Vjedhja e 1.2 milionë eurove/ Prokuroria kërkon pamjet filmike, në bankën ku Ilir Thana tërhoqi paratë bashkë me të motrën

209
Sigal

Prokuroria e Tiranës vijon hetimet në lidhje me dosjen e vjedhjes së shumës prej 1.2 milionë eurove në buxhetin e shtetit me anën e firmave të dy funksionarëve të lartë të ministrisë së Financave.

Hetimet në fakt janë shtrirë në disa linja, ku sipas të dhënave është shkuar deri atje se ta sigurohen pamjet filmike të një banke të nivelit të dytë në të cilën është bërë edhe tërheqja e dy shumave të majme nga ana e të pandehurit Ilir Thana, i cili është arrestuar më herët në lidhje me këtë dosje.

Sipas të dhënave hetimore bëhet me dije se nga pamjet filmike që janë siguruar bëhet me dije se në bankën në të cilën janë kryer tërheqjet në emrin e motrës së të pandehurit Thana, është parë edhe një person i tretë përveç Ilir Thanës dhe të motrës që kishte të drejtën të vepronte. Sipas grupit hetimor bëhet me dije se në fakt këtë lëvizje e ka shquar një oficer kredie që punonte në të njëjtën bankë, ku ka vendosur të ndërhyjë për shkak se personi që po tërhiqte shumën prej 480 milion lekësh, nuk kishte paguar këstet e një kredie në atë bankë.

Sipas të dhënave, sasia e kredisë që kishte për të paguar klienti i tyre ishte krejt e vogël në krahasim me sasinë e parave që u tërhoqën nga e motra e tij. Mirëpo, duke hetuar në tërësinë e tyre veprimet e kryera nga palët është mësuar se në lojën e përfitimit, sipas prokurorisë, më herët ka qenë një tjetër përmbarues, i cili duket se ka vepruar me anë të dokumenteve të vendimit të gjykatës, vendim i dhënë në vitin 1996. Por, kur është parë se sasia e nxjerrë prej tij ka qenë aq e vogël, Prokuroria dyshon se i pandehuri ia ka marrë dosjen përmbaruesit tjetër dhe ia ka dhënë të bashkëpandehurit, përmbaruesit Alban Ruli, i vënë në pranga bashkë me dy zyrtarët e lartë të Ministrisë së Financave.

FIRMOSJA E “DYSHIMTË”

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave në gusht të vitit të kaluar refuzoi të firmoste dëmshpërblimin por disa muaj më pas pranoi të lëvronte fondet.

Arlind Gjokutaj mbahet ende në spital ku pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Në gusht të vitit të kaluar sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokuta nuk kishte pranuar raportin e vlerësimit të përmbaruesit privat Alban Ruli. Në shkesën e sekuestruar nga grupi hetimor të firmosur nga Drejtoresha e Përgjithshme, në mungesë dhe me porosi të sekretarit të Përgjithshëm, përmbaruesi informohej se kreditori, Ilir Thana është dëmshpërblyer në vitin 2015.

Më pas në shtator, sekretari i Përgjithshëm vihet në dijeni sërish nga Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse dhe ajo e Buxhetit, të cilat shprehen në mënyrë të përsëritur se pagesa e detyrimit është kryer e plotë nga ministria e financave për Ilir Thanën në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë të vitit 2004. Çuditërisht, megjithëse ishte në dijeni, sekretari i përgjithshëm Gjokutaj bashkë me drejtorin e çështjeve ligjore Fatmir Hoxhaj kanë vijuar me pranimin e praktikës dhe në muajin tetor, konkretisht më datë 11 është derdhur fillimisht shuma monetare prej 250 milion lekësh të vjetra, në llogarinë e motrës së Ilir Thanës.

Në total, kaluan rreth 480 milionë lekë, ndërsa shuma finale që prisnin ishte rreth 1 miliard e 500 milion të vjetra. 2 zyrtarët e Ministrisë së Financave u lanë në burg nga gjykata bashkë me përmbaruesin Alban Ruli dhe pritet që këto ditë të ankimojnë vendimin në Gjykatën e Apelit.