Çudia e fundit e gjuhës shqipe

515
Sigal

Prindi 1-emër, gjinia mashkullore. Prindi 2-emër, gjinia mashkullore. Aleanca LGBT dhe shpërndarja e formularit nëpër çerdhe. Roli i pazëvendësueshëm i nënës në vargjet e poetëve

Çudia e fundit e gjuhës shqipe: Prindi 1 – emër-gjinia mashkullore. Prindi 2– emër gjinia mashkullore. Aleanca LGBT nuk përfshin lesbiket në nismën e saj!

Kohët e fundit, pa autor, është shpërndarë një formular në çerdhet dhe kopshtet e fëmijëve në Tiranë. Në formular lexojmë: ‘Prindi 1(nëna)’ dhe ‘Prindi 2 (babai)’.

Zëvendësimi i emrit Nënë me Prindi 1 dhe Babai me Prindi 2 ka filluar të diskutohet në rrjetet sociale. Fillimisht kjo nismë ka filluar në Britaninë e Madhe. Dy prindër në Britaninë e Madhe, refuzuan të quheshin nënë dhe baba, por Prindi 1 dhe Prindi 2. Më tej disa organizata bënë kërkesën që në dokumente punësimi në sektorë privatë dhe publikë, apo në aplikime si pasaporta, etiketimi të ndryshohet pasi sipas tyre kështu largohet pabarazia gjinore dhe të drejtat e punës, por edhe e drejta e regjistrimit ligjor të fëmijëve në dokumente që kanë dy baballarë apo dy nëna.

Ky debat ka prekur edhe Shqipërinë.

Gjuha shqipe është një ndër gjuhët më të pasura dhe më të larmishme në sistemin e fjalëformimit.

Kjo gjuhë është përpunuar dhe pasuruar, dhe ka hyrë në fondin gjuhësor duke u betonizuar shekuj e shekuj.

Pjesë të kësaj gjuhe janë: edhe emrat nëna, babai, prindi që janë të rrënjosura në familjen shqiptare dhe nuk ka kanxhë që t’i shkulë nga familja shqiptare! Janë fjalë që në shekuj kanë mbajtur familjen dhe rritur me përkushtim breza të ardhshëm!

Promovimi në shqip “Prindi 1” dhe “Prindi 2”është i parealizueshëm! Legalizimi i kësaj propagande, përfshin vetëm”gay” duke përjashtuar nënën (lesbike). Në fjalorin e gjuhës shqipe lexojmë:

-Nënë-a / njëjës, gjinia femërore dhe Nëna/t shumës gjinia femërore.( Prindi femër kundrejt fëmijëve të vet).

-Baba-i/, njëjës, gjinia mashkullore/ shumës-baballarë-baballarët.( Prindi mashkull kundrejt fëmijëve të vet).

-Prind-i/ prindër-prindërit gjinia mashkullore kryesisht shumës-. Kjo fjalë ka shpjegimin kuptimor ( Nëna dhe Babai kundrejt fëmijëve të vet).

Në përzgjedhjen e fjalës ‘Prindi’ kemi mosdakortësi me gjuhën standarte shqipe .

Së pari: Dy prindërit janë heteroseksualë (gei- lesbike etj), ‘ Prindi 2’ nuk ka funksion, sepse të dyja emërtimet i përkasin geive: prindi 1 dhe prindi 2 i përkasin kategorisë gramatikore në gjininë mashkullore.

Së dyti: Fjala prind është i kudondodhur në jetën familjare dhe shoqërore. Do duhen qindra vjet që të futet si emërtim i ri në fjalorin e gjuhës shqipe, ndërsa në popull  as bëhet fjalë se mund të përdoren me ndryshim kuptimi. Gjuha shqipe me emërtimet e saj mbijetoi megjithëse shumë pushtues u munduan gjatë pesëqind viteve ta zhduknin duke ndaluar edhe shkollat në gjuhën shqipe, por ne flasim shqip me një leksik të pasur gjuhësor, sepse baza e marrëdhënieve në mes njerëzve e ruajti edhe me dhënien e jetës këtë gjuhë sa të pastër dhe me vlerë…

Së treti: Sipas Aleancës LGBT ndryshimi i emrit nënë dhe baba largon pabarazinë gjinore dhe të drejtat e punës, por edhe e drejta e regjistrimit ligjor të fëmijëve në dokumente që kanë dy baballarë apo dy nëna.

