Zv/Presidenti i PPE: Rama të presë Venecian

305
Sigal

Andrey Kovatchev, Zëvendës president i Partive Popullore Europiane në PE, i ka bërë thirrje kreut të qeverisë shqiptare, Edi Rama që të presë vendimin e Komisionit të Venecias, para së të votojë dekretin e kreut të shtetit për ndryshimet në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor.

Në një reagim në  Twitter, Andrey Kovatchev thotë se është dakord me qëndrimin e Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

“Unë mbështes qëndrimin e Komisionerit Oliver Varhelyi! Kodi Zgjedhor duhet të jetë në çdo rast, në përputhje me mendimin e Komisionit të Venecias, pasi do të ishte në favor të demokracisë në  Shqipëri. Unë i bëj thirrje Kryeministrit Rama dhe Kuvendit të Shqipërisë që ta respektojnë këtë”,- shkruan Andrey Kovatchev.

Më herët, Eurodeputeti David Lega i ka bërë thirrje Ramës të presë opinionin e Komisionit të Venecias për kërkesën e Metës për Kodin Zgjedhor. “Pajtohem me Komisionerin Oliver Varhelyi. Parlamenti dhe Kryeministri Rama duhet të presin për opinionin e Komisionit të Venecias, që do të ishte qasje demokratike. Zgjedhje të lira dhe të drejta në prill 2021 Shqipëri”,- shkruan David Lega në një postim në Twitter.

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi, i bëri thirrje Edi Ramës që të presë vendimin e Komisionit të Venecias për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, i cili u vu në lëvizje pikërisht nga Kreu i Shtetit i cili iu drejtua me 8 pyetje për draftin e njëanshëm të PS-së për reformën zgjedhore. “Unë besoj se Komisioni i Venecias do të sigurojë këshilla të shpejta për palët e interesuara shqiptare mbi zbatimin e Ndryshimeve Kushtetuese të 30 korrikut. Parlamenti duhet të marrë në konsideratë pritjen e rivotimit për të marrë parasysh këtë këshillë. Shikoni në zgjedhjet e lira dhe të ndershme në prill 2021”, shprehet në mesazhin e tij drejtuar mazhorancës dhe kryetarit të saj të përcjellë përmes rrjeteve sociale, Komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi.