Anila Kalleshi: Si të ruani linjat në ditët e festave, të Vitit të Ri!

753
Vite më parë ekzistonte një shprehje, që përdorej për njerëzit që kërkonin të dukeshin si të fuqishëm “mos më bëj si një person 100 kilogramësh”. As që mendohej se do të vinte dita kur në vendin tonë shëndeti i tepërt ose siç quhet ndryshe obeziteti, të shndërrohej në shqetësim dhe kërcënim për shqiptarët, pasi njerëzit e shëndoshë apo shumë të shëndoshë kanë qenë mjaft të rrallë. Pjesa më e madhe e njerëzve i përkisnin kategorisë së njerëzve me trup normal apo të dobët. Nuk janë të pakta rastet kur shëndoshja trupore ka qenë e lakmuar dhe madje quhej dhe tipar bukurie. Një fëmijë quhej i bukur, nëse ishte “buçko”, ndërsa një grua preferohej të ishte e mbushur dhe më forma të kolme.
Si mund të ulet pesha e tepërt?
Mjekimi më i mirë i obezitetit, peshës së tepërt, është parandalimi i saj që në fëmijëri. Katër vitet e para të jetës janë vendimtare në formimin e indit dhjamor e të zakoneve të ushqyerjes. Por në këtë fazë të fëmijërisë fatkeqësisht, të gjithë ne prindërit lakmojmë t’i kemi fëmijët sa më të shëndoshë. I ndjekim nga mbrapa për t’i ushqyer me zor, përpëlitemi me të gjitha mënyrat duke i ndenjur me orë të tëra nga mbrapa, në mënyrë që fëmija të ushqehet sa më shumë. E gjithë kjo luftë e përpjekje bëhet që fëmija të ketë ca faqe të kuqe e të jetë sa më “buçko”. Për t’ia arritur kësaj përpiqemi t’i ushqejmë sa më mirë duke u dhënë sa më shumë sheqerna, ëmbëlsira, çokollata, akullore, sheqerka, lëngje frutash etj. Dhe asnjë nuk përpiqet të kuptojë që padashur, fëmijëve u bëjmë një dëm pothuaj të pandreqshëm e që do t’u kushtojë shumë shtrenjtë gjatë gjithë jetës së tyre, pasi të jenë rritur e në mënyrë të veçantë pas moshës 40 vjeç. Një fëmijë i ushqyer në këtë mënyrë në të shumtën e rasteve bëhet obez, gjë që mund të shkaktojë shfaqjen e një sërë sëmundjesh, si diabetin, tensionin e lartë të gjakut, yndyrnat e larta etj., të cilat do t’i imponojnë fillimin e një diete shumë të varfër. Por ky individ, i mësuar tërë jetën me ushqime të mira, ëmbëlsira, brumëra, fruta, i mësuar me ushqimet që kanë shumë kalori, e ka shumë të vështirë tani t’i harrojë ato. Pikërisht kjo është arsyeja që mjekimi i obezitetit, ulja në peshë me anë të dietës, dështon në një numër të madh rastesh. Megjithatë, obeziteti nuk duhet quajtur absolutisht si një sëmundje e pashërueshme, por si diçka krejtësisht e mundshme dhe e sigurtë. Kalimi nga një njeri mbipeshë në një peshë normale nuk arrihet me ilaçe apo me kura speciale, por thjesht me vullnetin dhe bashkëpunimin e personit mbipeshë. Vullneti dhe bashkëpunimi në këtë rast janë çelësi i vetëm i suksesit. Është e vërtetë që në shumë persona obeze vullneti dhe bashkëpunimi mungojnë, por është po kaq e vërtetë që ato edhe mund të fitohen. Natyrisht, për të rikuperuar këtë dëm që është bërë vite me radhë nuk mjafton një ditë e vetme apo 1 javë sakrificë. Ata nuk janë kokrra që gëlltiten, nuk jepen me recetë, por arrihen me një punë serioze.
