Ja udhëzimet për të emigruar në SHBA. Plotësimi i formularit, dokumentet dhe afatet për intervistën. Si veprohet për ata që kanë kryer vepër penale, arsimi i kërkuar dhe profesionet që kualifikohen
Ambasada: Plotësimi i formularit, dokumentet dhe afati për intervistën. Si veprohet për ata që kanë kryer vepër penale. Arsimi e profesionet që kualifikohen
Fituesit e Lotarisë Amerikane – Ja udhëzimet për të emigruar në SHBA
Që prej datës 7 maj 2019, Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur fituesit e Lotarisë Amerikane për vitin 2020. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ofrojnë çdo vit rreth 50 mijë kuota emigrimi për qytetarë nga vende të ndryshme, ndërsa Shqipëria përfiton mbi 2 mijë kuota. Pas përfundimit të fazës së parë, ku u bë përzgjedhja rastësore e emrave fitues, tashmë deri më shtator 2020 fillon procedura e fazës së përgatitjes së dokumentacionit dhe faza e intervistës, e cila do të jetë përcaktuese për të marrë vizën emigruese në SH.B.A. Ambasada Amerikane në Tiranë, nëpërmjet ekspertëve të saj u përgjigjet qytetarëve rreth dokumenteve që duhen përgatitur, si mund të verifikohen fituesit, përgatitja për intervistë, cilët persona kualifikohen për marrjen e vizës së emigrimit etj. Gjithashtu ambasada sqaron dhe fituesit e Lotarisë DV2019, të cilët, një pjesë e tyre janë në procedurat finale të plotësimit të dokumenteve dhe intervistës në ambasadë. Më poshtë gazeta “Telegraf” sjell disa pyetje të qytetarëve të interesuar dhe përgjigjet përkatëse të ekspertëve të ambasadës.

Plotësimi i formularit të fituesve
Pyetje: Përshëndetje! Jam i përzgjedhur për Lotarinë Amerikane DV2020. Si mund t’i dërgoj të dhënat? Ju faleminderit!
Përgjigje Ambasada Amerikane: Përshëndetje! Formuari DS-260 plotësohet këtu: http://ceac.state.gov/iv. Vendos Case number – numrin e çështjes, Surname – Mbiemri, ditëlindja në formatin ditë-muaj-vit, numrin tuaj të konfirmimit, zgjidh “I am the –applicant” dhe vendos karakteret e verifikimit në fund. Ti mund të bësh një kërkim për DS-260 pdf sample dhe shikon se çfarë informacioni duhet të plotësosh. Gjithashtu, ti ke mundësinë që të plotësosh një pjesë të informacionit dhe ta ruash formularin dhe hyn më vonë dhe plotëson pjesën tjetër të tij.
Afati i plotësimit të formularit DS-260 para intervistës
Pyetje: Cili është afati i fundit i plotësimit të formularit?
Përgjigje: Sipas udhëzimeve që jep Qendra Konsullore Kentucky, e cila është edhe përgjegjëse për caktimin e datave të intervistave, ju duhet ta plotësoni formularin DS-260 menjëherë sapo të keni marrë vesh që jeni përzgjedhur. Plotësimi me vonesë i formularit DS-260 bëhet shkak për caktimin me vonesë të datës së intervistës.
Nëse gjatë plotësimit të DS-260 ju kërkohet vendosja e numrit te çështjes tuaj dhe sistemi nuk jua pranon numrin që keni, atëherë hiqini zerot në mes të numrit tuaj, p.sh.: 2020EU00012345 do ta shkruani 2020EU12345. Formulari DS-260 duhet plotësuar per ju, bashkëshortin/en dhe fëmijën/ët. (nëse keni)
Kategoria e personave që kualifikohen në intervistë
Pyetje: Doja të dija, Shkolla e Mesme Profesionale 5 Vjeçare Hoteleri-Turizëm, kualifikohet në intervistë? Flm
Përgjigje
Arsimimi:
–Aplikantët duhet të kenë mbaruar arsimin e mesëm me kohë të plotë që është i barasvlefshëm me arsimimin në të paktën një shkollë të mesme amerikane (4 vjeçare, me kohë të plotë, arsim i përgjithshëm).
– Diplomat e shkollës së mesme gjimnaz me kohë të plotë kualifikohen për Lotarinë.
– Shkollat e mesme profesionale me kohë të plotë mund të kualifikohen nëse ato në thelb përputhen me kërkesat thelbësore të një të arsimi të mesëm me kohë të plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendimi përfundimtar do të merret nga oficeri konsullor në ditën e intervistës për vizë.
– Diplomat e shkollës së mesme me kohë të pjesshme – pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose ato me korrespondencë, përfshirë programet pesë vjeçare ose programet e gjata (me kohë të pjesshme, pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose me korrespondencë) nuk kualifikohen për programin e lotarisë. Edhe nëse ju keni mbaruar një pjesë të shkollës së mesme në sistemin pa shkëputje nga puna dhe pjesën tjetër në sistemin me kohë të plotë, kjo diplomë nuk kualifikohet për programin e lotarisë.
– Diplomat universitare kualifikohen për programin e lotarisë së DV-së.
Punësimi:
– Aplikantët që nuk përmbushin kriterin e arsimimit, duhet të përmbushin kriterin e përvojës në punë për dy vjet në një profesion që kërkon të paktën dy vjet trajnim apo përvojë brenda një periudhe pesëvjeçare menjëherë para aplikimit.
– Vetëm disa profesione specifike kualifikohen për programin e Vizave të Shumëllojshmërisë.
– Për t’u kualifikuar për një vizë të lotarisë mbi bazën e eksperiencës së punës, ju duhet të keni brenda pesë viteve të fundit dy vjet përvojë në një profesion që është përcaktuar si Zonë Pune 4 ose 5, e klasifikuar në Përgatitjen Profesionale Specifike (SVP) të vlerës 7.0 ose më lart.
– Profesionet kualifikuese të DV-së janë të renditura në Bazën e të dhënave të Departamentit të Punës
Pranimi i personave që kanë kryer vepër penale
Pyetje: Përshëndetje, jam fitues i Lotarisë Amerikane dhe kam nevojë të pyes për diçka. Unë jam dënuar me gjobë për plagosje të lehtë me dashje dhe doja të dija a është ky një faktor që më heq mundësinë për të marrë vizën?
Përgjigje: Rasti juaj shqyrtohet nga zyrtari konsullor në momentin e intervistës. Në këtë link keni shpjegimin e mohimit të vizës dhe papranueshmëritë sipas dënimit: https://travel.state.gov/…/visa…/visa-denials.html
Si veprohet kur humb formulari i aplikimit
Pyetje: Kam aplikuar për Lotarinë Amerikane, por më ka humbur aplikimi nga pakujdesia! Si mundet të më ndihmoni? Ju faleminderit
Përgjigje: Hyni tek dvlottery.state.gov/esc, dhe poshtë Confirmation Number ka një link ku citon “Forgot Confirmation Number”. Klikoni tek ajo dhe plotësoni fushat e kërkuara. Nëse të dhënat që po vendosni tani përputhen me ato që keni dhënë kur u regjistruat për lotarinë, përfshirë edhe adresën e emailit, atëherë do ju gjenerohet një kod i ri konfirmimi. Shikoni gjithashtu se mos ngatërroni shkronjën “o” me numrin “0”
Formuari DS-260 plotësohet këtu: http://ceac.state.gov/iv. Vendosni numrin e çështjes, mbiemrin, ditëlindjen, numrin tuaj të konfirmimit, zgjidh “I am the-applicant” dhe vendos karakteret e verifikimit në fund



















