5-fishohet importi i qumështit pluhur, u blenë 1500 ton me vlerë 3.3 mln euro

278
Sigal

Vendi ynë thuajse ka 5-fishuar importin e qumështit pluhur vitet e fundit. Referuar të dhënave të pasqyruara në studimin sektorial të hartuar nga Ministria e Bujqësisë dhe GIZ. Shifrat e importit të këtij produkti janë rritur në mënyrë progresive. Sipas studimit, qumështi pluhur përdoret për të prodhuar djathë si dhe mund të përdoret edhe për prodhimin e produkteve të freskëta të qumështit (p.sh. kos).
Por tregu ka pasur një luhatje lidhur me këtë produkt. Kështu, importet e qumështit pluhur ranë në mënyrë drastike ndërmjet viteve 2010 dhe 2014 , thuajse -70%; më vonë gjatë dekadës, industria e përpunimit të qumështit filloi të kualifikohej dhe zgjeronte prodhimin e saj, duke pasur nevojë për inpute në rritje dhe të besueshme, me pasojë rritjen e importeve të qumështit të lëngshëm dhe qumështit pluhur.
Në vitin 2017 importet tejkaluan nivelin e vitit 2010 dhe vazhduan të rriteshin. Në vitin 2019 importet e qumështit pluhur ishin 63% më të mëdha se në vitin 2010 dhe pesë herë më të mëdha se ato në 2014. Burimi kryesor i qumështit pluhur është Ukraina , e cila zuri 21% e totalit të importuar në 2019. Në total gjatë këtij viti janë importuar 1488 ton qumësht pluhur me vlerë rreth 3.3 milionë euro.
Nga ana tjetër ka pasur dhe një rritje të eksportit, e regjistruar në 36 ton në 2019-ën. Por duke qenë se Shqipëria nuk prodhon qumësht pluhur, sipas raportit, nuk është e qartë natyra e eksportit të kufizuar, por në rritje. Gjithashtu, në disa raste (2017 dhe 2018) çmimet e eksportit janë shumë më të larta se çmimet e importit. Të dhënat e eksportit ndoshta i referohen rieksportit në kuadër të një game më të gjerë produktesh.