Komiteti i Veteranëve Gjirokastër
Sekretari Zabit Ahmetaj

Në kuadrin e 80 vjetorit të çlirimit të atdheut s’ka si të mos kujtojmë 80 vjetorin e çlirimit të qytetit të Gjirokastrës nga forcat ballisto-naziste më 18 Shtator 1944 e që populli i Gjirokastrës dhe i fshatrave përreth, do ta festojë këtë ngjarje me madhështi, do të përkujtojë të rënët, dëshmorët në varrezat e rrethit, të cilat, para katër vjetëve, organet e pushtetit në rreth dhe qeveria, akorduan fondet për rregullimin tërësor të tyre.

Gjirokastra, një nga bastionet LANÇ-it, ka dhënë kontributin e saj, duke sklaitur në emrin e nderit, në altarin e atdheut, për epopenë e madhe, që i solli Shqipërisë lirinë e përjetshme. Pa përdorur komente, që në gazetarinë tonë janë të shumta, po përmendim konkretisht atë punë të madhe që u bë nga Partia Komuniste e Qarkori i saj këtu në qytet, Këshilli i Qarkut e Këshillat nacionalçlirimtare të fshatrave si dhe këshillat krahinorë, komandat e vendit, ajo e krahinës së Kardhiqit, e Labovës, e Lunxhërisë, e Libohovës, e Dropullit të Poshtëm e të Sipërm, e Poliçanit,Zagories, por edhe shtabi i zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër, ku shokët e qarkorit Mustafa Matohiti, Bexhet Mema, Memo Meto, Asim Zeneli, Ago Çelo, Bedri Spahiu, Haki Toska, Muzafer Asqeriu, Bajram Sinoimeri, Sejdi Haxhialiu, Shefqet Peçi, Adil Çarçani, Karafil Bello, Lato Braho, Thodhori Mastora, Vasil Dalani, Tahir Kadare, Ndreko Rino, Petrit Çobani, Themo Vas, Pano Xhamballo e shumë të tjerë, të cilët, hynë në masat e gjera të qytetit e të fshatit. Me atë punë bindëse, sqaruese, edukuese e organizuese, bënë që të përkraheshin idetë e LANÇ-it, në mënyrë të veçantë, nga brezi i ri e nga e gjithë popullata për çlirimin e vendit. Në zonën e Kardhiqit e të Kurveleshit, çeta “Çerçiz Topulli”, “Avni Rustemi”, “Hajredin Tremishti”, “Toto Bolena”, ato të zonës së Lunxhërisë ’’Mihal Duri,’’Lato Braho’’, të zonës së rrëzës “Prokop Meksi”, në Zagori çeta “Koto Hoxhi”, “Sabaudin Gabrani” në Libohovë, çeta e rinisë (“Sulo Hysi”), Stegopul njësiti partizan i Dropullit të Sipërm me partizanë minoritarë, të cilët nuk u gënjyen nga propaganda armiqësore për ta shkëputur popullin e minoritetit nga lufta e popullit shqiptar, por ai zgjodhi rrugën e bashkimit dhe bashkoi armët me djemtë shqiptar për lirinë e Shqipërisë. Nga ky rreth, u radhitën në radhët e ushtrisë heroike vullnetare partizane (Ushtria Antifshiste Nacionalçlirimtare) e në forcat e terrenit milituan mbi 2600 partizanë, të cilët u rreshtuan në formacionet partizane si batalione e brigada I, III, V, VI, VIII, XII, XIV, XIX, pa harruar këtu partizanët e komandave të vendit, të batalioneve territorial të krahinave, djem e vajza, burra e gra.

Nga këto, 600 ishin vajza e gra e shumë pionerë. Brenda në qytetin e Gjirokastrës ishin 250 shtëpi baza të luftës, ku prisnin e përcillnin, ushqenin, strehonin e mjekonin partizanë, pa harruar këtu spitalin e qytetit ku punonte nën hundën e armiqve mjeku Vasil Laboviti me stafin e tij, por edhe spitalet partizane: ai i Prongjisë, në Zhulat, në Lunxhëri, në Poliçan, në Nivan, pa harruar këtu shtëpitë bazë lufte në fshatrat e krahinave të Kardhiqit, të Kurveleshit të Sipërm, të Pogonit, të Zagorisë, të Rrëzës, të Libohovës, të Dropullit, të Odries, të Lunxhërisë. Në këtë rreth u formuan batalionet partizane, batalioni territorial i krahinës së Kardhiqit, “Asim Zeneli”, “Abaz Shehu”, batalioni i rinisë në Lunxhëri “Misto Mame, në Poliçan batalioni ‘’Naim Frashëri’’ i cili u riorganizua në 21 shtator në gazermat e Përmetit, batalioni ‘’Themo Vasi’’, në Dervician “Thanas Ziko”. Gjithashtu, u krijuan dy brigada, VIII 25 Prill 1944 Sheper dhe XIV 17 gusht në Sheper të Zagorisë gjatë vitit 1944, por edhe në rang qarku krijimin e birgadës VI në Përmet më 26 janar 1944, ku u rreshtuan edhe dy batalionet partizane të rrethit Gjirokastër, “Asim Zeneli” dhe “Abaz Shehu”. Dy herë hynë forcat partizanë në qytetin e Gjirokastrës për ta çliruar atë, siç ishin batalioni “Asim Zeneli” e “Halim Xhelo”, në nëntor 1943, ku u prit me shumë dashuri nga populli gjirokastrit. Por edhe brigada VIII e grupi i parë në korrik e 1944-ës; lufta e ashpër që u zhvillua, ku ranë edhe 3 dëshmorë, Qemali, Canoja, Hajreja. Prandaj vargjet e këngës janë dëshmia më e mirë: “Grupi dhe brigada/në sulm si rrufe/Bombat po pëlcasin/në rrugë e qoshe/kjo kala e shkretë/një pengesë për ne/lule shoku Cano/Qemal, Hajre”. Çlirimi i Gjirokastrës i takon brigadës XIV dhe një batalioni i II brigadës XIX, e cila zhvilloi luftimet natën e 16,17 shtatorit e në 18 shtator qyteti u gdhi i çliruar, ku përzuri forcat gjermano-balliste, prandaj kënga thotë: “Një fuqi nga mali zbret/moj nëno nëne/ brigadë e katërtmbëdhjetë/ me drejtim për në qytet.”.

Njëra është ajo e 17 majit të vitit 1944, ku qytetarët i grumbulluan te sheshi kryesor i qytetit nga krerët e ballit kombëtar se do të mbanin një fjalim dhe kryen atentat, duke vrarë 5 qytetarë: Gole Gushi, Fato Gozhita, Hiro Sparea, Skënder Çingaj dhe Asaf Gjebrea e duke plagosur shumë të tjerë. Por akti më çnjerëzor është ai i varjes në litar të dy vajzave: Bule Naipi e Persefoni Kokëdhima më 17 korrik 1944 në qendër të qytetit, si edhe vrasja e partizanit 15 vjeçar Lufti Dule. Muço nga Bolena afër qendrës së qytetit më 2 gusht 1944 dhe djegia e trupit të tij nga forcat armike, por edhe masakra e Glinës në 2 gusht 1943 ku u vranë 27 bij të minoritetit djegia në Suhë e Zymbyle Sabisë, e Vitori Dudit në Erind, e kallogresë në Manastirin e Cepos, e 11 partizanëve territorial në fshatin Mashkullorë në 14 gusht 1944, e 32 hormovitëve në nëntor 1944, si dhe shumë fshatra të djegura nga një, dy e tre herë në krahinën e Kardhiqit, të Kurveleshit, të Odries e të Lunxhërisë, të Pogonit e të Zagorisë, Libohovës, duke grabitur pasuri e plaçkë, por edhe sende me vlerë të nënave, të grave e të motrave të këtij rrethi nga forcat armike. Rrethi i Gjirokastrës vuri në betejat historike për çlirimin e atdheut gjakun e 494 dëshmorëve të LANÇ-it. Në këtë numër përfshihen edhe 50 dëshmorë të zonës së Pogonit e të Dropullit në numrin e mësipërm. Janë dëshmore 27 gra e vajza, 11 pionerë, ndërmjet tyre, 10 heronj të popullit: Muzafer Asqeriu, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima (pavarësisht se është bijë bregdeti) Fato Berberi, Inajete Dumi, Misto Mame, Mihal Duri, Themo Vasi, Ylbere Bylybashi, Thodhori Mastora, Çelo Sinani. Në këtë bilanc krenarie kanë shpalosur lavdinë e tyre kombëtare disa familje me shumë dëshmorë, si ajo e Fejzo Xhafos nga Golemi, me 5 dëshmorë, e Çanajve në Mashkullorë me 6 dëshmorë, Ruli në Libohovë, me 3 dëshmorë, Baboçajt e lagjes “Manalat” me 7 dëshmorë, familja Zherdi në Tërbuq me 4 dëshmorë, familja Puleri në Këllëz me 3 dëshmorë, familja Braja me 2 dëshmorë e shumë e shumë të tjera, ndërsa familje të tëra rreshtuan në radhët partizane më shumë se dy, tre e katër partizanë, nga qyteti dhe nga fshatrat. Në këtë epope madhështore, shumë bij e bija të Gjirokastrës e të rrethit, u shquan si kuadro e udhëheqës të LANÇ-it, jo vetëm në betejat partizane, por edhe në periudhën e pasçlirimit të atdheut më 29 Nëntor 1944, shumë prej të cilëve, edhe me emër në arenën kombëtare, si Enver Hoxha, Omer Nishani, Bedri Spahiu, Haki Toska, Shefqet Peçi, Adil Çarçani, Tahir Kadareja, Riza Veipi, Lipe Pogai, Sotir Meroja, Kadri Baboçi, Qibrie Ciu, Halim Budo, Reiz Malile, Kiço Ngjela, Ndreko Rino, Petrit Çobani Vasil Dalani, Jorgo Suljoti, Dilaver Poçi, Abdul Bizhga, Shemshi Totozani, Foto Çami, Sadik Boce, Zihni Sako, Veiz e Sami Gjebero, Telo Mezini,Skënder Musta, Subi Bakiri, Sevo Tarifa, Thimjo Muçi, Munir Reso, Piro e Vito Kondi, Pano Xhamballo, Vasil Kati, Pano e Thoma Xhixho etj. Me këtë bilanc lavdie, Gjirokastra shkon krenare në jubileun e 80-vjetorit të çlirimit të qytetit nga bishat nazisto-fashiste dhe tradhëtarët ballisto-zogistë e që bijtë e tyre kanë afro 30 vjet që po bëjnë çmos për të ndryshuar historinë e LANÇ-it të popullit shqiptar, të rivrasin martirët e kësaj lufte e të ngrenë në piedestal baballarët e tyre, bashkëpunëtorë, të cilët u bashkuan me armikun e luftuan kundër bijve të LANÇ.



















