Për personat që dalin rishtazi në pension, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të aplikojë pagat e reja për efekt të llogaritjes së
Aktualizimi i pagave para ‘94 do të bëhet me koeficientin 13.5 për qind, ndryshe nga një vit më parë, duke u reflektuar në këtë mënyrë në nivelin e pagave për 83 profesione. Për dy vitet e fundit, pra për 2023 dhe 2024, nuk aplikohet formula e indeksimit, por pagat referohen aq sa janë, pra të paindeksuara. Vendimi merret nga Këshilli Administrativ pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore çdo vit në mes të vitit. Përafërsisht afro 20 mijë qytetarë që dalin në pension përfitojnë nga aktualizimi i pagave me qëllim rritjen e masës së përfitimit. Koeficienti parashikohet të ndikojë në rritjen e bazës së vlerësuar për mbi 20 mijë persona, duke bërë të mundur që pensionet e tyre të jenë të harmonizuara me kontributet e derdhura.
KUSH PERFITON
Ashtu si çdo vit, krahas indeksimit të pensioneve, qeveria harton edhe koeficientët e rinj, mbi bazën e të cilëve llogaritet masa e pensionit për ata që sapo dalin në pension dhe jo për të gjithë pensionistët. Kjo sjell automatikisht ndryshim të formulës për llogaritjen e vlerës që përfitojnë të moshuarit. Kështu, bazuar në tabelën me koeficientet e rinj (sipas tabelës përbri shkrimit) një person që në vitin 1994 është trajtuar me një pagë prej 7 mijë lekësh, kjo shumë do të shumëzohet me koeficientin 10.799 dhe për llogaritjen e pensionit do të merret parasysh paga prej 75 mijë e 593 lekësh. Zakonisht, për caktimin e masës së pensionit merret në konsideratë paga me të cilën janë paguar kontributet ndër vite, por për shkak se pagat gjatë kohës së ish-kooperativave bujqësore, por edhe në vitet në vijim kanë qenë të ulëta, qeveria cakton çdo vit koeficiente të rinj për të marrë një pension sa më real për periudhën që pensionistët jetojnë.