Dita e flamurit*

882
Sigal

Skënder Luarasi, 19-vjeçar e mbyll shkrimin e tij “Dita e flamurit” me fjalët : “Por sado i mirë, sado i bukur dhe i këndshëm të jetë ky flamur, bukuria e tij prishet, fishket, venitet, po të mos jemi ne si flamuri. Le ta dimë që ne e bëjmë flamurin dhe jo flamuri ne. Po të jemi ne trima, besnikë dhe të drejtë, të lirë, të ndershëm, ashtu do të jetë edhe flamuri ynë, shenja e një populli trim, besnik, të drejtë, të lirë, të ndershëm. Po të jemi ne robër dhe tradhtarë, ashtu do të jetë edhe flamuri, shenja e robërve dhe e tradhtarëve…

Përgatiti për botim
Petro Skënder Luarasi

Dita e Flamurit është dita më e shënuar në historinë e kombit tonë. Duke kremtuar këtë ditë, i pari kujtim që na bie në mend është se një popull ka shpëtuar prej kurthit të robërisë, dhe nisi të shijojë jetën e lirë duke u përfaqësuar prej shenjës kombëtare, Flamurit. Shenja e kombit tonë: Flamuri kuq e zi me shqiponjën dy krenare! Me sa mburrje, madhështi, nderim dhe gaz e shikon çdo sy atdhetari! Vetëm një tradhtar, një shpirtlig e vështron me smirë, me urrejtje, me frikë.
Te flamuri nuk shohim vetëm bukurinë e cohës dhe të ngjyrës, po edhe bukurinë e një atdheu, të një kombi, me tërë cilësitë, parimet, ndjenjat dhe historinë e një populli, që ka jetuar për një jetë madhështore, për qëllime të larta, të shtrenjta, të dëlira. Flamuri ynë tregon qëndrimin e njëhershëm, të patundur dhe burrëror të atyre ushtarëve fisnikë që i ka udhëhequr në ngadhënjime, mes luftërave të rrepta, jo për sulme, po për mbrojtje. Flamuri ynë tregon jetën e atyre trimave të kombit që luftuan për të mbrojtur atdheun. Nën këtë flamur Skënderbeu mundi të dalë fitimtar në luftëra të panumërta kundër mizorive të Anadollit. Nën këtë flamur trimat e Gegërisë dhe të Toskërisë mundën të mbajnë të pa njolluar prej armiqve nderin e tyre. Nën këtë flamur kemi dhënë besën të rrojmë ne, bijtë e shqiponjës. Te ky flamur i hapur, që fërfërin në erë, shikojmë me shkronja të arta Shqipërinë e Re dhe të Lirë; shikojmë jetën e së ardhmes së këtij kombi, që është dergjur për kaq kohë në kurth i mbuluar me plafin e robërisë, po që kurrë nuk ka qenë i mundur për vdekje! Flamuri ynë është shenja e trimërisë dhe e lirisë. Për trimëri ka kaptuar male, ka kapërcyer lumenj, ka shëtitur pyje, ka vetëtitur mbi dete dhe ka valuar mbi fusha. Për liri ka bërë terror të madh, beteja të përgjakshme. Për liri, si tani e tutje ky, dhe vetëm ky flamur, do të fërfërijë mbi kulmet e shtëpive, do të shndrijë mbi majat e çukave, do të valojë mbi sheshet e lëndinat. Vetëm nën këtë flamur do të prehen në qetësi eshtrat e atyre dëshmorëve që bënë therorinë më të madhe, duke luftuar dhe vdekur me nder e lavdi. Vetëm nën këtë flamur mund të rrojmë ne bijtë, nipërit dhe stërnipërit, në liri, në fatbardhësi më vete dhe në paqe e miqësi me fqinjët. Po sado i mirë, sado i bukur dhe i këndshëm të jetë ky flamur, bukuria e tij prishet, vyshket, venitet, po të mos jemi dhe ne si flamuri. Le ta dimë që ne e bëjmë flamurin dhe jo flamuri neve. Po të jemi ne trima, besnikë, të drejtë, të lirë, të ndershëm, ashtu do të jetë edhe flamuri ynë, shenja e një populli trim, besnik, të drejtë, të lirë, të ndershëm. Po të jemi ne robër dhe tradhtarë, ashtu do të jetë edhe flamuri, shenja e robërve dhe e tradhtarëve.

*Ky është një nga shkrimet e botuesit Skënder Luarasi në revistën e tij “Studenti”, organ i studentëve shqiptarë në qytetin Springfield, Mass. SHBA, më 28 nëntor 1919.