Prezantuesja e famshme diagnostikohet me dy sëmundje të pashërueshme

30
Sigal

Prezantuesja amerikane Wendy Williams Hunter është diagnostikuar me afazi progresive dhe demencë frontotemporale (FTD). Ekipi i saj mjekësor ka zbuluar se Williams është diagnostikuar vitin e shkuar, por lajmi po bëhet i ditur për të “korrigjuar thashethemet e gabuara dhe të dhimbshme rreth shëndetit të saj”.

59-vjeçarja ka drejtuar emisionin e famshëm “Wendy Williams Show” për më shumë se një dekadë. Në vitin 2022 emisioni u ndërpre për shkak të problemeve shëndetësore që ajo po përballej.

Vetëm një ditë më parë, të afërm të prezantueses thanë për revistën People se Wendy është në një klinikë në një vend të panjohur dhe gjendja e saj ka përshkallëzuar.

“Siç fansat e Wendy-t e dinë, në të shkuarën ajo është treguar e hapur për problemet shëndetësore me sëmundjen Graves dhe Lymphedema si dhe sfida të tjera të lidhura me shëndetin”, thuhet në deklaratën e mjekëve. “Gjatë këtyre pak viteve, ka patur pyetje për aftësinë e saj të procesimit të informacionit dhe shumë njerëz kanë spekuluar për gjendjen e Wendy-t, sidomos kur asaj nuk i kujtoheshin fjalët, sillej çuditshëm dhe e kishte të vështirë të kuptonte transaksionet financiare”.
Ekipi shtoi se diagnoza e prezantueses është konfirmuar nga “një mori analizash mjekësore” vitin e shkuar.

Aphasia është një sindromë e sistemit nervor që prek aftësinë e komunikimit, pacientët kanë vështirësi për të shprehur mendimin dhe madje mund të humbasin aftësinë për të folur dhe për të shkruar.

FTD është çrregullim i pashërueshëm i trurit që shkaktohet nga dëmtimi në anën e djathtë të tij duke prekur të folurit dhe komunikimin. Me kohën, simptomat mund të përkeqësohen, por menaxhohen dhe nuk ka asnjë trajtim që parandalon ose ngadalëson përparimin e tyre.

Në deklaratë, thuhet se FTD ka shfaqur pengesa të dukshme, por Williams është ende e aftë që të bëjë vetë shumë gjëra.

Ylli i programit të famshëm mbush 60 vjeç në korrik. Ajo e nisi karrierën si DJ në radio. Me kohën, ajo ngriti emrin e saj  si drejtuese e “The Wendy Williams Show” nga viti 2008-2021. Stili i saj i prezantimit, batutat spontane dhe shpërthimet në transmetim janë bërë virale në internet.