Dr. Vladimir Mici: Migrimi dhe emigrimi plagë të Shqipërisë

Migrimi, emigrimi dhe qarkullimi i punonjësve brenda dhe jashtë Shqipërisë

– Në Shqipëri pas viteve 1990 lëvizja nga fshati drejt qytetit dhe nga qytetet e vogla drejt qendrave të mëdha urbane ka qenë dhe është një proces i vrullshëm

Sigal

Ndryshimet ekonomike midis vendeve, ndryshimi drastik i kërkesave për punë, paga midis vendeve, si dhe liberalizimi i vizave sollën lëvizjen e popullsisë

Dr. Vladimir Mici

Aktualisht ndryshimet ekonomike midis vendeve, ndryshimi drastik i kërkesave për punë dhe paga midis vendeve, si dhe liberalizimi i vizave dhe i kushteve për lëvizjen e popullsisë sidomos në Europë kanë bërë, që të rriten lëvizjet e popullsisë drejt vendeve me të ardhura më të mëdha dhe më të sigurta për garantimin e mirëqenies së tyre. Pra në Shqipëri pas viteve 1990 lëvizja migratore nga fshati drejt qytetit dhe nga qytetet e vogla drejt qendrave të mëdha urbane ka qenë dhe është një proces i vrullshëm. Po kështu liberalizimi i vizave dhe rritja e lëvizjes së popullsisë ka shtuar valën e emigrantëve nëpër Evropë dhe Amerikë duke pasqyruar në një mënyrë tendencë reale të popullsisë drejt tregjeve të punës, ku paguhen më shumë për të njëjtën sasi pune apo nivel kualifikimi. Në këtë kapitull do të ndalemi të analizojmë nga pikëpamja e ekonomiksit vendimin për të emigruar dhe efektet e tregut të punës nga emigrimi. Nga ky proces do të vlerësohet se si emigrantët janë më fleksibël nga të tjerët në karakteristikat personale(mosha dhe orientimi i ardhshëm) dhe faktorët, që ndikojnë nëse emigrimi i rrit të ardhurat reale për kapital të kombit mëmë në kombin pritës. Në mobilitetin e punonjësve emigrimi përbën nëngrupin më të madh të punonjësve. Mobiliteti i punonjësve luan një rol të kritik në ekonominë e tregut. Për shkak të qëllimit çdo treg duhet të promovojë këmbime vullnetare, mbështetje sociale mbi lëvizjen e lirë të punonjësve midis punëdhënësve, për të shpërndarë punën në një mënyrë, që të arrihet maksimumi i kënaqësisë midis punëdhënësve dhe punëmarrësve. Rryma e punonjësve me paga më të ulta drejt pagave më të larta është ajo çfarë i detyron firmat që janë duke paguar nën pagën ekuilibër të rrisin ofertat e pagës së tyre. Ekzistenca e ndryshimeve të pagave kompesuese gjithashtu varet nga aftësia e punonjësve të informuar për të ushtruar zgjedhjet midis oportuniteteve të punës në kërkim për dobinë e shtuar.

Mobiliteti është i kushtueshëm.

Punonjësve u duhet kohë për të marrë informacion për punët e tjera dhe për disa punonjës, kjo është më efiçente, nëse ata dalin nga puna në kërkim të këtij informacioni. Duke prishur lidhjet me punëdhënësit aktual kjo nënkupton, që ai i lë miqtë dhe rrethin familjar dhe për këtë atij i duhet, që edhe përfitimet e punësimit të jenë më të larta ose brenda kësaj edhe me reklamën e ardhshme. Sapo gjen një punë të re punonjësi duhet të përballet me kërkesa monetare dhe njëkohësisht edhe me kërkesa të kostove psikike, kosto e lëvizjes së tij dhe rrethit familjar dhe në raste e emigrimit edhe me nevojën e të mësuarit të një gjuhe të re dhe adaptimin me një kulturë të re që e bën koston veçanërisht të madhe. Shkurt punonjësi i cili lëviz tek një punëdhënës i ri mbart kostot në afatin e shkurtër, kështu që dobia e tij mund të vij vetëm në të ardhmen. Edhe sikurse kemi caktuar më parë vendimi i tillë i ngjan një vendimi për investim ku modeli kryesor është ai i NPV-s.

