Zgjedhjet vendore/ Lojërat politike me kandidatët për kryebashkiakë. PD-LSI drejt bojkotit, PS dorëzon emrat e anëtarëve në KZAZ

488
Sigal

PD dhe LSI nuk pranojnë të çojnë anëtarë në KZAZ, duke paralajmëruar bojkotin e zgjedhjeve vendore

Lojërat politike me kandidatët për kryebashkiakë, do shpallen në limitet e fundit

Dje mbaroi edhe afati i fundit ku partitë politike parlamentare duhet të jepnin në KQZ emrat e përfaqësuesve të tyre në KZAZ. Vetëm PS-ja i ka dhënë listat me përfaqësuesit e saj, ndërsa PD dhe LSI nuk kanë dhënë asnjë emër. PD dhe LSI nuk pranojnë të rikthehen në asnjë veprimtari politike, nëse nuk shpërndahet ky parlament dhe shpallen zgjedhje parlamentare të përkohshme. Ende, zyrtarisht Opozita nuk e ka deklaruar qëndrimin e saj, nëse do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore, ngaqë i ushtron presion kryeministrit, që të shpërndajë parlamentin dhe të bëjë edhe zgjedhje parlamentare.

Opozita drejt bojkotit të zgjedhjeve vendore

Brenda 13 majit partitë politike duhet të depozitojnë pranë KQZ-së emrat e kandidatëve për kryetar bashkie, së bashku me ato të listave shumë emërore për anëtarë të këshillave bashkiakë. Kur jemi afro dy muaj përpara afatit final të vendosur nga ana e KQZ-së, P-ja ka hedhur hapin e parë në përzgjedhjen e emrave, edhe pse jo final, me synimin për të përfshirë edhe partitë e tjera politike në këtë betejë të re elektorale, opozitën, e cila nuk ka dhënë akoma shenja për përgatitjen për zgjedhjet e reja lokale të 30 qershorit. PS do të mbajë Kongresin Elektoral më 23 mars. Në Kongres mësohet se janë ftuar edhe ish-drejtuesit e PS-së, si lideri historik i saj, Fatos Nano. Gjithashtu janë ftuar edhe ish-kryeministrat që kanë qenë në vite. Kongresi do të jetë i ndarë në tre sesione, që kanë bëjnë me diskutimet mbi qeverisjen, zgjedhjet lokale dhe shpalljen e alternativës së PS-së, ku e majta synon të fitojë ato bashki që kanë qenë tabu, si Shkodra apo dhe Kukësi. Tre shtyllat ku do të mbështeten diskutimet në kongres janë; shembujt e qeverisjes lokale, bashkëqeverisja dhe Pakti për Universitetin. Fillimisht u përfol se do të bëhej shpallja e të 61 kandidatëve për kryetar bashkie, por zhvillimet e fundit politike, kriza e krijuar nga dorëzimi i mandateve të deputetëve të opozitës, e kanë detyruar që të shtyjë shpalljen e 61 kandidaturave përfundimtare për kryetar bashkie. Ky vendim mund të lidhet edhe me faktin se PD-ja nuk ka bërë të qartë qëndrimin për pjesëmarrje në zgjedhje ose jo. Por gjithashtu shihet edhe si strategji për të mbajtur të fshehtë kandidatët në ato bashki ku synohet të dilet me emra të rinj, apo përbëjnë beteja të mëdha mes mazhorancës dhe opozitës. Por pavarësisht kësaj situate, sa i përket përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë bashkie apo dhe për deputetë, partitë politike kanë ndjekur strategjinë e lojës së minutës së fundit të shpalljes së listave, pasi kanë tentuar të evitojnë largimet e mundshme të personave që kanë mbetur jashtë listave drejt partive të tjera, si LSI apo dhe drejt PD-së.