Sigal

“Sekretet e Portokallisë”, programi që u referohet të fshehtave e të pathënave të spektaklit të humorit, ka zbuluar këtë të diel më shumë për prapaskenat e roleve të aktorëve, disa prej peripecive të tyre, si edhe sekrete të cilat publiku nuk i ka ditur.

Ledio Lako, Kapo apo Ramadani, dy prej roleve me të cilat e identifikojnë të gjithë, këtë të diel ka zbuluar edhe një sekret për emrin e tij, të cilin e paska zbuluar shumë vonë.

Ishte Salsano ai që fillimisht zbuloi se Ledio që njohim të gjithë nuk paska qenë emri me të cilin aktori është pagëzuar sapo ka lindur. Pasi Ori Nebijaj e pyeti ç’ishte kjo histori, Ledio rrëfeu: “Po, kur linda unë, ishte e diel dhe ma vuri babai emrin Ediel, por me theks francez, jo kështu siç e thua ti. Erdhi gjyshja dhe tha “në asnjë mënyrë këtë emër”. Dhe nga Ediel, e kthyen Ledio, Ledian”, – tha Ledio.

Por nuk mbaroi me kaq. Në të vërtetë, vetëm 19 vjeç, ai mësoi cili ishte emri i vërtetë i tij: “Në moshën 19-vjeçare e kam marrë vesh që unë e kisha emrin Ledian, se gjithmonë në dëftesë e kam pasur Ledio. Kur shkoj në gjendje civile, më duhej një certifikatë, dhe u preva. I thashë “ç’është ky emër Ledian?” Kështu e ke, më tha. Me zor e kam ndërruar, e kam bërë Ledio Lako pastaj.”

Ledio, Ledian apo edhe Ediel, për ne njëlloj do ishte apo jo? Aq kohë sa ne njohim Kapon, Ramadanin dhe shumë personazhe të tjerë që luan ai, çfarë do të ndryshonte nëse emri i tij nuk do ishte ai që dimë?