Shoqëria dhe turbulencat e çorientimit etik…

1834
Sigal

Gëzim TUSHI

Paradoks: Nga moraliteti banal në banalitetin amoral…

Padyshim që kalimi në shoqërinë e lirë të organizuar sipas paradigmave morale të jetës postmoderne, nuk mund të kalonte pa sjellë shqetësime të gjëra sociale dhe turbulenca etike marramendëse në jetën e përditshme të njerëzve tanë. Fenomenet që po shoqërojnë jetën janë të tilla që e kanë çoroditur njeriun, i cili ndodhet përballë një situate dilematike. Kalimi nga shoqëria e dikurshme në të cilën pothuaj gjithçka ishte e ndaluar apo e kufizuar nga korniza e ngushtë e moralit dogmatik komunist, në shoqërinë liberale, individualiste, postmoderne kur duket sikur njeriut i “lejohet gjithçka”. Në se të kaluarën kishte shumë parime e dogma të “shenjtëruara” ideologjikisht dhe etikisht, tani ato nuk ekzistojnë ose edhe në se ekzistojnë nuk kanë aftësi të funksionojnë në jetën etike të shoqërisë shqiptare. Unë besoj se kanë të drejtë sociologët të cilët duke dashur të karakterizojnë dhe tipizojnë etikisht këtë shoqëri, e quajnë atë “shoqëri pa besime të mëdha, ndalesa e pengesa”. Nga shoqëria e vjetër me sterilitet etik fals, kemi kaluar në shoqërinë që e pranon “mëkatin etik” dhe njeriun mëkatar si gjë normale.

Në këto kushte ajo që na duhet është si të bëjmë që në jetën shoqërore njerëzit të kenë ide të vërteta dhe jo dogma për jetën. Sepse “manastiri moral” i kohës së kaluar është “shembur” përfundimisht dhe nga themelet. Në vend të shoqërisë me standarde morale të ngurta sot jetojmë në një shoqëri liberale, individualist me moral personal më shumë se social, të cilat dallohen për fleksibilitet të gjerë. Koha e moralit absolut ka vdekur. Por tani kemi përpara nesh shumë probleme të mëdha e të ndërlikuara për jetën sociale dhe funksionimin moral të shoqërisë. Në radhë të parë është problemi i përgjegjësisë etike të njeriut të lirë, që jeton në suazën e shoqërisë moderne. Unë besoj se për nga pesha sociale kjo temë duhet bërë “objekt i madh” i diskutimit shoqëror, publik, privat dhe akademik në shoqërinë tonë. Sepse ka një kaos në përcaktimin e bazave të saj. Përgjegjësia e njeriut nuk është vetëm problem i sjelljes dhe etikës empirike, por dhe çështje e mendimit modern sociologjik. Në se analizojmë këtë problem në shoqërinë tonë, në se vlerësojmë zgjerimin e “anomalisë sociale”, kaotikën e sjelljeve individuale duhet sinqerisht të pranojmë, se kemi shumë probleme, shformime dhe deformime të rënda në sjelljen e njeriut me “veten”, me “tjetrin” dhe me “shoqërinë”. Sepse duket sikur situatat kanë agravuar deri në nivelin kur duhet bërë pyetja” A ka vend për moral në se shoqëria shfaros dhe nëpërkëmb nevojën e ekzistencës së ndjenjës së “turpit” individual e social? Jemi në një moment delikat kur “mendjelehtësia etike” e shfaqur në shoqërinë e sotme shqiptare nuk po na lë të dallojmë kufirin etik midis të mirës dhe të keqes, njerëzores dhe çnjerëzores. Me fjalë të tjera, duke vlerësuar fenomenet që na shqetësojnë si shoqëri, duket sikur kemi kaluar nga aksiomat e ngurta e banale të shoqërisë së dikurshme drejt një situate të përgjithshme të “banalitetit amoral”. Një situatë e rëndë që nuk ka fare lidhje me parimet etike të jetës moderne, as me parametrat e krizës së natyrshme që po pëson etika dhe për pasojë edhe sjellja qytetare në vendet me demokraci të konsoliduar. A duhet të bëhemi të ndërgjegjshëm dhe të aftë të parashikojmë se cila do të jetë kurba etike e të ardhmes të sjelljes njerëzore të qytetarëve tanë? Mbi të gjitha çfarë duhet dhe mund të bëjmë për parandalimin e këtyre të “këqijave sociale” që po shtohen në jetën tonë?

