Komiteti Shqiptar Helsinki : Hetimet për Sheshin po zvarriten
Vdekja në qeli e Enver Sheshit, si po fshehet hetimi, e vrau mafia e djegësave?
Sa herë që ndodh një humbje jete nën mbikqyrjen e autoriteteve shtetërore, është shteti që ka detyrimin për të provuar nuk ka qenë shteti fajtor me veprimet, apo mosveprimet e tij, që ka çuar në humbjen e jetës së personit
Hetimet në lidhje me vdekjen në qeli të Enver Sheshit, për ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e shtunë, kanë nisur nga ana e policisë gjyqësore. Deri më tani janë kryer veprimet paraprake, urdhëruar ekspertimi mjeko-ligjor dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës.
Në lidhje me rastin në fjalë është aktivizuar edhe Komiteti Shqiptar Helsinkit, organizatë që mbikqyr respektimin e të drejtave themelore të njeriut sipas konventës së ratifikuar nga Shqipëria. Kryetarja e Komitetit, Erinda Skëndaj tha në një intervistë në Breaking se e kanë pasur të vështirë të mësojnë detaje në lidhje me vdekjen e Enver Sheshit, duke shtuar se përfaqësuesve të Komitetit u është bërë ping-pong nga institucionet.
“Nuk kemi arritur të marrim informacionin e plotë, jo vetëm për këtë rast, por edhe për raste të ngjashme, kujtojmë rastin e Bilbil Hasanit në vitin 2020. Na është komunikuar se s’mund të na jepet informacion për shkak se prokuroria është duke kryer një hetim. Ky informacion është kontradiktor me të dhënat e tjera, pasi kur kemi shkuar te prokuroria për të marrë informacion, aty kemi mësuar që prokuroria nuk ka nisur as hetimet dhe s’ka as referim me kallëzim për rastin konkret”,- tha Skëndaj.“Sa herë që ndodh një humbje jete nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore, është shteti që ka detyrimin dhe barrën për të provuar se trajtimi i personit ka qenë i mirë dhe nuk ka qenë shteti fajtor me veprimet, apo mosveprimet e tij, që ka çuar në humbjen e jetës së personit”,- shtoi ajo.
Vdekja në paraburgim, 48 orë sorollatje
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar fshehjen që po i bëhet vrasjes së Enver Sheshit, në burg. Kreu i demokratëve, publikoi dhe një analizë me titull ‘Vdekja në paraburgim, 48 orë sorollatje’ që gazetari i njohur Lutfi Dervishi u bën qëndrimeve të autoriteteve zyrtare, pengesat e hapura nga ana e tyre për zbardhjen e fundit tragjik të Enver Sheshit, i cili kishte marrë përsipër të dëshmonte të vërtetën, vendim i cili i kushtoi atij jetën!
Para dy tre ditësh , kryetari demokrat, Sali Berisha, tha se ka dyshime të forta se vdekja e Enver Sheshit, i cili ishte arrestuar për aferën e djegësave, është organizuar nga mafia e inceneratorëve.”Vdekjet e dyshimta, eliminimet mafioze në burgjet e ferrit të Edi Ramës janë tashmë dukuri tragjike të zakonshme. Dje mediat njoftuan vdekjen e 59-vjeçarit Enver Sheshi, i arrestuar për skemë mashtrimi me TVSH në aferën e djegësave, ndërkohë që bosët e skemës Rama, Agaçi, Ahmetaj vazhdojnë vjedhjet me kompaninë e tyre të djegësave. Dyshime të forta kanë lindur për mbajtjen e tij në paraburgim. Sipas disa mesazheve, vdekja e tij është organizuar nga mafia e djegësave, mbasi dinte shumë për djegësat. Të tjerë pretendojnë se kishte vendosur të dëshmojë me hollësi për skemën e vjedhjes së parave në djegësin e Fierit dhe si u ndanë ato. Personalisht shtoj:-Së pari, shpreh ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të tyre të dashur.-Së dyti, i bëj thirrje Avokatit të Popullit të ndërmarrë me urgjencë hetimin lidhur me rrethanat dhe shkaqet e vdekjes të të ndjerit Enver Shehu dhe të shqyrtojë në çdo aspekt vdekjen e të ndjerit Sheshi në paraburgim. Duke dënuar dhe njëherë kushtet çnjerëzore në burgjet e Shqipërisë”,- tha Berisha.





