Personat obezë
Personat obezë, duhet të sqarohen për disa koncepte të gabuara, që shpesh ekzistojnë lidhur me shëndoshjen e tepërt të tyre. Mua personalisht më ka rastisur të dëgjoj shumë persona mbipeshë, që shëndeti i ka ardhur vetvetiu. Shpesh kam dëgjuar të më thonë:” unë dhe ujë po të pi, dhjamë më bëhet”, ose: “ unë mëngjes nuk ha fare, në darkë vetëm kos, bukë një kafshatë dhe përsëri shëndoshem ”, apo “unë ha shumë më pak nga ata të shtëpisë” etj. Disa njerëz mund të shëndoshen në një kohë mjaft të shkurtër dhe shumë më kollaj se të tjerët. Ky fenomen ndodh pasi metabolizmi i njerëzve ndryshon nga njëri person tek tjetri. Ka njerëz që shëndoshen më shpejt dhe njerëz që shëndoshen më me vështirësi. Ka njerëz që për të shtuar 1 kilogram në peshë u duhet të grumbullojnë rreth 9000 kalori të tepërta, por ka të tjerë që për të shtuar këtë kilogram u mjaftojnë vetëm 3000 kalori të tepërta. Sidoqoftë, një gjë është më se e qartë, në të dy rastet shtesa e peshës është bërë gjithmonë nga konsumimi i kalorive të tepërta. Pra, edhe ata njerëz që gjoja e kanë vështirë të shëndoshen, në qoftë se do të tentojnë të tejkalojnë kaloritë që ato marrin në krahasim me ato që organizmi tyre harxhon , natyrisht që do t’i shoqërojë shtimi i peshës trupore. 
Duhet thënë….
Duhet thënë që ata njerëz që e kanë shtimin e peshës më të lehtë, në mjaft raste procesin për të humbur peshën e marrë e kanë më të vështirë. Kështu p.sh. nëse një kilogram dhjamë është vënë nga konsumimi i 3000 kalorive të tepërta, për ta humbur këtë kilogram ata duhet të krijojnë një deficit prej 9000 kalorish. P.sh. nëse ky individ ha çdo ditë 500 kalori më tepër nga sa ka nevojë, brenda 6 ditësh ai do të shtojë një kilogram. Përkundrazi, për të humbur këtë kilogram, me një dietë prej 500 kalori më pak sesa nevoja ditore, atij do t’i duhen jo 6 por 10 ditë. Njerëzit sa më të dhjamosur e me peshë të tepërt që të jenë, aq më të madh e kanë oreksin, pra aq më të vështirë e kanë të durojnë të mbajnë dieta apo të mbajnë një regjim ushqimor. Dhjami bllokon veprimin e insulinës në trup, prandaj pankreasit i duhet të prodhojë sasira më të mëdha insuline që të mposhtë këtë rezistence. Insulina e tepërt krijon një ndjenjë urie të parezistueshme. Pra ,do të detyrohemi të hamë diçka pa tjetër dhe sa më tepër që të hamë, kuptohet që aq më shumë do të na rritet oreksi. Shpëtimi nga ky “kurth”, është vetëm dieta me sa më pak kalori dhe sa më pak sheqerna. Duket si çudi, por është e vërtetë që pikërisht atëherë kur filloni të hani më pak ushqim, pakësohet dhe ndjenja e urisë, pra ulet oreksi. Kjo është pasojë e uljes së sasisë së insulinës në gjak, pasojë e zbërthimit të dhjamit, i cili, duke u tretur, frenon oreksin.
Si kuptohet që sasia ushqimore, që ne kemi marrë është më e tepërt, se ajo që ne konsumojmë?
Për këtë ekziston një tregues i pagabueshëm. Ky tregues është peshimi i herëpashershëm. Në qoftë se pesha trupore vjen duke u shtuar, kuptohet që ushqimi që kemi konsumuar kohët e fundit në vlerë kalorike, është më i lartë se vlera e metabolizmit. Kjo do të thotë se në këtë moment, organizmi jonë po konsumon më shumë ushqim se ajo çfarë organizmi vërtet ka nevojë. Nëse pesha rri në vend, pra nuk ndryshon, kjo tregon që sasia ushqimore që po futet në organizmin tonë është e barabartë me nevojat e organizmit. Obezëve u rekomandohet rënia në peshë, si rrugë e vetme e mbrojtjes ndaj obezitetit dhe diabetit, që janë dy vrasësit më të rrezikshëm. Vendimi për të luftuar kundër tyre duhet të merret nga vetë personi obez. Kilet e tepërta humbasin jo me ilaçe apo kokrra “magjike”, por me një regjim të gjatë ushqimor. Që t’i hyjë seriozisht regjimit ushqimor për të rënë në peshë, në fillim personi mbipeshë duhet të njohë rreziqet e obezitetit, dhe më pas të arrijë të bindet për mundësinë e realizimit dhe të suksesit të një diete të tillë. Shumica e njerëzve obezë shëndetin e tepërt nuk e quajnë sëmundje, prandaj dhe nuk e kuptojnë pse dhe si mund të mbahet një dietë me ushqim kaq të kufizuar. Për fat të keq personat obezë të cilët nuk duan t’ia dinë për kilet e tepërta,përpara kënaqësisë pafund që marrin nga ushqimi , bëhen realistë vetëm në sallat e reanimacionit, pasi kanë pësuar infarkt të miokardit, trombozë cerebrale etj. Pikërisht aty, shumë prej tyre vendosin të ulin në peshë, të lënë duhanin, të mjekojnë seriozisht diabetin etj. Pak si vonë, megjithatë më mirë vonë se kurrë. Është në dorën e vetë personave obezë të zgjedhin dhe të vendosin. Nëse dietën për të rënë në peshë nuk arrijnë ta mbajnë, por mbështeten tek receta e mjekut për ilaçet e diabetit, atëherë e vërteta është se ilaçe të tilla nuk kanë asnjë vlerë, pasi meqenëse dhjami i tepërt nuk është zhdukur nga trupi, ato s’kanë asnjë efekt. 
