Dështojnë inceneratorët, ‘groposen’ 150 mln euro, por Zoto dhe Mërtiri mbushën thasët dhe po i shijojnë nëpër Europë

Pa konsultim publik dhe në mungesë të plotë transparence, pas dështimit të inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit, mbetjet urbane të këtyre qyteteve do të depozitohen në Shkodër. Qeveria ka vendosur që për vitin 2026, 14 bashki të qarqeve Fier dhe Elbasan, mbetjet urbane t’i depozitojnë në Bushat, ndërsa pagesa për transportimin e tyre do të subvencionohet nga qeveria. Ndërkohë, qeveria ka hapur një tender me 680 mijë euro fond për zgjerimin e landfillit të Elbasanit dhe Fierit. Pas dështimit zyrtar të inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, qeveria projekton një tjetër hap skandaloz për menaxhimin e mbetjeve urbane. Gjatë vitit 2026, qeveria ka vendosur që mbetjet urbane të shtatë bashkive të qarkut Elbasan dhe gjashtë bashkive të qarkut Fier, t’i depozitojë në landfillin e mbetjeve urbane në zonën e Bushatit në Shkodër.

Pa transparencë dhe konsultim publik, në dokumentet që shoqërojnë ligjin për buxhetin e vitit 2026, qeveria ka depozituar edhe një dokument, i cili parashikon që mbetjet urbane të 14 bashkive në Elbasan dhe Fier, të transportohen dhe më pas të depozitohen në landfillin e Bushatit në Shkodër. Sipas këtij drafti, qeveria do të marrë përsipër të subvencionojë bashkitë e qarkut Elbasan, Fier dhe bashkitë e vetë qarkut Shkodër, të cilat do të transportojnë mbetjet urbane në landfillin e Bushatit. Nëpërmjet këtij dokumenti, qeveria vulos përfundimisht dështimin e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit, por njëkohësisht edhe mbylljen e përkohshme të landfilleve në këto dy qytete. Pavarësisht mungesës së transparencës publike, plani për dërgimin e mbetjeve urbane të qarkut Elbasan dhe Fier në landfillin e Bushatit, duket se ka qenë i mirëmenduar nga qeveria. Vetëm një ditë para depozitimit të projektbuxhetit në Kuvend, Operatori i Blerjeve të Përqendruara hapi një tender me vlerë 680 mijë euro, i cili ka si objekt zgjerimin e landfilleve ekzistuese në Elbasan dhe Fier. Tenderi parashikon që landfillet ekzistuese të zgjerohen për një periudhë prej 5 muajsh, ndërsa parashikimi është që ato të ndërtohen për të pasur një kapacitet depozitimi mbetjesh për 20 vitet e ardhshme. Këto të dhëna konfirmojnë jo vetëm dështimin e aferës qindra milionë euro të tre inceneratorëve, por njëkohësisht edhe mungesën e vizionit dhe strategjisë për menaxhimin e mbetjeve urbane nga qeveria.

NOA