Në legjislacionin në fuqi po t’i hedhësh një sy certifikatave familjare , shumë prej tyre kanë emërtimin e një prindi  dhe nuk ka asnjë përbuzje për këta fëmijë. Kjo është shtuar kohët e fundit edhe për shkak të emigracionit ku shumë baballarë kanë ndryshuar emrin dhe mbiemrin në vendin ku janë emigruar dhe nuk i kanë regjistruar fëmijët… Për fëmijët e tyre asnjë deri tani nuk ka ngritur ndonjë problem në hasjen e vështirësive për regjistrimin ligjor të tyre.

Së katërti: Në botën e zhvilluar shumë shtete, në dokumente shtetërorë regjistrojnë vetëm mëmësinë e nënës. Po të lexosh dokumente të studentëve shqiptarë universitarë në Hungari, shënohet vetëm emri i nënës dhe mbiemri i beqarisë së saj dhe jo i bashkëshortit….

Së pesti: Fjala nënë -baba kanë dhe sinonimet e tyre: nëna-mëmë- e ëma- im më- nënoke, babai-im at-ati-baballarët , etërit- etj, të cilat mbajnë kanxhat e rrënjës të fjalëve dhe nuk mund të zëvendësohen me fjalë të tjera. Fjala baba dhe sinonimet e tij -ati-etërit-janë përdorur që në shkrimet e para të gjuhës shqipe. Unë të pagëzoj në emër të atit, të birit dhe shpirtit  të shenjtë që në vitin 1260.

Së gjashti: Fjala nënë nuk është thjesht një fjalë me katër shkronja, por është një fjalë shumë e çmueshme shumë me vlerë për kombin shqiptar.

Si do e quajmë Nënë Terezën nëse e zëvendësojmë me fjalën prindi ?
Ose:
Monumenti Nënë Shqipëri ?????
Ose

Nëna e Heroit të Popullit?

Ose

Babai i Kombit Shqiptar Ismail Qemali?

Ose

Poema për Babanë dhe për vete? Etj.

Së shtati. Komente nga rrjete të ndryshme:

  1. Po gjyshi dhe gjyshen si do e emërtoni, apo prindi në katror?
  2. Ju keni të drejtë me jetu jetën tuaj, po nënë e baba nuk kanë për t’u hequr asnjëherë !
  3. Po fjalët teze, xhaxha, dajë, hallë me kë do i zëvendësoni?
  4. Fjala nënë sa të jetë dhe të ekzistojë Shqipëria nuk do hiqet kurrë.

Së teti: Nëna është rreze drite! Nëna është ajo që na dha jetë nga jeta e saj saj që na dha shpresë nga loti i saj. Zëri i saj është melodia më e mahnitshme në botë. Nuk ka shkrimtar, poet, artist që nuk ka shkruar ose inerpretruar ndjenjat e pashtershme të dashurisë së saj për fëmiët! A mund të
zhduken nga memoria historike ky thesar i pallogaritshëm që ka ngritur në piedestal portretin e saj?

Së nënti. Kompozitori me famë botërore dhe i pavdekshën në fushën e muzikës është shprehur Nëna mbetet gjithmonë nënë: vlerësim nga jeta e tij: Kur vdiq i vëllai i Betovenit, djalin e tij e rriti dhe u kujdes për të. Mbas 17 viteve përkushtim shfaqet e ëma e tij dhe djali vazhdon jetën me nënën. kjo eksperiencë nguliti në shpirtin njerëzor shprehjen e Betovenit “Sido që të jetë: nëna mbetet nënë.

Krijime letrare me tematikë “Nderim për nënën”.

Aleksandër Staver Drenova( Asdreni )

Mëma

Fjalë e bukur, fjal’ e shenjtë

            thellë zemrës që tingëllon,

            s’ka në botë gjë m’e shtrenjtë,

            s’ka si mëmë kur kujton!

 

            Mëmë, mëmë, frym’ e lartë

            rreze drite, yll qiellor,

            plot mëshirë e mall të zjarrtë,

            engjëllroje madhështor.

 

            Që nga gjinjt e saj të dlirë

            vilet jeta pa shterim.

            Që nga zemr’ e saj ka mbirë,

            dashuri dhe mallëngjim.

 

            Si në gaz dhe në vojtje,

            veç një mëmë të larton.

            Sa ka frym’ e sa ka rrojtje,

            mendjes kurrë s’të harron.

 

            Çdo rreziku rri të ruan,

            bën detyrë si luftar.

            si dëshmori heq e vuan

            për të zemrës saj thesar.

