Të flesh shumë në fundjavë, është e dëmshme

493
Studimi – Shkencëtarët që merren me problemet e gjumit të sponsorizuar nga Universiteti i Pittsburg-ut në SHBA, kanë konstatuar se gjumi që del jashtë shinave të ritmit normal javor, ndikon negativisht mbi shëndetin
Shumë e shfrytëzojnë fundjavën për të balancuar deficitin që regjistrojnë në gjumë përgjatë javës, në të cilën sigurisht se shumica e njerëzve punojnë. Mirëpo ka lajme të këqija për ata që flenë gjatë: të fjeturit për një kohë të gjatë në ditët e pushimeve, nuk është stimuluese për shëndetin.
Të flemë apo jo pra më gjatë në fundjavë sesa zakonisht, kjo është pyetja. Duket si një pyetje që nuk ka nevojë për përgjigje, një “aksiomë që nuk ka nevojë për vërtetim”, madje renditet ndër ato pyetje, përgjigjja ndaj së cilës duket se reflekton dakordësinë më të madhe ndër njerëzit, më shumë se çdo pyetje tjetër në çdo fushë apo jo?
Retorikë apo jo, të balancosh deficitin në gjumë të shkaktuar nga java që u mbyll dhe të ndihesh sërish në formë, është një sfidë e vërtetë. Kush beson se po i bën pra mirë shëndetit në këtë mënyrë, gabohet.
Studimi i amerikanëve
Kjo, pasi shkencëtarët që merren me problemet e gjumit të sponsorizuar nga Universiteti i Pittsburg-ut në SHBA, kanë konstatuar se gjumi që del jashtë shinave të ritmit normal javor, ndikon negativisht mbi shëndetin.
Rezultatet e studimit aktual janë publikuar në revistën e fushës përkatëse të shkencës së mjekësisë “Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism”. Në studim u morën në shqyrtim zakonet e të fjeturit të 447 vetëve, të cilët ishin pajisur me aparate speciale monitorimi të gjumit.
Në këtë mënyrë, mjekët regjistruan dhe analizuan ritmin e gjumit të të gjithë pjesëmarrësve në test. Sipas tij, rezultoi se 85 për qind e pjesëmarrësve dëshmonin një ritëm të ndryshëm gjumi në ditët e pushimeve.
Kolesterinë dhe insulinë e lartë
Nëpërmjet gjumit të parregullt, vlerat e kolesterinës ishin më të këqija dhe niveli i insulinës rritej – dhe kësisoj, bashkë me të, edhe rreziku për sëmundjet e zemrës e diabetit. Veç kësaj, njerëzit që flinin në mënyrë të parregullt, kishin tendencën të kishin një perimetër më të gjerë të belit, sipas studiuesve.
Sidomos punëtorët që punonin me turne, nëpërmjet këtyre porcioneve kohore të punës që u ndërroheshin në mënyrë permanente, duhej të përballeshin me këto pasoja.
Edhe sporti nuk mund të të mbrojë dot, sipas mjekëve e shkencëtarëve, nga pasojat negative të një gjumi të parregullt. Në studimet e mëvonshme, shkencëtarët pohojnë se do t’i forcojnë edhe më shumë pretendimet e tyre, bazuar në kërkimet që kanë bërë rishtas. Ngaqë pasojat për shëndetin në fakt janë të mëdha, kërkohet me urgjencë të ndërmerren reforma në lidhje me botën tonë profesionale, kushtet e punës, kohën apo turnet kur ajo ushtrohet, pasojat e të cilave janë sigurisht, të konsiderueshme për shëndetin e njeriut.
Pasojat e gjumit, të pamjaftueshëm
Ndërkaq, për pasojat e një gjumi të pamjaftueshëm është folur shumë dhe merret thuajse e mirëqenë se gjithkush është i ndërgjegjshëm për to, pasi gjumi është një ndër nevojat bazë të shëndetit të njeriut. Megjithëse mirëqenia ka shënuar rritje, në kulturën tonë, mungesa apo dhe “humbja” e gjumit është një problem madhor. Në vitin 1942, njerëzit flinin mesatarisht 8 orë gjatë natës, tani njerëzit flenë 6.8 orë, ndërsa koha ideale e të fjeturit thuhet se duhet të vërtitet tek 9 orët në ditë. Por nga studime të ndryshme, ky nivel është kundërshtuar, duke sjellë orare të tjera që e relativizojnë këtë normë. Me mungesën e gjumit vijnë edhe një listë rreziqesh që mund t’ju ndikojnë tepër negativisht në shëndet, ndër të cilat: irritimi i lëkurës apo i syve, dhembja e kokës, infeksionet, shtimi në peshë, shikimi i dobët, paaftësia për t’u përqendruar, humbja e kujtesës e madje deri dhe vdekja.
Sigal