 

“Kulti i vetes” dhe kriza e marrëdhënieve me të “tjerët”…

Në këto kushte shoqërisë tonë tashmë nuk i funksionon si duhet mekanizmi që e ndihmon njeriun që të bëhet “vetja”, që të shkëputet “uni” i tij, dhe të ballafaqohet në mënyrë normale me “tjetrin”. Pa diskutim që në kohën tonë është zgjeruar kultura që që e imponon individin që të synojë që të shfaqë veten në jetën shoqërore. Njeriu nuk është thjesht qenie biologjike, por qytetar që kërkon në çdo rast të jetë njëherësh individ por dhe subjekt social veprues në jetën e përbashkët dhe në marrëdhëniet me të tjerët. Ky është një moment i madh refleksiviteti, të cilin akoma nuk e kemi të rregulluar mirë dhe sipas standardeve moderne të qytetërimit kontemporan. Është arritje shumë e madhe sociale që sot në shoqërinë shqiptare janë larguar kushtet dhe pengesat që e detyronin njeriu të jetonte në shoqëri me “identitet të fshehur” individual. Gjërat tani kanë ndryshuar. Ka përfunduar etapa e “solidaritetit të detyrueshëm” e mekanik, por kemi nevojë urgjente të edukojmë tek njerëzit një lloj të “sjelljes kooperuese” me të tjerët për të pasur relacione sociale dhe lidhje humane të nevojshme. Këtë moment filozofi i shquar, Levinas e quan me të drejtë, “zbulim të socialitetit” sepse pikërisht kjo është “pika e takimit” të njeriut me tjetrin, të “unit” subjektiv me “tjetrin” objektiv, është baza e lidhjes sociale të domosdoshme. Këtë mënyrë të lidhjes së gjithanshme të njeriut me veten, me të tjerët dhe me shoqërinë, sociologët e quajnë “socialitet”. Ky është moment i rëndësishëm jetik, individual dhe social, në të cilën njeriu njeh më mirë veten dhe tjetrin. Njeriu së pari ndjen thirrjen nga “tjetri”, të cilin nga që është tjetër nuk mund ta asimilojë brenda vetes. Në këtë mënyrë njeriu bëhet i ndërgjegjshëm edhe për ekzistencën e subjektivitetit të tij, të ndarë nga tjetri. Në marrëdhënie me të tjerët njeriu njeh veten dhe të tjerët, bëhet i ndërgjegjshëm dhe vendos marrëdhënie me to. Nga ana tjetër kjo është thirrja që vjen nga “tjetri”, që nuk mund ta neglizhojmë pikërisht nga që jetojmë në shoqëri bashkë me të. Socialiteti, lidhja e njeriut me të tjerët është kushti social që bën të mundur që njeriu të kuptojë se është më “shumë se vetvetja, më tepër se subjektiviteti i tij”. Më qartë akoma socialiteti është aftësia e njeriut për të zbuluar, respektuar dhe për të vendosur lidhje me “tjetrin” që është jashtë tij. Problemi që është bërë i vështirë për kohën tonë është dalja e njeriut nga vetja dhe lidhja me të tjerët (socialiteti) nuk është ndjenjë voluntariste por nevojë e domosdoshme e njeriut që të jetojë si njeri. Pikërisht socialiteti është moment kur njeriu del nga vetvetja dhe takon tjetrin, është akoma më saktë moment i “zbulimit të tjetrit”, i cili “është më shumë se vetvetja” e një njeriu të veçuar, të mbyllur në vetvete. Sociologët kanë të drejtë kur flasin për dy “raporte të detyruara” të njeriut si qënie sociale i cili nuk ka rrugë tjetër veç të jetojë në socialitet me të tjerët, duke mbajtur në ekuilibër dy raporte themelore ekzistenciale, raportin e brendshëm me “veten” dhe raportin e jashtëm, me të “tjerët”. Në mes të këtyre raporteve është ndjenja humane e “socialitetit”, nevoja e natyrshme e njeriut për lidhjen e pashmangshme ekzistenciale të “unit” me “tjetrin”. Nuk është fjala as pretendimi për t’u marrë me fenomenologjinë e “lidhjes shoqërore” të njeriut me veten dhe të tjerët. Nuk është i lehtë zbulimi i këtij momenti në këtë shoqëri në të cilën jeton një njeri që gjithnjë e më shumë nuk ka të përcaktuar dimensionin personal dhe social. Problemi i mungesës së dimensionalitetit të shoqërisë moderne është një problem që duhet trajtuar më vete sepse edhe ajo ka komponentët dhe treguesit e vet. Ajo që duhet të sqarojmë këtu është se si mund ta përcaktojmë nga pikëpamja sociologjike dhe tipologjike “njeriun pa dimension”. Sipas mendimit tim, mungesa e dimensionalitetit të njeriut si dukuri është momenti i vështirë që tani po bëhet dukuri sociale, kur “njeriu nuk “gjen veten” dhe nuk kupton momentin kur nuk “përputhet me veten”. Një gjë që duket qartë në natyrën e njeriut të kohës tonë. Sociologët të ndodhur para ndryshimeve të mëdha të natyrës së njeriut modern, duke kuptuar kohën dhe ndryshimet e saj janë të detyruar të pranojnë se kanë ndryshuar dy kontekstet bazë, në të cilat shfaqet “uni” dhe “tjetri”, veçanërisht lidhjet ndërmjet tyre. Në kohën tonë nuk mund të flitet për këto raporte si në të kaluarën. Jetojmë në kohë të reja të “post-modernitetit”, apo “meta-modernitetit” dhe normalisht që kanë ndryshuar mënyrat e lidhjes së njeriut me të tjerët dhe forma e të jetuarit të tij në shoqëri. Në se në të kaluarën aftësia e njeriut për të jetuar në shoqëri (sociabiliteti) ishte i detyruar të zhvillohej brenda vlerave kolektive dhe interesave të përbashkëta sipas shprehive që krijonte tradita, kultura, zakonet, etj, tani jetojmë në një shoqëri tjetër dhe përballemi me “njeriun pa dimension”, i cili është i “huaj” jo vetëm për tjetrin por edhe për vetveten. Ndërkaq njeriu është dhe qenie me sociabilitet, domethënë e dëshiruar jo vetëm të mbajë lidhje personale me të tjerët (socialiteti), por ka gjithashtu dëshirë të jetojë i integruar në strukturat sociale të shoqërisë moderne (sociabiliteti). Por këtu duhet të jemi të qartë dhe të mos konfondojmë idetë e vjetra me ato moderne, siç ndodh shpesh në shoqërinë shqiptare. Sociabiliteti modern, prirja apo dëshira e njeriut për të qenë në shoqëri nuk duhet kuptuar si analoge me ndjenjën e vjetër të kolektivitetit primitiv, të shoqërisë holiste, dogmatike, unitariste, që ka sunduar për një gjysmë shekulli në Shqipëri. Ka realisht një problem të madh në shoqërinë tonë që ka të bëjë me ndërtimin e një raport të ri, të rregulluar mirë të njeriut si qenie sociale dhe sociabile. Ka ndryshuar koncepti i vjetër që imponon sociabilitetin e njeriut si përshtatje e detyruar me “vlerat kolektive” apo me konceptin e shëmtuar gjoja humanist të “interesit të përbashkët”, që e degjeneroi dhe shkatërroi moralisht shoqërinë tonë të vjetër, deri në përmasa më të neveritshme të mungesës së lirisë personale dhe identitetit individual të njeriut. Në këtë kontekst të këtyre kontradiktave të shoqërisë moderne, shpesh njeriut i duket vetja i huaj jo vetëm për veten por edhe për të tjerët. Tani është kohë e ndryshimit progresiv, suksesiv, të shpejtë, e tipologjisë së të gjithë bashkësive në të cilat njeriu ndërton “socialitetin” dhe “sociabilitetin” e tij të natyrshëm. Por kjo kërkon që të përgatisim qytetarë që kanë edhe ndjenjën e “vetëgjykimit” pse jo edhe të autokritikës ndaj vetes.