“Rekordi” i Tan Agollit, nga 10 firma në garë, 9 me ofertë të njëjtë. E vetmja që doli nga radha, u skualifikua!

59
Sigal

Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, ka një “rekord” të ri, ku nga 9 nga 10 firma në garë në një tender kanë dhënë oferta të njëjta. E vetmja që doli “nga radha” u skualifikua. Një procedurë tepër e dyshimtë, pasi të 9-ta kanë qenë në unison.

Sipas dokumenteve, procedura e FSHZH-së është “shërbimi i kolaudimit të punimeve për objektet në zbatim të programeve IVR dhe 100 F”. Fondi limit i akorduar ishte 13.103.185 lekë. Ndërkohë 9 firma ofruan saktësisht; 11.121.152 lekë.

Dy janë mundësitë, ose zyrtarët e FSHZH-së i kanë orientuar ose firmat me njëra-tjetrën kanë rënë dakord. Por, të bësh në një mendje 9 është shumë e vështirë.

Dokumenti i mësipërm është njoftimi i fituesit, i publikuar në datën 11 prill 2025. Fitues ka dalë, ndoshta me lotari, firma “NET-GROUP”. Bëhet fjalë për një tender shërbimi, teksa ka qenë një procedurë e hapur.

Kriter i përzgjedhjes ishte oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në kosto, teksa firmat u vlerësuan me pikë. Fituesi, “NET-GROUP” dha një ofertë prej 11.121.152 lekë pa tvsh me një total të pikëve të marra 295.50.

Firma e dytë në garë ishte “STATENG” & MCE & PRO GREEN me vlerë 11.121.152 lekë dhe me 294.00 pikë. E treta në garë ishte “ARENA MK” po me vlerë 11.121.152 lekë.

Gjithashtu, oferta të njëjta dhanë edhe “ZENIT&CO” apo edhe firma “A & E ENGINEERING” me vlera 11.121.152 lekë. Lista vijon me ofertën e 6-të në radhë, “NOVATECH STUDIO” po me vlerë të njëjtë, teksa edhe firmat “ERSI/M” apo “G B Civil Engineering” ofruan gjithashtu 11.121.152 lekë.

Vetëm firma e renditur e 9-ta, “INFRATECH” doli nga “radha” dhe ofroi 12.986.807 lekë. Por u skualifikua!

“Nga pjesëmarrësit janë skualifikuar ‘INFRATECH’ pasi nuk ka dorëzuar në sistem disa dokumente”- thuhet në njoftimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Një procedurë tepër e dyshimtë, ku më pas filloi edhe renditja e firmave vetëm me pikavarazh dhe jo me ofertë. Ose më saktë, fitoi ajo që u mbushi mendjen drejtuesve të Fondit se mund t’a bëjë më mirë këtë punë./ VoxNews

Por, të bësh në një mendje 9 është shumë e vështirë.