 

            Kush s’di vlerën e një nëne,

            është pa ndjenjë e shpirtmizor,

            bir skëterre e frymë nëme,

            ësht’ i vetes tradhëtor!

 Maks Velo

Kulaçët e nënës

Herë mbas here, pa i thënë njeri, mamaja nxjerr nga mbrapa dollapit astagaçin e madh të rrumbullakët, okllainë e gjatë dhe bën kulaçe. Zë brumin, e ngjesh mirë e mirë, i ndan pastaj në pjesë-pjesë, një e madhe e disa të vogla. I hap me dorë pastaj me oklllai. I shënon sipër me vijëza diagonale, romba.I pjek pastaj në furrë. I le të ftohen e pastaj na i ndan.

I marr me dëshirë këto kulaçe të vogla në dorë. Nganjëherë me copat e brumit që mbeten bën disa figurina, njerëz me kokë, duar e këmbë. Ky është arti im, e kam ngrënë që i vogël. Babai i thotë: -Ç’na i bëre këto kulaçe sot, ç’tu tek, nuk t’i kërkoi njeri?  Mamaja nuk di si të arsyetohet: -Këtë miell e kisha të tepërt, s’bënte për gjë tjetër. Por në të vërtetë unë e di se ajo ka dëshirë të bëjë kulaçë të ëmbla me vezë, të kripura, lakrorë, drop, mëmëliqe. Me sa duket është thirrja e të parëve. Është një kohë e kaluar e largët, e bukur si çdo gjë e shkuar, e shtrenjtë, se është e humbur për të, koha kur ish vajzë në Dardhë. Gratë e mëhallës kur nisnin burrat për në mal, nënat kur nisnin djemtë në kurbet, për qymyr, për dru ose për në qytet bënin një ditë më parë kulaçin. Ngjeshnin brumin me mendimet, gëzimet e dëshirat e tyre. Sikur donin të futnin brenda në kulaç gjithë dhembshurinë e tyre. Dhe në të vërtetë kulaçi mbante me vete mirësinë dhe vuajtjet e këtyre grave. Kur e haje sikur ushqeheshe dhe me kujdesin dhe kujtesën e tyre. Kulaçi i pjekur mirë mbështillej mirë në shami e futej në torbë së bashku me djathin. Karvani ndalej në izvori, ose në ujin e ftohtë për të ngrënë. Sa ngjan buka me mënyrën e jetës së njeriut.

Jam ulur në krevat dhe kam marrë një copë kulaç. Ma solli nëna në takim sot. Ka tre orë që është larguar. Duhet të ketë arritur në shtëpi. Kur vjen, më sjell gjithmonë dhe një kulaç. Është gjëja më e shtrenjtë për mua. Nuk ia kërkoj, por ajo e di vetë. M’i sillte dhe në hetuesi. Dhe unë gjithmonë atë haja të parin, si sot. Është thirrja e të parëve. Kjo copë kulaç më sjell me vete gjithë vuajtjet, dashurinë e nënës dhe motrave

 Sherif Merdani

 Në një intervistë këngëtari ynë i talentuar Sherif Merdani, kur e pyetën se cili ishte njeriu më i shtrenjë u përgjigj:

 – Njeriu më i shtrenjtë është nëna. Dashurinë për nënën e kam ndjerë në momentet më të vështira të jetës sime. Kur unë kryeja dënimin politik në burgun e Spaçit, oficeri i burgut më drejtoi një pyetje:

– A e di ti se cili është njeriu më i shtrenjë? Kësaj pyetje iu përgjigj po vetë oficeri.

– Nëna, nëna. Ajo me një trastë ka ardhur nga Korça për të takuar ty. Kush tjetër përveç nënës bën një sakrificë të tillë?

 Xhevat Lluri

Duke kërkuar varrin e nënës

Jeta prej jetimi më ka detyruar që shumë gjëra t’i përjetoj si jetim, ku dhimbja për nënën më shtypte vazhdimisht kraharorin e malli për të më mblidhej si lëmsh në fyt…

Malli më çon në Prongji. Sa herë shkoj atje, e para që më del përpara është nëna, hija e saj, përfytyrimi i saj… Më shoqëron… Më pyet: si u rrite bir?… Pa mua?… E krijove familjen? Po fëmijët si i ke?

