Sigal

Njeriu që i do flamujt me gjithë shpirt

Fuat Memelli-Boston

Njohja me Jose Nesmachinovin, personazhin e këtij shkrimi, zuri fill rastësisht. Ai kishte ardhur nga Florida ku jeton, për të vizituar dy motrat e tij si dhe për të festuar tok me to ditën e Pavarësisë të Amerikës. Motrat, të cilat banojnë në pallat me mua, më njohën me vëllanë e tyre, i cili më la mbresa të veçanta. Dhe kjo, jo rastësisht. Nga profesioni është mekanik, por ka një kulturë të gjerë. Mbi të gjitha, është njeri patriot. Patriotizmin e ka në shpirt, ndaj i buron natyrshëm. Vetëm një herë e takova atë, por njeriu le gjurmët e tij edhe me një takim Kishte veshur një bluzë me simbolet e flamurit amerikan dhe një shqiponjë. Më pas, për të më treguar se ka ardhur i përgatitur për të festuar ditën e Pavarësisë së Amerikës, veshi një bluzë tjetër me germat USA. Biseda për flamujt, ishte epiqendra e bisedës sonë. Më tregoi një flamur të madh ku ishte stampuar flamuri amerikan dhe ai kanadez. Ishte hera e parë që shihja një flamur të tillë me simbole të dy vendeve. -Kush e ka bërë këtë? – e pyes unë. -Njerëzit e kanë bërë, thotë. Amerika dhe Kanadaja, kanë shumë gjëra të përbashkëta. Janë vende fqinjë, kanë gjuhë të njëjtë –anglishten, kanë tradita e zakone të njëjta, kanë një volum të madh tregtie midis tyre. Janë dy vende vëllezër. Ata që e kanë stampuar, i kanë pasur parasysh këto. Ky flamur më shkon shumë për shtat mua, pasi jam shtetas kanadezo-amerikan, thotë Joseja. Biseda jonë për flamujt, vazhdon. -E shihni këtë flamur kanadez? –më drejtohet mua. – Po , i thashë. Ai ka një histori më vete. Dhe nisi ta tregojë. – Para disa ditësh isha në Kanada. Shkoj shpesh aty, pasi kam jetuar 23 vjet. Isha duke ecur me makinë në Toronto, kur shoh në rrugë dy flamuj kanadezë. Ula shpejtësinë dhe u zgjata t’i marr. Dikush që ishte pas meje, bërtiti pasi pengova trafikun. Unë nuk u mërzita. I mora flamujt dhe vazhdova rrugën. Në pamje të parë duket një veprim i thjeshtë, por për mua është shumë i rëndësishëm. Si mund të lihen flamujt në rrugë?! Si mund të kalosh para tyre e të jesh indiferent?! Flamujt janë simbole të një vendi. Ata nuk i përkasin partive, i përkasin popujve. Me flamujt përpara, miliona njerëz në botë, kanë dhënë jetën në luftëra. Kanadanë e quaj atdheun tim të dytë. Jetova aty 23 vjet. Kisha  shtëpinë dhe biznesin tim. Aty u lindën dhe u rritën fëmijët e mi, prandaj ai flamur është i shtrenjtë për mua. Njërin nga dy flamujt që gjeta, ia dhashë vëllait, por kam edhe një. -Edhe unë kam lidhje me Toronton, i thashë. Një nga djemtë e mi jeton aty. Ka krijuar familjen e vet dhe ka një vajzë. Kam qenë aty disa herë,  vazhdova unë. – Me që edhe ti paske lidhje me Kanadanë, ky flamur të takon ty, tha Joseja. –Prit të bëj një foto para se të ma japësh, i thashë unë. -Dakort, u përgjigj dhe i bëra foton që shikoni. Tek shkrepja aparatin, pashë se u emocionua shumë dhe gati u përlot. Më shumë se fjalët e mija, flet fotoja e tij. Shiheni dhe do më besoni! Pastaj ma dha flamurin kanadez. Unë kisha në shtëpi tre flamuj: Atë shqiptar, amerikan dhe kanadez. M’u bënë dy kanadezë. Tani kam katër flamuj. Ata janë stolia e shtëpisë ku jetoj. Rrinë pranë njëri-tjetrit si shokë të ngushtë.

Për të njohur më mirë këtë njëri, i kërkova të më thotë diçka për jetën e familjes dhe të parëve të tij dhe ai më tregoi historinë, e cila është sa e vështirë, aq edhe e ngatërruar.

Të parët e tij kishin qenë me origjinë nga Ukraina. Para revolucionit të Tetorit, gjyshi i tij  dhe njerëzit e tjerë të afërt, ishin mbështetës të Carit dhe patën punuar për të. Revolucionarët që erdhën në fuqi pas përmbysjes së regjimit të Carit, i quajtën të padëshirueshëm dhe i kërkuan që familja e tyre dhe njerëzit e tjerë të afërt, të largoheshin nga Rusia. I çuan deri në Odesë dhe i thanë: “Shkoni ku të doni!”. Me një anije, pas një jave e ca udhëtimi, mbërritën në Uruguai. Ishin të huaj dhe pa asnjë ndihmë. Edhe gjuhën e këtij vendi nuk e dinin. Pasi i morën të dhënat përkatëse, i nisën diku në veri të vendit, kufi me Brazilin, te një vend që quhej “Orosko koloni”. Aty iu thanë të marrin tokë e të bëjnë shtëpi. Me mundime të mëdha, nisën  jetën nga e para. Me që përballë tyre ishte kufiri me Brazilin dhe kishte familje braziliane, babai i Joses njihet dhe martohet me një braziliane. Nga martesa e tyre, lindën katër fëmijë; dy djem e dy vajza. Joseja lindi në vitin 1952. Në vitin 1971, Joseja vendoset në Toronto të Kanadasë, ku lindën e u rritën edhe dy fëmijët e tij. Këtu ndenji 23 vjet dhe pastaj bashkë me familjen, shkoi në Florida, ku jeton edhe sot. Ja, kështu ka rrjedhur jeta e familjes dhe e këtij njeriu, që i do flamujt me gjithë shpirt.