Mobiliteti gjeografik. Lëvizja e punonjësve brenda një qarku, brenda një rrethi, apo edhe një vendi përfaqëson një fakt të rëndësishëm të jetës ekonomike. Rreth një e treta ose më shumë e popullsisë ka ndryshuar vendbanimin brenda vendit. Faktorët ekonomik janë faktorët kryesor mbi bazën e të cilëve ata janë motivuar dhe se për këtë arsye ata kanë ndryshuar edhe punëdhënësit e mëparshëm. Ky fakt na sugjeron që ndryshimin e punës ta mbështesim mbi teorinë e kapitalit human si një instrument, që do të na ndihmojë se cilët punonjës janë ata që pëlqejnë të marrin përsipër të tilla investime për t’u ndryshuar vendqëndrimin e tyre dhe drejtimin në të cilën ky fluks ndryshimi do të zërë vend.

Drejtimi i fluksit migrator. Teoria e kapitalit human parashikon që migrimi do të rrjedh nga zonat me mundësi të varfra për fitime në zonat ku oportunitetet janë më të mira. Edhe studimet e censusit të vitit 2011 mbështesin këtë konkluzion. Në përgjithësi rezultatet tregojnë se tërheqja e oportuniteteve në zonat e destinacionit është më e fortë se shtytja e oportuniteteve të varfra në zonën e origjinës. Ose ndryshe njerëzit janë më të joshur për t’u vendosur atje ku fitimet janë të pritshme më të mëdha, në të kundërt kalimi në zonat me oportunitet të varfër nuk përfaqëson një tërheqje. Realisht njerëzit shkojnë atje ku fitimet e pritshme janë më të mëdha për punonjësit me kohë të plotë. Ata që ndodhen në vendet më të varfra kanë indice më të forta për të lëvizur, për arsye të nivelit të ulët të pasurisë, arsimimit dhe aftësive. Njeriu mund të zhvillohet në ëndrrën e vet duke zgjedhur profesionin e dëshiruar, por kur ai ndodhet në një fshat, ai e ka të vështirë të përballojë jetesën jo më të zhvillojë ëndrrat e veta.

Karakteristikat personale të migruesve

Migrimi është mjaft selektiv në sensin se ai nuk përfaqëson një aktivitet, të cilin të gjithë njerëzit mund të angazhohen. Për të qenë më specifik, migrimi është shumë më i lartë midis të rinjve dhe atyre të mirë arsimuar në raport me të tjerët. Mosha është një faktor kyç në përcaktimin se kush emigron. Ka dy arsye për këtë. E para është që ai ka përpara një periudhë më të gjatë përfitimesh për të mbuluar investimet e tij dhe gjerësia e këtyre përfitimeve është më e madhe. Së dyti kostoja më e madhe e migrimit është psikike, humbjet shoqërohen me largimin nga miqtë, lidhjeve komunitare dhe përfitimeve nga të njohurit rreth e rrotull. Sa më të vjetër bëhemi aq më të forta janë lidhjet me komunitetin dhe humbjet bëhen më të mëdha, kur largohemi nga ata.

Shkollimi përfaqëson ndoshta treguesin më të mirë, që na sugjeron se kush do të lëvizë brenda një grup moshe. Një nga kostot e migrimit është aplikimi për intervista për oferta e punës. Nëse profesioni i dikujt ka një treg kombëtar, aranzhimi për intervistat e ofertave të tregut të punës janë të zakonshme dhe shpesh është një shpenzim i punëdhënësit. Nëse ky treg është i lokalizuar mekanizmat e rekrutimit janë më të vështirë dhe ndonjëherë inekzistente. Për shembull ju mund të kërkoni një punonjës që merret me pastrimin e puseve të naftës, por ky përfaqëson një treg rajonal, sepse në Shkodër ky treg është inekzistent.