 

Me një tufë lulesh në duar arrij te varret. Të parat lule dua t’i vendos te varri i saj. Po ku?! Vërtitem nëpër varreza… Lexoj emrat dhe më pushton trishtimi. Të gjithë, që kanë qenë në jetë e kanë varrin e tyre… Vërtitem mos gjej ndonjë gur ku të shkruhet emri i nënës sime. Eci si nëpër ëndërr… Ec e lexo… Ec e qëndro…     Ku është varri i nënës?

Për një moment bëhem fëmijë tre vjeç… Dhe qaj… Qaj siç qajnë fëmijët: O nënë! O nëna ime! Ku je?! Tre vjeç më le kur ike! Ndoshta ike në qiell përderisa nuk e gjej varrin tënd në tokë. Oh!  Jo… Nuk i dihet varri!

I shpërndaj lulet nëpër varre dhe ndiej që ato janë të lagura më shumë nga lotët se sa nga vesa. Ku e ka varrin nëna? Ku ta gjej? Askush nuk e di. Ishte luftë atëhere kur ajo mbylli sytë. U varros përmes plumbave… Plumbat e dy djemve të rritur dhe të burrit binin për liri. Breshëria e plumbave të tyre e shoqëroi në banesën e fundit bashkëshorten e nënën në largësi. Edhe në vdekje plumbat nuk na janë ndarë… Po ku u varros?

“E di unë varrin e saj, – më tha një grua… Do ta tregoj unë… Do të shkojmë bashkë, atje”. M’u bë sikur nëna m’u ngjall… Aq e fuqishme është dhimbja për nënën, sa mund të besosh edhe të pabesueshmen. Por ajo ishte e besueshme…Me tufën me lule shkova te shtëpia e asaj gruaje, që dinte varrin e nënës… Do takoja nënën, do ta puthja gurin e varrit të saj, do të bisedoja e do t’i tregoja gjithçka, gjithçka… Por, oh… lulet krejt në mënyrë instiktive më ranë nga duart… dhe mbeta si i ngrirë. Te porta e shtëpisë së saj, që do të më tregonte varrin e nënës  ishte arkivoli. Ajo kishte vdekur. Mbeta pa frymë, ca nga dhimbja e ca nga që nuk kisha për ta mësuar kurrë më varrin e nënës… Prapë jetim.

“E di unë, -më tha një burrë… Do të shkojmë bashkë”… Por ah, ai u verbua… Sa i pafat!  Prapë jetim.

Nuk kam rreshtur e nuk rresht së pyeturi edhe sot: këdo që gjej nga ai fshat ku është varrosur nëna? Mos e dini varrin e nënës sime?

DritëroAgolli

Poemë për babanë e për vete

Im atë tokën

shumë e donte
siç donte nënë e grua.
Për tokën lodhej dhe rënkonte
dhe djersën derdhte krua.
Po ati im mbi plisa ecte,
me shpirt të madhërishëm
dhe tokës shpirt me shpirt i jepte
nga shpirti i çuditshëm.

Me tokën rrinte ditë e natë:
në vapë, erë e mjegull…
Ndaj nga pasardhësit im atë
kërkonte djersë e rregull.

Ky shkencëtar, që njihte dhenë
në fusha pas më mori!
”Mësoje biro abecenë
në brazdat që le plori.

Pastaj babai në plis mbështetur
këndonte fill i vetëm,
sikur përpiqej për ta gjetur
në këngë të vërtetën:

Babai me botën zeëerohej
dhe bëhej pikë e vrer,
dhe arave ngaherë ankohej,
dhe thoshte: “Duam nder!”

Unë tokën si njerkë nuk e kam parë,

po e kam parë si nënë.

Dhe po të mundja hënën

do ta kisha marrë,

dhe në gjoks si gjerdan

do t’ia kisha vënë…

 

“Asnjëri prej poetëve në historinë e letërsisë shqipe, nuk e ka shfaqur veten larg ndjenjës të pashtershme për prindërit. Janë thurur me mijëra vargje dhe rreshta në harkun poetik, në ndjeshmëri liriku, me freski dhe forcë jetësore, me thjeshtësi monologimi, me sens filozofimi, origjinaliteti dhe identiteti, shenjë kjo e vitalitetit që nuk shterret kurrë sa të jetojë Shqipëria.

Në shumë krijime për vlerën e saj të pallogaritshme fjala nbënë identifikohet me fjalën Shqipëri.

Nëno moj, mbaj zi për vllanë!

Me tre plumba na i ranë.

Na e vranë e na e shanë.

Na i thanë tradhëtor!