Suplementi Pena Shqiptare/ Kosta Nake: Stinët e zogjve

72
Sigal

Stinët e zogjve

 Shpati i kodrës me fierishte veshur

mjegullën shtyn mbi sheshin që dremit.

Shkëmbi vezullues mbi liqen buzëqeshur

gjembat ndanë udhës me dritë i stërkit.

 

Gjithçka shfaqet për të humbur në qelq,

pas pak do të tretet grija në agim,

se vellon e turbullt qiellit ia heq

zogu që e mbush me cicërim.

 

Verës mes gjethesh iu desh që të heshtë,

por vjeshtës kënga e kujtimeve rinis…

Dimrit iu fsheh thëllimit të mprehtë,

Në pranverë dashurinë e mbjell në çdo lis.

 

 

Tokë e pafat

 

U lidhët me tokën si litarët në qerre,

komunikuat me të në mënyrën tuaj!

Kurse unë s’e ndjeva këtë frymë

shtrirë në gjuhën e heshtur.

 

Rruga drejt arave me grurë

aq e rrahur në ditët tuaja.

Nuk ka më kollovozë

dhe bari e ka mbuluar.

U përpoqët më kot t’i shtonit ngastrat!

Mes oh-eve tuaja kostoja nxirrte gjuhën

dhe rrugët e tregut u nxinë.

 

Ju shkuat të shihni kanalin ujitës,

dhe qeshët kur ju thashë: “U tha.”

Por i njoh një për një burimet,

braktisur njëlloj si shtëpitë.

Nga vështrimet tuaja të qeta

tash trishtimi si vesa pikon.

 

 

Zbrazëti

 

Vështroj përmes hijeve të natës,

po ç’e do që diçka nuk e di,

nga aroma e lules.

 

Kam shtrydhur mjaltin e piteve

aq të ëmbël dhe aromatik,

po etja ime u shua.

 

Në mëngjes

Pasi agimi dyert e safirëve hapi,

kërkova në dritën ngazëlluese delirin.

 

Lulja nuk e kënaqi zjarrin tim,

As mjalti i piteve vuajtjen time,

as lotët dhimbjen.

 

Më mungon diçka, nuk e di çfar’!

Jeta në zemrën time trokon,

dhe ëndrra bëhet iluzion.

 

Ku dhe si ta mbush këtë zbrazëti

që ndiej brenda meje,

si një kovë e shpuar në grykën e pusit?