Sigal

MSc. Albert HABAZAJ

Dr. Evis ÇELO (Ph.D)

Shqiptari më universal

Gjergj Kastriot – Skënderbeu (06.05.1405-17.01.1468) është Heroi Kombëtar i shqiptarëve. Bëmat dhe historia e tij fitimtare ndaj pushtuesve osmanë në shekullin XV e kanë tejkaluar famën e tij përtej trojeve shqiptare, midis legjendës dhe historisë. Historia e tij është e shkruar dhe e mirënjohur. Gjithashtu, në të gjitha krahinat etnografike ka rrëfenja për të, toponime mitike, i kanë thurur këngë e valle, edhe pse njësitë folklorike kushtuar kryetrimit tonë, tashmë i përkasin folklorit pasiv. Gjergj Kastriot – Skënderbeu është shqiptari më universal deri më sot dhe e meriton nderimin që i kanë bërë shqiptarët ndër shekuj, me dy pjesët e mëdha etnografike Gegërinë dhe Toskërinë, përfshi dhe banorët Labërisë me gjurmë të dukshme në kulturën popullore apo etnokulturën shqiptare në rrjedhat e kohës. Figura e Skënderbeut dhe “Moti i madh” i tij u himnizua në periudhën e Rilindjes me fillimet e ndërgjegjes kombëtare ndër shqiptarë (1830-1850) dhe romantizmin kombëtar të Rilindjes me tre vëllezërit Frashëri e rilindës të tjerë, që rizgjuan ndjenjat e atdhedashurisë dhe dritës së shkollimit e përparimit. Në një kohë, kur gjithë bota i këndonte këtij shqiptari të madh, shpirti i popullit që e lindi a nuk paska pasur të drejtë të shpërthente në këngë e valle, në rrëfenja e legjenda e të bëhej mal krahë nëntë maleve të Dibrës e të mbarë Shqipërisë, krenarisht, por pa u mburrur!? Skënderbeu e krijoi famën në shekullin që jetoi, në shek. XV, pikërisht në vitet që luftoi, udhëhoqi e korri fitore shembullore mbi hordhitë perandorake të osmanlinjve. Qysh në gjallje të tij, emri iu ndërkombëtarizua me dinjitet si pakkujt, jo më në Shqipëri, por në rajon e më gjerë. U quajt “Atlet i Krishterimit. Emri i tij është kryefaqe në etnologji dhe rron në folklor, në kulturën materiale dhe atë jo materiale të shqiptarëve.

Mitologjia ndër shqiptarë për Skënderbeun. Populli ynë, në këngën e tij, e quan Skënderbeun – Dragua me fletë. Është e pasur, e larmishme dhe domethënëse demologjia shqiptare, si pjesë e mitologjisë, në përbërje të organigramës së Etnologjisë shqiptare. Dragoin e shikon si një nga figurat më kryesore të besimeve popullore dhe e vlerëson si hyjni mbrojtëse të bashkësisë njerëzore, të fisit, krahinës, prodhimtarisë njerëzore, lindur për të ndalur veprimet shkatërruese të kuçedrave. Kuçedra është parë si personifikim i forcave shkatërruese në natyrë e në jetën e njerëzve, ndaluese burimeve, shkaktuese e breshrit dhe e shtrëngatave. Mitologu Tirta i trajton shkencërisht këto forca demoniake, të mbinatyrshme dhe shprehet: “Mendojmë se me besimet në fjalë për Dragoin kanë të bëjnë dhe disa toponime bashkë me legjendat mitike për to, për të ashtuquajturat “Gjurma e shejtit”, “Gjurma e kalit të Skënderbegut”, Gjurma e kalit të Lekë Dukagjinit” e kështu me radhë.

1.1. Skënderbeu në toponimet mitike Është interesante, se në toponiminë shqiptare, përveç emërtimeve që lidhen me rite, mite e besime popullore, të cilat njihen si vende a objekte kulti, vërehen jo pak emërtime që lidhen me kultin e disa personaliteteve historike, ku, ndër të tjerë shquhet Gjergj Kastriot Skënderbeu. Janë luftëtarë e princër të mirënjohur shqiptarë, kryesisht të shek. XV, si Gjergj Araniti, Gjin Bue Shpata, Lekë Dukagjini, Mojsi Golemi, Gjorgj Golemi e kështu me radhë. Rrëfenjat thonë se kur e rrethonin turqit, hidhej me të zotin lart në ajër e binte në male, në vend të sigurtë. Aty ku binte, zakonisht mbi mal, mbi shkëmb, mbi rrasë, po në atë vend kanë mbetur “Gjurmët e kalit të Skënderbeut”. Kemi sot shumë toponime me emrin “Gjurmët e kalit të Skanderbegut”, ose “Guri i Skanderbegut”. Të tilla kemi në Qafë-Lurë, në Arni të Kukësit, në Lama të Çidhnës (Dibër), në Mal të Bulqizës, në Pështjesh të Mirditës, në Krujë, në Macukull (Mat), në Grykë të Selitës (Mirditë), në Rugovë, në Gramsh, në Pishkash (Librazhd), në Koçaxhik (Dibër), në Kostëri Suharekë (Kosovë), “Skënderbeje” (arë buzë lumit Shushicë, fshati Penkovë-Vlorë), “Vaja Skënderbej”, po në Penkovë etj. Sipas studiuesve, këto “gjurmë” nuk janë gjë tjetër veçse dukuri gjeologjike natyrore që ngjajnë me shenjat e putrave të këmbëve të njeriut, të qenit atë patkoit të kalit. Në këto tregime mitike, Skënderbeu del krijues gurrash e krojesh në vende thatësire e ku ushtria a njerëzia po vuanin nga etja.