Mbipesha
Gjatë dekadave të fundit, mbipesha pothuajse ka pushtuar gjithë globin. Më shumë se 1 miliard njerëz në botë janë sot me mbipeshë trupore, nga të cilët 300 milion i përkasin kategorisë obezë të gradës së dytë ose të dhjamosur rëndë. Kjo shifër bëhet akoma më alarmante, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët. Nga viti 1970 numri i të rinjve dhe fëmijëve obezë në Evropë është rritur 10 herë. Obeziteti përbën tashmë epideminë më të re, që po pushton gjithë planetin, ndaj me të drejtë quhet GLOBEZITET. Paradoksi i obezitetit për një vend si vendi ynë që historikisht ka vuajtur nga nënushqyerja dhe uria, lidhet me faktin që varfëria është ekzistente dhe në ditët e sotme, edhe pse jo shumë larg jetës luksoze, makinave të tipit të fundit,vilave ekstra të shtrenjta, jetës mondane që bën një pjesë e caktuar e shoqërisë. Mangësitë, njëanshmëria dhe vështirësitë e sigurimit të ushqimit hasen ende sot gjerësisht tek shqiptarët. Në vitin 2003 në vendin tonë 37.3 % e njerëzve vuanin nga pamjaftueshmëria ushqimore kronike prej të cilëve 17.3 % cilësoheshin në gradë të rëndë.
Në mënyrë që të jeni në gjendje që të mbani një dietë të shëndetshme dhe afatgjatë duhet 
të: • Zbrisni nga pesha ngadalë dhe të mbani peshën e re në vend që ta shtosh dhe ta ulësh peshën shumë shpesh.
• Mendon se është e mirë dhe argëtuese të ndiqni dietën e re. Ajo nuk duhet të jetë një mundim, sepse është rrezik i madh që ju mund bëni rikthim në ushqimin e pashëndetshëm.
• Të ndiheni të ngopur dhe të kënaqur gjithë ditën, në vend të urisë së madhe.
• Të ndiheni i lumtur, në vend që të ndiheni i inatosur dhe i lodhur. 
•Të kuptoni se shprehitë tuaja të reja të ushqimit pranohen nga familja dhe miqtë, në vend që të konsiderohen si të mërzitshme ose të jashtëzakonshme.
Rezultati për t`u arritur një dietë, është humbja e peshës në mënyrë të kujdesshme. Kjo ndodh pasi sa më shumë luhatje në peshës të kesh me kalimin e kohës, aq më e vështirë do të jetë për të hequr dorë, duke u kthyer në një problem kronik. Gjëndra tiroide është një shkaktare që ndikon në shtimin e peshës si dhe në çrregullimin e metabolizmit. Ekziston trajtim me levaxin ( Levotyroxin), gjë që ndikon në normalizimin e metabolizmit. Peshën që keni humbur brenda 5 muajve, është pak e shpejtë, por mundet që është si rezultat i përdorimit të ilaçeve. Që jeni aktivë është një plus shumë i madh për ju, si për peshën tuaj, ashtu edhe për tensionin e gjakut dhe me shëndetin në përgjithësi. Provoni të bëni sa më shumë not dhe aerobi në palestër, ku do t’i përdorni të gjithë muskujt dhe nuk do t’i mundoni kyçet e trupit.
Sigal