83 milionë euro shkojnë për reforma tek financat, por prishet rregulli fiskal dhe rriten detyrimet e prapambetura

210
Sigal

 

Donatorët dhe qeveria shqiptare po financojnë Strategjinë për Reformën në Menaxhimin e Financave Publike, për periudhën 2019-2022, e cila përcakton që kostoja gjithsej për zbatimin e aktiviteteve është 83 milionë euro nga të cilat 57,8 milionë euro do të mbulohen nga buxheti i shtetit dhe 25,6 milionë euro nga partnerët ndërkombëtarë për zhvillim.

Këto 83 milionë euro sipas, “Raportimit të Monitorimit të Strategjisë” kanë objektiv “të mundësojë një buxhet të mirëekuilibruar dhe të qëndrueshëm me raport të ulur të borxhit nëpërmjet menaxhimit më të fortë financiar dhe kontrollit, si dhe proceseve të auditimit, në mënyrë të atillë që zbatimi i buxhetit të jetë në përputhje me politikat e qeverisë”.

Ministria e Financave raportoi se vetëm gjatë vitit 2020 janë përdorur 11,2 milionë euro për projekte që duhet të forconin kapacitet kontrollit dhe të raportimit, zbatimit dhe hartimit të buxhetit, më qëllimin final moskrijimin e detyrimeve të prapambetura, reduktimin e borxhit publik dhe rritjen e transparencës etj. Por, siç shihet gjatë vitit 2021 janë përmbysur arritjet e synuara. Qeveria vendosi të thyejë rregullin fiskal të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit, reformë e cila alokoi miliona euro borxhe që do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Qeveria e rriti masën vjetore të deficitit, e për rrjedhojë borxhin duke shkelur, ndryshuar rregullin fiskal të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit në vitin 2016, sipas të cilit çdo vit borxhi publik vjen në ulje deri sa të arrijë poshtë kufirit 45% e PBB. Përfshirja e rregullit fiskal “borxh me ulje vit pas viti” në Ligjin e Menaxhimit Buxhetor pesë vite më parë, plotësoi standardin e kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Europian dhe donatorët që financuan strategjinë. Duke respektuar këtë normë, sipas planifikimit të Ministrisë së Financave në Kuadrin makroekonomik 2017, borxhi publik i vendit do të zbriste poshtë nivelit 60% në vitin 2020, për t’u ulur drejt normës së synuar 45% të PBB në vitin 2024. Lehtësimi nga barra e borxhit do t’i relaksonte qeveritë shqiptare nga efektet negative të krizave të papritura dhe nga ana tjetër, do të krijonte mundësitë për të realizuar investime të qëndrueshme cënuar stabilitetin fiskal.

Po tani, në vitin 2021, borxhi i publik i vendit do të jetë së paku 20 pikë përqindje më i lartë se planet në fillim të këtij pesëvjeçari kur nisi zbatimi i strategjisë.

Gjithashtu zbatimi i strategji nuk arriti të frenojë rritjen e detyrimeve të prapambetura.

Ministria e Financave raportoi se stoku i detyrimeve të prapambetura të qeverisë qendrore në 21 miliardë lekë (175 milionë) euro në fund të tetorit 2021.

Nga tetori i vitit 2020 detyrimet e prapambetura ( të cilat nuk përfshijnë detyrimet, që rrjedhin nga gjykatat ndërkombëtare) gati janë dyfishuar. Nga 12 miliardë që në tetor 2020 ato rriten në harkun kohor të një viti në 21 miliardë lekë. Në këtë shumë nuk janë të përfshira detyrimet që rrjedhin nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Kontrolli i Lartë i Shtetit në analizën për zbatimin e buxhetit 2020, të cilën e ka depozituar edhe në Kuvendin e Shqipërisë evidentoi se fatura reale që shteti shqiptar duhet të paguajë nga buxheti i shtetit për vendimet e gjykatave ndërkombëtare ka arritur 388 milionë euro në fund të vitit 2020. Së bashku dy kategoritë e detyrimeve të prapambetura përbëjnë një shumë prej 563 milionë eurosh, që nuk raportohet në llogaritë e borxhit publik. Gjatë vitit të kaluar (2021) cilësia e transparencës, si një nga objektivat kryesore të strategjisë, pësoi regres teksa institucionet buxhetore nuk publikuan raportet e monitorimit tre dhe katër mujore të buxhetit, teksa cilësia e raportimit ra në institucionet që kanë buxhet të madh në dispozicion.