Heroi në kulturën folklorike

Proza dhe poezia popullore për Skënderbeun trajtohen në Epikën historike dhe përfshihen në dy periudha folklorike: në këngë të para pushtimit osman dhe në këngë të pushtimit osman me ciklin e tyre për Skënderbeun. Kur trajton poezinë popullore, etnologu i njohur Bardhosh Gaçe e bën qartë dallimin midis epikës legjendare dhe epikës historike dhe thekson: “Epika historike shqiptare zë një vend tepër të rëndësishëm në folklorin dhe në të gjithë pasurinë shpirtërore të popullit shqiptar, pasi ajo e zë fillin e jetës së saj që në momentin kur u shkëput nga epika legjendare, madje element të saj janë dhe në këtë të fundit, dhe më pas ka ndjekur të gjitha rrjedhat historike të jetës shqiptare”. Në këngët e para pushtimit osman kemi dhe një cikël me këngët për Skënderbeun dhe Motin e Madh të tij, që jetuan përgjatë shekujve si një frymëzim i gjallë i qëndresës shqiptare kundër pushtuesve osmanë. Sipas dëshmive, bashkëkohësit e tij “e përkujtonin me këngë”. Këngët e pushtimit osman dhe cikli i tyre mbi Skënderbeun dhe luftëtarët e tjerë të shquar popullorë zënën një vend të rëndësishëm në epikën tonë historike. Tematika vjen e gjerë dhe e larmishme, duke nisur me tregimet popullore

Për Kastriotët;

Për lindjen e Skënderbeut: vendlindja (hipotezat popullore: Mat-Dibër-Krujë) dhe lindja;

Rinia e Skënderbeut: marrja peng, kthimi në Atdhe;

Të dhëna për Shtetin e Skënderbeut dhe qeverimin e tij;

Kalatë: e Krujës, Matit, Dibrës, Tiranës me rrethinat;

Luftërat; luftimet në rrethet Krujë, Mat, Dibër, Elbasan, Librazhd;

Armët; shpata, thika, topuza, shigjeta, topa dardhe, pushkë me strrall, të gjata e sulltate (lloj pushke e vjetër që shkrepte me ngrehje) etj.;

Patriotizmi popullor;

Figura e Skënderbeut me vetitë fiziko-morale të heroit, me gjurmët në Mat, Dibër, Mirditë, Kukës, Elbasan, Librazhd, Petrelë, Lezhë e Korçë;

10: Toponimì: Krujë, Mat, Dibër, Kukës, Elbasan, Librazhd, Vlorë,  si dhe Shëngjergj – Tiranë, Shëmërdhen – Gramsh, Shipshan – Tropojë e Rugovë;

Thënie të Skënderbeut mbledhur në Krujë, Mat, Dibër, Mirditë, Elbasan, Tiranë;

Banesa e Skënderbeut – Familja:

a) Banesa: Krujë, Mat, Dibër, Librazhd, Durrës

b) Familja: Krujë, Rremull – Mat, Qeparo – Himarë, Pishkash – Mat, Selcë – Shkodër e Lunik – Librazhd;

Bashkëkohës të Skënderbeut, që nga Bibë Huta, Gjob Besari, Gjokajt, Gjergj Golemi, Kokë Maçli, Lekë Dukagjini, Mojsi Golemi, Petro Petroshi, Kapidan Sani, Vidani, Zaharia, Perlati e Kara Gjoni, deri tek Ballabani;

