Avokati i Popullit: Pronat u merren, pa u dhënë kompesimi

267
Sigal

Alarmi i Avokatit të Popullit: Prona u merret përpara se t’u jepet kompensimi, zvarriten dëmshpërblimet

Nga marrja e pronës në mënyrë arbitrare pa ju dhënë ende kompensimi, te zvarritja e dëmshpërblimeve e mosllogaritja e saktë e vlerës së tyre. Në raportin më të fundit, Avokati i Popullit i vlerëson me nota shqetësuese procedurat e shpronësimit për interes public, që aplikojnë institucionet shtetërore duke vepruar në mënyrë arbitrare e duke shkelur interesat e qytetarëve.

Shpronësimet për interes publik janë një prej problematikave më të mprehta të evidentuara nga institucioni i Avokatit të Popullit. Në raportin më të fundit, institucioni nënvizon se pothuaj në të gjitha rastet, konstatohet se, organet e administratës shtetërore sillen “në mënyrë arbitrare” me titullarët e së drejtës së pronës/pronarët por edhe poseduesit, duke qenë se i zhveshin këta të fundit nga e drejta e pronësisë dhe nuk i dëmshpërblejnë/kompensojnë paraprakisht, kundrejt një shpërblimi të drejtë dhe brenda afateve ligjore. Qytetarët ndihen të pafuqishëm nga forca shtrënguese e shtetit, i cili në këtë rast e përdor “forcën” jo në mbrojtje të tyre, por ndaj tyre. Shteti, nëpërmjet organeve të administratës publike, duhet të kujdeset për interesat pronësore të qytetarëve, në rast shpronësimi, duke pasur në konsideratë procesin e rregullt ligjor dhe nevojat social-ekonomike të tyre. Vërtet kushtetuta, KEDNJ, si dhe ligjet, parashikojnë kufizime të së drejtës së pronësisë, por këto kufizime duhet të jenë të ligjshme, të bëhen vetëm në rast të një interesi publik, kundrejt shpërblimit të drejtë, si dhe të kenë në themel parimin e proporcionalitetit. Koncepti i shpronësimit dhe shpërblimit të pronës nuk përfshihet vetëm për pasuritë e regjistruara por edhe për ato që i janë nënshtruar një procesi të ligjshëm, sikurse pasuritë në proces legalizimi.

Një problematikë e bërë prezente në ankesat pranë institucionit të Avokatit të Popullit, është fakti që edhe pse individëve u janë marrë pasuritë për interes publik, ende zvarritja e proçedurave administrative nga ana e institucioneve që kanë për detyrim plotësimin e dokumentacionit për marrjen e shpërblimit është shqetësuese dhe cënon të drejtën për një shpërblim në kohë. Shtuar këtij shqetësimi është dhe fakti se institucionet sjellin pengesa dhe zvarritje pa asnjë logjikë dhe pa bazë në mënyrën e pagimit të dëmshpërblimit,  kosto kjo që rëndon në anën e subjekteve të shpronësuara.