Dr. Zekri Palushi: 25% e kancereve të gjoksit  nuk janë kancere!

181
Sigal

Nëpërmjet këtij shkrimi vetëreflektues, nuk kam ndërmend të diskutoj rreth kancereve të gjoksit në përgjithësi, por dëshiroj që të ndalohem pak, vetëm në Karcinomën Duktale In Situ, që megjithëse s’është kancer, klasifikohet si kancer, mjekohet si kancer, dhe përbën 25% të të gjitha rasteve të kancereve të gjoksit.

Karcinoma Duktale InSitu. (Ductal Carcinoma In SituDCIS), (që nganjëherë quhet edhe Intraductal Carcinoma), është një proliferim anormal, joinvaziv i qelizave epiteliale të kanalit të qumshtit.

Ndërsa, këta qeliza duken malinje, ata prap se prap gjenden vetëm brenda sistemit duktal, dhe prandaj quhen insitu.

Më poshë, për shkurtim, këtë diagnose, do ta përmendim vetëm me inicialet e saj, DCIS.

DCIS, si një diagnosë, ka filluar të vihet vetëm atëhere kur mamografia (mammography), hyri në mjetet e skrinimit të gjoksit, (Screening Mammography).

Skrinimi i gjoksit,  (Breast screening), rekomandohet tek të gjitha gratë e moshave 4074 vjeçare, si një mjet për kapjen e hershme të kancereve të gjoksit, para se të shfaqen shenjat e sëmundjes.
Kështu, në Australi, kësaj grupmoshe, i rrekomandohet që të bëjnë një mamografi, çdo dy vjet, dhe kjo është falas.

Në një rast me DCIS, mamografia tregon një zonë/grumbull, mikrokalcifikimi granular, në pamje heterogjen.

Megjithatë, duhet të kemi parasysh që mikrokalcifikimet janë gjetje jashtëzakonisht të shpeshta në gjinjë, dhe zakonisht s’marrin ndonjë rëndësi të veçantë.

Pra, sot që ky ekzaminim përdoret rregullisht për skrinimin e gjoksit, DCIS përbën qerekun (25%) e të gjitha rasteve të diagnostikuara me kancere gjoksi.

Kjo do të thotë se,  rreth 1.600 gra Australiane, 7.000 gra Angleze dhe 60.000 gra Amerikane, për ç’do vit u thuhet se kanë kancer gjoksi, kur në fakt nuk e kanë. Aq më keq, kur dihet se mamografia kap vetëm rreth 75% të rasteve me DCIS, që do të thotë se rreth 25% e grave të skrinuara, vazhdojnë jetën e tyre të gëzueshme, pa qenë në dijeni të një kanceri, që mund ta kenë.

Në fakt, 98% e grave të diagnostikuara me DCIS, rezultojnë të jenë shëndosh e mirë, edhe pas 10 vjetësh diagnostikimi, pa ju nënshtruar as edhe një mjekim të vetëm.

Ndërsa, vetëm rreth 1% e rasteve me DCIS, mund të zhvillojnë kancer gjoksi, por, edhe nëse po, format e këtij kanceri, janë parë të jenë të një grade shumë të ulta , dhe me një progresim shumë të avashtë, gjë që i bën lehtësisht të trajtueshëm.

Në ekzaminimin histopathologjike, shifet se në ata qeliza të indit të gjoksit që rrethojnë kanalin e qumështit, (duct) kanë filluar disa ndryshime jonormale, por në fakt, s’dihet me siguri nëse këta qeliza mund të shpërndahen apo të invadojnë indin e gjoksit.

Në klinikën time, kemi pasur disa pacjentë, të diagnostikuar me DCIS, por që fatkeqësisht janë trajtuar njësoj, sikur të kishin qenë diagnostikuar me kancer gjoksi.

Pra, një grup i posaçëm mjekësor, që bënte vlerësimet, kishte rekomanduar përafërsisht të njejtën strategji trajtimi,  ku përfshihen kemoterapia (chemotherapy), radiotherapy, mastectomy/heqja kirurgjikale e gjoksit, tamoxifen,  trajtime tepër të lodhëshme dhe me komplikacione jo të pakta,… përfshi këtu edhe uljen e tejskajshme të imunitetit.

Në një rast, u preferua edhe heqja kirurgjikale totale e të gjithë gjoksit, (full mastectomy), ndërkohë që do të kishte qenë shumë më e mirë që ne, si grup specialistësh të ndryshëm, të përfshirë në këtë vendim, të thelloheshim më tepër, dhe në bashkëpunim të ngushtë me të sëmurën të vendosej që trajtimi i kësaj diagnose, të mos bëhej si për një gjendje kanceroze.

Ndërkohë, trajtimi i DCIS, vashdon prap që të bazohet në klasifikimin e saj, si një gjendje kanceroze, kur në fakt, është vetëm një formë joinvazive, por që shpesh diagnoztikohet si kancer gjoksi, në stadin zero (stage 0).

Si shihet,  kjo diagnozë vazhdon të përfshijë fjalën tmerruese “kancer,” një fjalë që ngjall frikë dhe panik të menjëhershëm, si për pacjenten, ashtu dhe për doktorin, dhe pikërisht në këto rrethana, merret edhe vendimi më i pa llogjikshëm, deri në heqjen e plotë kirurgjikale të gjoksit, që edhe sot mbetet zgjedhja më e preferuar.

Si pasojë, nuk mjekohet e sëmura, por mjekohet klasifikimi diagnostik i saj, me pasoja të pariparueshme fizike, e psikollogjike.

Do të ishte tepër njerëzore, dhe një praktikë e mirë profesionale, që të uleshim rrafsh me një pacjente të tillë, për t’i shpjeguar me durim dhe me një gjuhë të thjeshtë, se ç’farë është kjo diagnozë (DCIS), pra t’ju shpjegohet se s’kanë kancer, e që ndoshta s’do ta kenë kurrë!

Po kështu, pacientja, familjarët e saj, së bashku me mjekun e familjes, duhet të diskutojnë edhe, me onkologjistët, për t’i pyetur ata se, pse disa prej onkologjistëve kanë tendencë për të ndjekur protokollin më agresiv të trajtimit, kur në të vërtetë, e dijnë shumë mirë se DCIS reprezanton një rrisk aq të vogël për jetën e të sëmurës?

Një lajm i mirë, dhe inkurajues në këtë drejtim është ai që, disa prej specialistëve më me influencë në fushën e onkologjisë botërore, kanë ndërmarrë një fushatë për t’i hequr kësaj diagnose fjalën “kancer”, duke propozuar pak a shumë termin korrekt, ‘’Çrregullime qelizore të vogla’’ (minor cell abnormality).

Nëse kjo fushatë do të jetë e suksesëshme, atëhere, kjo diagnose nuk do të tmerrojë më gratë, si më parë, e po kështu, edhe vetë onkologjistët do të ndryshonin perceptimin e këtij problemi, për të mos marrë vendime të nxituara, të mbështetura më së shumti në frikën se mos pacjentja mund t’i hedhë në gjygj, për pakujdesi.

Dr. Zekri Palushi, Australi 12 janar, 2023