Të enjten Flora Hajredinaj u zgjodh që të jetë gjyqtarja e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila do të vendos mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për nisjen e gjykimit ndaj Kryebashkiakut të Rrogozhinës Edison Memolla dhe 3 personave të tjerë. SPAK e akuzon kryebashkiakun e Rrogozhinës për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Seanca do të zhvillohet më datë 15 nëntor në orën 09:30 në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Më herët prokuroria përfundoi hetimet dhe kërkoi dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.57 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve: Edison Memolla me detyrë Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, Ndriçim Tafxhafa, Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku. Sipas SPAK, Memolla në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, ndikon tek i pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, si dhe komunikon me të pandehurin Blerim Xhamani, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës. I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati të caktuar në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvilloheshin në Rrogozhinë në datën 6 mars 2022. Gjithashtu të pandehurit Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor.






















