A duhen dezinfektuar ushqimet dhe disa këshilla për blerje të sigurta

802
Sigal

Mendohet se koronavirusi përhapet kryesisht përmes kontaktit person me person, por gjithashtu mund të jetojë në sipërfaqe të ndryshme, përfshirë këtu edhe paketimet e ushqimeve, për disa ditë. Ndërsa disa video dhe artikuj po inkurajojnë njerëzit të dezinfektojnë ushqimet, postën dhe pakot e tjera që hyjnë në shtëpi, ekspertët thonë se kjo është “ndoshta e tepërt”.

Lexoni disa sugjerime nga ekspertët që të kufizoni ekspozimin ndaj virusit sa më shumë që të jetë e mundur.

Kufizoni daljet dhe shkoni në kohën kur dyqanet janë më pak të mbushura

Ekspertët këshillojnë që të dilni për ushqime vetëm një herë në dy javë, nëse është e mundur.
Nëse mundeni, planifikoni të mos blini gjatë orareve të pikut. Mbani një distancë prej të paktën 2 metra nga blerësit e tjerë.

Bëni listën e ushqimeve që ju nevojiten para se të shkoni, për të minimizuar kohën në supermarket.

Pastroni duart dhe dezinfektoni karrocën

“Sapo të shkoni në market, përdorni dezinfektues për duart dhe prekni vetëm ato që duhet të prekni. Pastroni dorezat e karrocës apo koshit dhe më pas përdorni përsëri dezinfektuesin e duarve”, thotë Elizabeth Eckstrom, profesoreshë dhe shefe e geriatrisë në Universitetin e Shëndetit dhe Shkencës në Oregon.

Blerësit gjithashtu duhet të shmangin prekjen e telefonave ose t’i fshijnë ato pas ndonjë ndotjeje të mundshme, tha Julia Marcus, një epidemiologe e sëmundjeve infektive dhe profesoreshë në departamentin e mjekësisë në Harvard. Dorezat nuk janë të nevojshme, tha ajo.

“Në përgjithësi kur përdorim doreza jashtë ambientit të kujdesit shëndetësor, ato kanë tendencë të bëhen si një lëkurë e dytë. Ne përfundojmë të prekim fytyrën dhe duke i pasur veshur fillojmë të neglizhojmë rrezikun. Por, dorashkat kontaminohen dhe bëhen një sipërfaqe më e mirë edhe se lëkura që virusi të qëndrojë”, tha ajo.
Nuk është e nevojshme të dezinfektoni paketimet e ushqimeve.

Ndërsa koronavirusi nuk mendohet të jetë i transmetueshëm përmes ushqimit, ai mund të jetojë për disa ditë në materiale të përdorura për paketimin e ushqimit. Hulumtimet paraprake tregojnë se mund të mbijetojë në karton për 24 orë dhe në plastikë për 72 orë. Por sasia e virusit gjithashtu zvogëlohet gjatë kësaj kohe.

Qendrat e SHBA për Kontrollin e Sëmundjeve aktualisht nuk rekomandon dezinfektimin e paketimeve. Në vend të kësaj, thotë Marcus, blerësit duhet të lajnë duart mirë pasi të prekin sende që mund të jenë prekur nga të tjerët.

“Nuk ka asnjë provë që transmetimi po ndodh përmes paketimit të ushqimit. Thënë kjo, ne e dimë që virusi mund të mbetet në sipërfaqe për orë të tëra, madje edhe për ditë, kështu që ekziston një rrezik hipotetik i transmetimit përmes prekjes së një sipërfaqeje të kontaminuar dhe më pas prekjes së syve, hundës ose gojës”, thotë Marcus.
“Më mirë sesa dezinfektimi, gjëja për të cilën vazhdojmë të themi është thjesht, lani duart”.

Ekspertët e sigurisë ushqimore gjithashtu thonë se prodhimet duhet të lahen vetëm me ujë dhe jo sapun.

Mos shkoni në dyqan, apo ndonjë hapësirë publike, nëse keni qenë të ekspozuar ndaj koronavirusit ose po përjetoni simptoma

Njerëzit mendohet se janë më ngjitës kur shfaqin simptoma. Por virusi gjithashtu mund të përhapet nga njerëzit që nuk kanë ende simptoma.

Nëse jeni 60 vjeç ose keni një sistem imunitar të dobët, sigurohuni që ushqimet t’ju vijnë në shtëpi
Statistikat e hershme tregojnë se sa më i moshuar të jeni, aq më shumë ka të ngjarë që të sëmureni rëndë ose të vdisni nëse prekeni nga koronavirusi, thotë Eckstrom. CDC konstaton se shkalla e vdekjes për personat 65 – 84 vjeç është 3% – 11%, dhe shkalla e vdekjes për personat mbi 85 vjeç është 10% – 27%.
“Mosha është e rëndësishme”, thotë Eckstrom.

“Dhe nëse keni sëmundje kronike, atëherë do të duhet të jeni shumë më të kujdesshëm.”

Kërkojini personit që sjell ushqimet t’i lërë ato te dera. Pastroni çdo sipërfaqe të çantave dhe lani duart pasi të vendosni ushqimet nëpër vende. Ekspertët gjithashtu këshillojnë të pastroni shpesh sipërfaqet që prekni më shumë, si dorezat e dyerve dhe çelësat e dritave. /The Guardian