i tillë, sipas legjislacionit shqiptar, e drejta e informimit nuk mund të kufizohet automatikisht kur informacioni i kërkuar gjendet në dokumentet e klasifikuara “sekret shtetëror”.
“Në këtë rast autoriteti publik të cilit i është dërguar kërkesa për informacion fillon menjëherë procedurën e rishikimit të klasifikimit pranë autoritetit publik që ka urdhëruar klasifikimin,” – parashtroi avokatja Brunilda Qershori, duke theksuar se nuk kemi të bëjmë me informacione “sekrete shtetërore”.
Në përfundim të seancës, gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, Selvie Gjoçaj, mori vendimin që do t’i jepte të drejtë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe palës së tretë, gazetares Lindita Çela, duke e cilësuar padinë e GJKKO-së si të pabazuar në ligj dhe në prova.
Vendimi i Gjykatës Administrative është konsideruar si precedent pozitiv nga qendra ResPublika për sa i përket zbatimit të ligjit për të drejtën e informimit në Shqipëri. Sipas avokatëve të kësaj qendre, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë me të drejtë ka rrëzuar padinë në mbështetje të së drejtës Kushtetuese për t’u informuar, duke riafirmuar se çfarë përbën “informacion publik” dhe cilat janë kategoritë e informacioneve, të cilët përbëjnë “sekret shtetëror”, elemente këto që përdoren nga institucionet publike si artifica për të refuzuar dhënien e informacionit.
“Vendimi i Gjykatës i jep të drejtën gazetarëve për të aksesuar një informacion publik nga njëra anë dhe duke “edukuar” institucionet në detyrimin për të dhënë informacionin nga ana tjetër. Duhet thënë se ky vendim sjell një precedent të mirë për çdo individ dhe sidomos me gazetarët, të cilët hasen çdo ditë me pengesa për të pasur akses në informacionin publik në aktet gjyqësore, një e drejtë kjo që parashikohet nga ligji “Për të drejtën e informimit” si dhe nga neni 23 i Kushtetutës”, – tha për Shteg-un, avokatja e qendrës ResPublika, Brunilda Qershori. Vendimi i dhënë nga Gjykata Administrative shënon rastin e parë ku një gazetar ka fituar një çështje gjyqësore ndaj një institucioni të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë, siç është GJKKO-ja./SHTEG/