Zoti Rama, jeni shpresa e fundit për projektin që bashkon Labërinë

485
Sigal

70 shoqata të fshatrave të Labërisë i drejtohen Kryeministrit  për të mbështetur projektin për  Rrugën e Luginës së Vlorës

U bënë disa vite që ka filluar projekti i ndërtimit të Rrugës të Luginës së Vlorës, e cila do të bashkojë fshatrat e zonës së Lumit të Vlorës, që ndonëse jetojnë një popullsi shumë e madhe, mbetet e izoluar, nga më të varfrat, pikërisht për shkak të një infrastrukture rrugore të keqe. Duke qenë se Kryeministri Rama është deputet i Qarkut të Vlorës, por te  shumë  është krijuar se, Rama ka në vëmendje zonën e Bregut, dhe ka “harruar” Labërinë, 70 shoqata të fshatrave të Labërisë i drejtohen nëpërmjet një letre publike Kryeministrit, që të ndihmojë në zbatimin e projektit për të ndërtuar Rrugën e Luginës së Vlorës, e cila do të hapë një jetë të re, plot shpresë për gjitha fshatrat e Labërisë.

Shoqata kulturore atdhetare “Labëria”, e shtrirë organizativisht dhe me veprimtari në gjithë krahinën e Labërisë dhe qendrat e banuara në Shqipëri, ku ka komunitete labe si dhe shoqatat simotra të trevës e fshatrave të Labërisë: “Mesapliku”, “Cmokthina”, “Bashaj”, “Velça”, “Vëllazërimi kuçiot”, “Bolena”, “Maro Kondi”, “Tërbaçi”, “Vranishti”, “Dukati”, “Tragjasi”, “Lopësi”, “Nivica”, “Luzati”, “Kolonja”, “Golemi”, me anën e kësaj letre ju parashtrojmë:

1. Urimet më të përzemërta në fitoren e së Majtës dhe të programit të saj të “Rilindjes” të ideuar, shtruar e mbrojtur prej Jush. Ne, si komunitet lab, brenda trevës së Labërisë e jashtë saj, në tërësi kemi mbështetur fuqishëm këtë program në fushatën elektorale e votimet e 23 Qershorit me bindjen se Programi i Rilindjes do të sjellë Rilindjen e vërtetë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të trevës tonë të Labërisë, trevë aq kontribuuese në çështjen e madhe kombëtare, por fatkeqësisht e paradoksalisht po aq e lënë thuajse plotësisht në harresë nga qeveritë e kaluara në këto dy dhjetëvjeçarët e fundit. Kjo ka bërë që, për një jetë më të mirë e të merituar, disa fshatra të shpopullohen tërësisht, masivisht e të tjera pjesërisht.  Jemi shpirt e besimplotë se programi Juaj ambicioz të cilin e keni shpalosur fuqishëm e bindshëm në takimet tuaja edhe në krahinën e Labërisë e posaçërisht në Luginën e Lumit të Vlorës, në saje të vullnetit Tuaj e në zgjidhje të halleve e nevojave të krahinës tonë, ka hapur shpresat te gjithë komuniteti lab se do të bëhet realitet.

2. Duke shprehur këtë bindje, nëpërmjet kësaj letre sjellim në vëmendjen Tuaj, i nderuar Kryeministër, projektin për Rrugën e Luginës së Vlorës si pjesë e Programit të qeverisë socialiste, projekt sa i domosdoshëm e jetik për këtë krahinë aq edhe i mundshëm për t’u realizuar nga qeveritarë që i përkushtohen me shpirt këtij vendi. Kjo rrugë, së bashku  me rrugën e Bregut, përbëjnë “Unazën turistike të rrethit të Vlorës” e madje më gjerë, “mushkëritë” e frymëmarrjes jetëdhënëse për këtë krahinë, duke kontribuar drejtpërsëdrejti e në mënyrë të gjithanshme:

* Në përmirësimin e kushteve të jetesës të mbi 50.000 banorëve të 70 fshatrave të Luginës, të organizuar në 9 komuna e bashki.

* Në zgjerimin e hapësirës turistike Bregdet-Mal në gjithë trevën e Labërisë si një burim i pashtershëm e afatgjatë të ardhurash për banorët e vendit, duke kthyer aty shpresën për të jetuar me standarde bashkëkohore e për të ndaluar bjerrjen e popullsisë e sidomos duke kthyer besimin e ripopullimit të saj.

* Krijimin së afërmi të kushteve më optimale për riorganizimin e pritshëm të pushtetit vendor në Luginë e hapësirat malore në të dy anët e saj.

3. Jemi të ndërgjegjshme për vështirësitë e mëdha financiare me të cilat ndeshet sot qeveria Juaj. z. Edi Rama. Ju, edhe si deputet jo vetëm i Vlorës, por edhe i gjithë Labërisë, i njihni mirë hallet e krahinës. Ndaj jemi të bindur në përcaktimin e saktë të përparësive të qeverisjes Tuaj edhe për krahinën tonë dhe Ju shprehim kërkesën që projekti i kësaj rruge të mbetet në angazhimet tuaja për ta përfshirë në Projektbuxhetin e vitit 2014 që pritet së shpejti të paraqitet në Kuvendin e Shqipërisë. Me ndjenjën e mirëkuptimit e të respektit të thellë për Ju personalisht dhe misionin Tuaj për Rilindjen e Shqipërisë dhe bashkë me të, në emër të shoqatës “Labëria” dhe të shoqatave simotra të fshatrave e krahinave përbërëse të Labërisë, Ju përcjellim edhe urimin për arritjen e objektivave Tuaja madhore.

Sekretari i Përgjithshëm i SHKA “Labëria”       Kryetari i SHKA “Labëria”

                       Xhemil Çeli                                           Prof. Dr. Ago Nezha