Vdekja e Skënderbeut, në rrëfenja mbledhur pothuaj në trevat e malësitë e Shqipërisë Verilindore: Dibër, Kukës, Mat, si dhe në malësitë e Tiranës e Polis të Librazhdit. Në botimin e vitit 1967 të Institutit të Folklorit janë 42 këngë të botuara për Gjergjin e Madh, mbledhur, regjistruar e botuar sipas kritereve shkencore, me aparat bibliografik, me fjalorth, indeks, burimet e lëndës, burimet krahinore, bibliografi, nga të cilat 25 janë këngë të vjetra, përfshi edhe rapsoditë e gjata, kënduar e mbledhur në krahinëzat e krahinës së madhe etnografike shqiptare të Gegërisë dhe ndër Arbëreshët e Italisë së Jugut. Ndërkohë kemi dhe 17 këngë të reja popullore, ku evokohet figura e Skënderbeut, ndër të cilat 5 njësi folklorike nga krahina tjetër e madhe etnografike shqiptare e Toskërisë, përkatësisht: Vranisht – Himarë, Dukat – Vlorë, Prongji – Gjirokastër/ Kuç – Himarë, Tërbaç – Himarë. Në këtë botim të nivelit akademik mungon një njësi e kënduar në Dukat të Vlorës, pikërisht në vitin 1967 për nderim të 500 vjetorit të Kryeheroit, dhe e regjistruar në Festivalin e Parë Folklorik Kombëtar, Lezhë, 1968, me marrës ish-mësuesin Sulo Likoj. Teksti është i thjeshtë, i shkurtër, përkujtimor dhe pa figuracion. Ja teksti:

500 vjet që kanë kaluar

Kapedan, o Skënderbe! [ref.]

Trimëritë që ke treguar

Populli s’t’i ka harruar,

Në zemër të ka të shkruar,

Kapedan, o Skënderbe!”. Këndohet edhe sot në Dukat.

Mesazhet e Heroit

Një ndër argumentet e rëndomta që përdoret për të shpjeguar numrin e kufizuar të këngëve kushtuar Gjergj Kastriotit, është koha e gjatë dhe qëndrimi i pushtuesit osman që nuk lejonte të këndoheshin haptazi këngë të këtilla. Pa dyshim kjo pikëpamje meriton të merret parasysh deri në një farë pike. Mbi pesë shekuj e gjysmë janë shumë për kujtesën popullore, dhe s’është për t’u çuditur, nëse ndërkohë këngët popullore për Skënderbeun erdhën duke u pakësuar e duke u rralluar për shkaqe të ndryshme. Por, nëse populli ynë ruajti këngët më të hershme rreth Luftës së Kosovës (1389), si mund të harronte plotësisht atë mori këngësh rreth luftërave 25-vjeçare që u bënë nën udhëheqjen e kryetrimit Skënderbe?… Ndonëse nuk matet dot me vite mosha e disa këngëve popullore që rrjedhin nga e kaluara, as nuk përcaktohet zanafilla ose parabola që kanë përshkruar gjatë rrjedhës së tyre prapëseprapë duket qartë se ndonjë motiv, si ai i Vrana Kontit (kënga e rrethimit të Krujës) që është aq i përhapur e me gjithë ato variante, nuk mund të jetë krijim i vonë, sepse ne të nuk shquhet asnjë element libresk, përveç frymës realiste dhe tipareve thjesht popullore. Nevojitej një kohë pak a shumë e gjatë për t’u krijuar variantet e ndryshme që dëshmojnë për vitalitetin e kësaj kënge të përhapur kryesisht nëpër të ashtuquajturën krahinë të Skënderbeut e që të kujtojnë ata filizat që dalin rreth trungut të ndonjë pemë shumëshekullore Duke krahasuar disa motërzime të këngës kushtuar kryeheroit të qëmtuara në vise të ndryshme, vërejmë se kanë pak a shumë të njëjtën brendi që shtjellohet me të njëjtën mënyrë, me të njëjtin stil me formula të gatshme, me disa fjalë, fraza e figura të ngjashme që na çojnë drejt një burimi popullor të përbashkët. Rasti i ndonjë kënge popullore të vetmuar, për të cilën nuk janë gjetur variante, mund të kundrohet porsi fletë e shkëputur e ndonjë libri të humbur, meqë, mjerisht, kur nisi të mblidhej folklori ynë, fletët e tjera i patën marrë pleqtë me vete… Folkloristët tanë gëzohen me të drejtë sa herë që zbulohet ndonjë motiv i rrallë e i panjohur…

Së fundi Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk është mit, nuk është idhull, Ai ishte atdhedashës i madh, që bëri detyrën ndaj mëmëdheut në kushte të përcaktuara të historisë, frymëzim dhe nder për të gjithë ata që janë dhe ndjehen shqiptarë, hero kombëtar i patjetërsueshëm me përmasa ndërkombëtare, të cilin, krenarisht etnologjia dhe folklori shqiptar do ta ketë të pafshirë kurrë nga kujtesa kolektive në gjinitë, llojet e nënllojet përkatëse, me harmoninë e duhur të funksionit etnointregrues dhe etnoveçues.