AKU ul stekën e gjobave për ndëshkimin e sigurisë ushqimore

52
Sigal

 

Siguria e produkteve që konsumojmë është një ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve shqiptarë, teksa në vitin 2019, AKU raporton 725 gjoba në total për shkelje të sigurisë ushqimore, ndërsa gjatë vitit 2022 numri total është 394 gjoba, me një rënie prej 45%.

 Siguria e produkteve që konsumojmë është një ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve shqiptarë, duke qenë se ndikon drejtpërsëdrejti në shëndet dhe cilësinë e jetesës. Por sa të sigurta janë ushqimet që tregtohen në vend dhe sa i respektojnë rregullat bizneset? Gjatë këtij sezoni veror, kur dhe abuzimet ndjeshëm janë më të larta për shkak të fluksit të turistëve dhe shtimit të konsumit, inspektorët e Autoritetit Kombëtar i Ushqimit ka qenë në terren për të filtruar produktet e pa sigurta dhe për të ndërhyrë tek subjektet në rast shkeljesh.

Kështu, sipas të dhënave zyrtare përgjatë kulmit të sezonit, në periudhën dy mujore 3 korrik-3 shtator 2023, janë kryer në total 18.636 inspektime në 12 qarqet e vendit në mbikqyrje të operatorëve të biznesit ushqimor të prodhimit, përpunimit, magazinimit dhe tregtimit. Gjatë kontrolleve të ushtruara në bizneset ushqimore, janë konstatuar shkelje të kërkesave ligjore, si tregtim të ushqimit të pasigurt, mungesë të kushteve higjieno-sanitare mungesë të përditësimit të sistemit të vetëkontrollit HAÇP etj.

Për këtë arsye, në dy muaj janë vendosur 139 masa administrative me gjobë, me vlerë 33.6 milionë lekë dhe janë paralajmëruar 1113 subjekte. Po ashtu, kur janë konstatuar problematika me produktet e tregtuara, janë marrë masa për bllokimin e tyre, shifër e cila arrin në 17.6 ton si dhe në raste të veçanta janë bërë dhe asgjësimet përkatëse. Nga ana tjetër, është ndërprerë aktiviteti për 10 subjekte për tregtim ushqimi të pasigurtë për konsum dhe kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare.

Siguria ushqimore 3 korrik-3 shtator 2023

Inspektime  18.636

Gjoba në nr  139

Gjoba në vlerë  33.6 mln lekë

Paralajmërime  1113

Bllokime të produkteve  17.6 ton

Ndërprerje aktiviteti  10

 

Më pak gjoba

 

Tregtimi jashtë standardeve nuk është një problem i izoluar vetëm te produktet e fshatit. Në një aksion të zhvilluar në korrik në Korçë dhe Gjirokastër, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, AKU, bllokoi një sasi prej 23 838 ton produkte bulmeti, të cilat tregtoheshin në mungesë të kushteve higjieno-sanitare dhe pa etiketë nga katër subjekte tregtare. Sasia e bllokuar përbëhej nga djathi i bardhë, djathi kaçkavall, gjiza dhe gjalpi, për të cilën AKU thotë se vendosi shtatë masa administrative me gjobë në vlerën e 900 mijë lekëve.

Një taks-forcë ndërinstitucionale për sigurinë ushqimore u ngrit gjithashtu gjatë periudhës 26 qershor – 18 gusht dhe kreu mbi 3 mijë inspektime në 12 qarqet e vendit. Sipas AKU, taks-forca konstatoi një seri shkeljesh ligjore, të tilla si tregtim i ushqimit të pasigurt, mungesë të kushteve higjieno-sanitare apo mungesë të përditësimit të sistemit të vetëkontrollit.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se pavarësisht problemeve të përsëritura, numri i gjobave të vendosura nga AKU është ulur nga viti në vit.

Në vitin 2019, AKU raporton 725 gjoba në total për shkelje të sigurisë ushqimore, ndërsa gjatë vitit 2022 numri total është 394 gjoba, me një rënie prej 45%. Problematikë tjetër është dhe vjelja e gjobave, pasi shumë subjekte i drejtohen gjykatës dhe një pjesë prej tyre i fitojnë gjyqet.