Të rinjtë me kancer në mushkëri/ Mjekët: Duhanpirja shton rrezikun për t’u prekur

45
Sigal

Nëse nuk do të pihej duhan të prekurit nga kanceri i mushkërive mund të   reduktoheshin me 90% ndërkohë e kundërta po ndodh. Kjo sipas mjekëve të cilët  ngrenë shqetësimin e shtimit të  sëmurëve dhe uljes së moshës së tyre. Në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë ka dhe pacientë që nuk i kanë mbushur të 40- tat.

“Është ulur mosha e personave me sëmundje tumorale në mushkëri. Më përpara ka qenë  45–50 vjeç, aktualisht kemi pacientë të moshave të reja nën 40 vjeç që janë në stade të avancuara të tretë apo të katërt. Ne kemi indikacione që duhanpirja tashmë fillon që nga mosha 11-vjeçare dhe është shumë probleme fillim në këto mosha pasi dhe mushkëritë janë më të reja dhe përthithja që i bëjnë kimikateve të tymit të duhanit është dhe më e madhe.  Ka statistika që një mungesë duhanpirje mund ta reduktojë kancerin e mushkërive me 90 % të rasteve.  Lënia e duhanit është guri i themelit dhe mbrojtja  më e mirë që mund ti bëjmë vetes nga kanceri i mushkërive.”, theksoi mjekja.

Duhanpirja është arsyeja kryesore sipas mjekëve, por jo e vetmja. Ndërkohë kanceri i mushkërive është shkaku i parë i humbjeve të jetës ndër sëmundjet tumorale ndërsa sipas Institutit të Shëndetit Publik rreth 800 raste të reja zbulohen në vend çdo vit.  Por cilat janë ato shenja që duhet të na ccojnë për konsultë tek specialisti?

“Një kollë e vazhdueshme,  e cila mund të jetë e shoqëruar me sputum ose jo për një periudhe më të gjatë se sa një muaj. Mund të jetë një temperaturë  jo e lartë për një kohë të gjatë që s’ka pasur përmirësim me atibiotikoterapi duhet të mendohet dhe nga mjekët e familjes të dërgohet te penumologu. 50 % ose 60% e këtyre pacientëve  vijnë në stadet e vona. Janë shumë  të  pakët ata që diagnostikohen në stadet e hershme  të parë dhe të dytë që ka trajtim më adekuat. Duke parë që tendenca e duhanpirjes është shtuar dhe tek seksi femër themi që  të dy këto  sekse janë të rrezikua në mënyrë të barabartë sa i përket duhanpirjes  pastaj ka dhe faktorë të tjerë. Prezenca e gazit radon në shtëpi, problemet e ndotjes atmosferike, produkte me përbërje azbesti dhe shpërbërje të hidrokarbureve, faktorët genetik.”, tha mjekja.

Mjekët apelojnë  për të  kërkuar ndihmën e tyre sa më parë. Kapja e sëmundjes në  stadet e para  do të rriste jetëgjatësinë dhe  cilësinë e jetës së pacientit.