Dr. Erion Dasho: Nga kura anti-Covid, tek shumëkombëshet farmaceutike

236
Sigal

 

Në fillimet e pandemisë, ndoshta të nxitur nga përdorimi i klorokinës në vendet perëndimore, disa studiues në shtetin afrikan të Madagaskarit pretenduan se zbuluan një nga medikamentet e parë për trajtimin e COVID-it. Bëhej fjalë për një preparat bimor të prodhuar duke përpunuar një bimë vendase të quajtur Artemisa. I promovuar që në mesin e vitit 2020 dhe i përdorur në shumë vende Afrikane, ky preparat (i cili ka veti antimalarike) nuk ka patur asnjë efekt kundër COVID-it. Pak a shumë i njëjti përafrim u përsërit në Uganda, ku një preparat bimor i quajtur Covidex, jo vetëm propagandohet si mjekim anti-COVID dhe është miratuar nga agjencia vendase e medikamenteve, por madje edhe ka hapur një çështje ligjore mbi ndarjen e fitimeve. Ndonëse shkenca ka vërtetuar se asnjë prej këtyre medikamenteve nuk ka ndonjë efekt mbi COVID-in, zhurma e bërë në internet ka mjaftuar që emrat e këtyre “medikamenteve” të zënë vend në statuset e konspiracionistëve.“Argumenti” i tyre?! Shumëkombëshet “gjakpirëse” farmaceutike janë duke zhdukur konkurrencën për të shitur vaksinat e tyre “vrasëse”…

Pas muajsh të tërë studimesh, shkenca sigurisht që arriti të zbulojë medikamente të bazuar mbi evidenca për trajtimin e COVID-it. Prej rreth një viti tashmë po përdoren me sukses:
Kombinimi i remdesivirit me deksametazonin (i dhënë në kushte spitalore dhe me indikacione të përcaktuara shumë qartë), i cili ka treguar efekt në shumë pacientë. Ky është një trajtim me kosto rreth 4 mijë euro për pacient.

Antitrupat monoklonalë janë një tjetër trajtim efikas. Edhe ky trajtim jepet vetëm në kushte spitalore dhe një dozë e vetme e tij kushton midis 3 dhe 5 mijë euro.
Së fundi, kemi dy pilulat anti-COVID të prodhuara nga Pfizer dhe Merck.

Molnupiraviri i Merck e ul me 50% riskun e hospitalizimit. Ai nuk ka hyrë ende në treg, por mendohet se në vendet e pasura do të kushtojë rreth 700 euro për trajtim. Në vendet e varfëra kjo kosto do të jetë 20 euro. Nga cili çmim do të përfitojë Shqipëria? Të mos harrojmë se gjatë pandemisë remdesiviri bangladeshas me çmim 30 apo 40 euro, u shit nga spekulantët me çmimin 500 euro për flakon.

Paxlovidi i Pfizer është medikamenti më i ri që pritet të hyjë në treg pas disa muajsh. Ai e ul vdekshmërinë 89% dhe çmimi i shitjes pritet të jetë i përafërt me atë të molnupiravirit.
Si molnupiraviri, ashtu edhe paxlovidi kanë një veçori. Marrja e tyre duhet të nisë sa më parë (3 deri 5 ditë nga shfaqja e simptomave): çka përkthehet në një përdorim supermasiv të tyre. Qeveria amerikane ka kontaktuar tashmë disa miliona doza të secilit preparat për vlera të rendit miliarda dollarë…
Midis varianteve të rinj të COVID-it të krijuar si rezultat i mutacioneve, valëve të njëpasnjëshme, kufizimeve, pasaportave të gjelbra, teorive konspirative, vaksinave, medikamenteve etj, etj, situata e pandemisë nuk duket se ka gjasa për t’u qetësuar së afërmi.

Përafrimi që duhet të ndjekë një individ me mend përballë kësaj kakofonie ç’orientuese është të ulë sa më pak riskun e vet në raport me shëndetin dhe jetën.

Medikamentet aktualisht në qarkullim (remdesiviri, antitrupat monoklonalë) si edhe ato që pritet të miratohen së shpejti (molnuporaviri, paxlovidi) kanë të përbashkët koston e lartë, vështirësinë për t’u gjendur në tregun shqiptar dhe, për tabletat, sigurinë ende të paprovuar në terren dhe faktin se do të duhen disa muaj për të qenë të disponueshëm.

Ndërkohë, prej një viti qarkullon alternativa e sigurt, e efektshme dhe e provuar tashmë: vaksina!Për këtë arsye, në vend që një person ta lërë jetën e vet në dorë të antitrupave monoklonalë, remdesivirit, molnupiravirit apo paxlovidit, mund të ndërmarrë sot një gjest të thjeshtë dhe FALAS të bëjë dozën e parë, të dytë apo të tretë të një prej vaksinave të sigurta Pfizer apo Astra Zeneca. Të parandalosh është më mirë dhe më e sigurt se të kurosh! Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë gjithmonë!