Vaksina e Johnson & Johnson, 66% efektive me 1 doze të vetme

211
Sigal

Vaksina kundër Covid-19 e zhvilluar nga Janssen është 66% efektive, bëri të ditur kompania belge në pronësi të Johnson & Johnson. Lajmi vjen menjëherë pasi Novavax deklaroi se vaksina e saj ishte 89% efektive. Të dyja do të duhet të shqyrtohen e miratohen nga rregullatorët para se të marrin autorizimin për përdorim.

Vaksina belge administrohet me një injeksion të vetëm, çka e bën më të volitshme se ato me dy injeksione. Megjithatë, Janssen po studion edhe mundësinë nëse injektimi i dy dozave e bën vaksinën më të fortë apo nëse imunizimi prej saj ka efekt më të gjatë.

Kompania bëri të ditur se fillimisht injektimi i një doze parandaloi 85% të rasteve të rënda.

Megjithatë, një pjesë e testimit në Afrikën e Jugut, ku po përhapet një version i ri i coronavirusit, zbuloi se ishte vetëm 57% efektive.

Dr. Paul Stoffels, shefi shkencor në Johnson & Johnson, tha se vaksina “do të mbronte potencialisht qindra miliona njerëz nga pasoja serioze dhe fatale të Covid-19″.

Kompania synon të prodhojë një miliard doza këtë vit. Vaksina Janssen përdor një virus të gripit të zakonshëm që është modifikuar për ta bërë të padëmshëm. Më pas ai mbart pjesë të kodit gjenetik të coronavirusit në trupin e njeriut. Kjo mjafton që trupi ta njohë rrezikun e të mësojë si ta luftojë coronavirusin. Kjo e stërvit sistemin imunitar të trupit të njeriut që të luftojë coronavirusin kur ndeshet me virusin real. Është e njëjta përqasje shkencore e përdorur nga Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca.