Zgjedhjet e lira varen nga vullneti politik i partive, jo nga marrëveshjet e Reformës Zgjedhore

481
Sigal

Forumi në “Telegraf”/ Flasin: Prof. Dr. Kristaq Kume, Agron Duka, Nard Ndoka dhe Hysen Osmanaj: Duhet qeveri tranzitore, për besim në procesin zgjedhor

Jakup B. GJOÇA

Reforma  Zgjedhore, pas 4 vitesh maratonë, më në fund  u “kurorëzua” në rezidencën e ambasadores  Yuri Kim, mirëpo, pyetja kryesore është: Kjo marrëveshje e Reformës Zgjedhore, a do të garantojë votën e shqiptarëve nga manipulimi? Gazeta “Telegraf” ftoi në forum 2 ekspertë  të çështjeve zgjedhore, Prof. Dr. Kristaq Kume, ish kryetar i KQZ-së, Hysen Osmanaj, ish anëtar i KQZ-së dhe ish deputetët, Agron Duka, kryetari i PAA-së dhe Nard Ndoka, kryetari i PDK-së. Agron Duka  shpreh mendimin  se Reforma Zgjedhore nuk duhet parë e shkëputur nga 15 kushtet e BE-së ndaj Shqipërisë, prandaj edhe ambasadorët në Tiranë ushtruan presion të madh politik, ndërsa mazhoranca u detyrua të pranojë kushtet e opozitës. Nard Ndoka, thotë se “Opozita  fitoi standardet dhe garancitë maksimale për procesin e administrimit të votës dhe për garën  zgjedhore në tërësi. Mazhorancës aktuale, iu mbyllën disa shtigje, të cilat i kishte përdorur për blerjen dhe manipulimin e votave”.  Prof. Dr. Kristaq Kume, thekson se Me Reformën  Zgjedhore, kryetarët  komandojnë në mënyrë  autokratike, partitë e tyre”. Hysen Osmanaj, pohon se nuk është  administratë zgjedhore, që manipulon votat,  as sistemi zgjedhor nuk garanton votën e lirë, por janë partitë politike, që ushtrojnë presionin politik. 

Prof. Dr. Kristaq Kume Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve

Me reformën zgjedhore, kryetarët  komandojnë  në  mënyrë  autokratike  partitë e tyre

-Çfare fituan palët politike dhe çfarë fituan shqiptarët me marrëveshjen për Reformën Zgjedhore?

– Reforma Zgjedhore e filluar më shumë se dy vjet më parë, në nisjen e saj dha përshtypjen se, ndryshe nga reformat zgjedhore të mëparëshme, do të realizonte një produkt, në të cilin nuk do të mbizotëronin  regullime ligjore, që do t`i shërbenin vetëm dhe kryesisht  interesit të partive politike. U deklarua, në atë kohë se, reforma nuk do të ishte bipartizane. Rezultati i saj parashikohej  të  ishte  kontribut i një procesi gjithëpërfshirës. Objektiv kryesor i saj u tha se ishte mirërregllimi i legjsilacionit tonë zgjedhor, për të krijuar kushtet më të mira ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve, që do të  plotësonin, më mirë se çdo zgjedhje më parë, standardet e zgjedhjeve demokratike. Pavarësisht këtyre deklarimeve, pa kaluar shumë kohë filloi të marrë terren përherë e më shumë perceptimi se edhe kjo reformë nuk do të ishte ndryshe nga të tjerat. Ky perceptim u kthye në fakt real, kur vendi u përfshi nga kriza politike, e cila pas largimit të opozitës nga komisioni parlamentar ad hoc për reformën zgjedhore, kulmoi me braktisjen e mandateve nga deputetët e opozites. Kriza tregoi se, në vendin tonë nevojës për të  rregulluar legjislacionin zgjedhor, për të pasqyruar në të rekomandimet e dhëna në disa raporte të njëpasnjëshme të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, nga zgjedhjet e vitit 2013 dhe deri në ato të zhvilluara në vitin 2017, i është shtuar edhe domosdoshmëria  për rregullim e korpusit legjislativ, që kushtëzon funksionimin normal dhe efektiv të demokracisë përfaqësuese.  Ndaj për t`ju përgjigjur  pyetjes tuaj, unë preferoj t`i referohen kësaj nevoje dhe jo se çfarë dhe se si e deklarojnë objektivin e kësaj reforme partitë politike, PS, PD e LSI, por edhe të tjera më të vogla. E parë në këtë prizëm, marrëveshja e bërë në Këshillin Politik, me këmbënguljen dhe nën presionin e faktorit ndërkombëtar  më shumë se sa realizimit të objektivave dhe pritshmërive   të lidhura me reformën në legjislacionin zgjedhor, është një marrëveshje që lehtëson dhe mundëson vendimmarrjen për çeljen e negociatave për anëtarësimin e vendit tonë në BE. Dhe kjo nuk është pak. Referuar objektivit tonë të kahershëm, për t`u anëtarësuar në familjen e madhe europiane, duhet thënë dhe duhet të gjithë ta pranojmë se marrëveshja e arritur është zhvillim pozitiv, që e mirëpresin të gjithë  qytetarët. Por, duke patur parasysh se për çfarë është bërë kjo marrëveshje dhe se çfarë synohet të arrihet me anë të saj, duhet të thuhet se mundësitë që, nëpërmjet zbatimit të saj të arrihet në realizimin e pritshmërive të qytetarëve nga procesi reformues i legjislacionit zgjedhor, janë të vogla dhe të diskutueshëm për t`u arritur. Marrëveshja e riktheu Reformën Zgjedhore në një proces pothuajse bipartizan, në një proces që kryhet si një e drejtë ekskluzive e partive politike, në një proces që ato përpiqen dhe e zhvillojnë atë, në rradhë të parë duke patur parasysh interesin e tyre elektoral dhe të fundit në rradhë, interesin qytetar. Vetëm kështu mund të kuptohet dhe të shpjegohet dakortësia midis tyre, e cila nuk është vënë në asnjë rast në diskutim, për të mos bërë asnjë ndryshim në legjislacionin zgjedhor, ndryshim që do t`i shërbente funksionimit më efektiv dhe më normal të demokracisë përfaqësuese. Diskutimi dhe gjetja e zgjidhjeve më të mira për sistemin zgjedhor, referuar kushteve në të cilat zhvillohet demokracia në vendin tonë, kulturës demokratike që kemi si shoqëri, në përgjithësi dhe tek partitë politike, në veçanti, është artikuluar nga shumica e qytetarëve si nevojë urgjente. Partitë politike janë të pandjeshme ndaj kësaj kërkese. Ndaj, dhe mund të thuhet se përfitimi i qytetarëve nga marrëveshja e arritur nuk është për t`u përshëndetur. Ndërkohë, për partitë, autore të kësaj marrëveshje, marrëveshja është mundësia për të ruajtur dhe forcuar akoma edhe më shumë përfitimet nga devijimet që i bënë votës sistemi aktual. Për drejtuesit e partive marrëveshja është vazhdimi i mundësive të tyre për të zotëruar, e komanduar, në mënyre autokratike, partitë e tyre.

A garanton kjo marrëveshje zgjedhje të lira?

– Në marrëveshje palët kanë rënë dakort që të trajtojnë dhe të gjejnë zgjidhjet legjilslative që do t`i përgjigjen kërkesave të rekomandimeve të dhëna nga misionet e vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, por edhe  realizimit të dakortësive të arritura midis tyre, si është për shembull përdorimi i teknologjisë së informacionit, identifikimi biometrik i zgjedhësve në të gjithë qendrat e votimit dhe votimi elektronik në disa njësi zgjedhore, si projekt pilot. Variantet zgjidhje të propozuara prej mazhorancës dhe opozitës së bashkuar jashtë parlamentare për ndryshimet që duhet të bëhen në Kodin zgjedhor, synojnë hartimin e një legjislacioni zgjdhor, i cili të krijojë kushte sa më të mira për zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje dhe sipas kërkesave të standarteve që kanë zgjedhjet demokratike. Opozita jashtëparlamentit ka synuar që nëpërmjet propozimeve të saj të arrihet në ndërtimin e kushteve ligjore, që do të mundësojnë sa më shumë dekriminalizimin e zgjedhjeve. Kështu, identifikimi biometrik i zgjedhësve do të pamundësojë votimin familjar, votimin me kartet e identitetit të një votuesi tjetër, votimin e shumëfishtë, mbushjen e kutisë. Shtuar kësaj, edhe të drejtën për të hapur dhe rinumëruar fletët e votimit, forcimin e rolit parandalues të policisë për intimidimin e zgjedhësve, përfshirjen e sinjalizuesve në procesin zgjedhor, hetimin e veprave penale zgjedhore nga SPAK-u, ridimensionimin e financimit të fushatave zgjedhore, rolit të medies në zgjedhje dhe parandalimin e keqpërdorimit të aseteve publike, mundësitë që zgjedhjet të afrohen, dukshëm më shumë se më parë, me standartet e gjithëpranuara, rriten ndjeshëm.  Natyrisht e gjithë kjo bëhet e mundur vetëm nëse do të ketë vullnet për të zbatuar ligjin, vullnet që kërkohet nga subjekte politike qe garojnë, administrata zgjedhore, institucionet ligjzbatuese dhe të tjera, që ligji i ngarkon me detyra në zgjedhje dhe qytetarët votues. Megjithë përmirësimet që parashikohet të bëhen në Kodin zgjedhor, përmirësime që, si u thashë edhe më sipër, janë të nevojshme për të rritur mundësitë për realizimin e zgjedhjeve në perputhje me standardet demokratike, duhet të thuhet se pazotësia e partive poltike për te zbatuar rekomandimin  e OSBE/ODIHR-it në lidhje me  depolitizimin e administratës zgjedhore mbarte me vete mundësitë që procesi zgjedhor të “vuajë” nga efektet negative, që prodhon interferimi i partive politike në procesin e administrimit të tij.   Dhe ky efekt jo rrallë ka gjeneruar situata të padëshërueshme, të cilat kanë ndikuar negativisht në vlerësimin e gjithë procesit zgjedhor.

A mendoni se palët politike kanë vullnet politik që më në fund, në zgjedhjet paralamentare votat e shqiptareve të mos tjetërsohen?

 Se si do të do të sillen partitë politike në zgjedhjet e ardhshme me votën e shqiptarëve, se sa dhe se si ato do të respektojnë këtë vote, kjo është e vështirë për t`u parathënë. Duke iu referuar qasjes së derisotme të tyre ndaj kësaj vote, për mendimin tim e sigurt është se, ata do të përpiqen që të përdorin në çdo rast hapësirat dhe mundësitë për të marrë sa më shumë vota, jo vetëm nga ato që ju a japin vetë zgjedhësit dhe nga ato që jua marrin zgjedhësve.  Dhe për këto të dytat jo gjithmonë dhe jo vetëm, duhet të dënojmë partitë. Po kaq përgjegjës për këtë fenomen janë dhe vetë zgjedhësit. Rregullimet e propozuara për ndryshimet në legjislacion, ndryshime që synojnë të zvogëlojnë hapësirat për shfaqen e këtij fenomeni, megjithe vlerën parandaluese që kanë, nuk mund të konsiderohen se e zgjidhin problemin. Rrënjët e këtij fenomeni janë tek kultura e pamjaftueshme demokratike e shoqërisë. Ato janë pasojë e sjelljes dhe vlerësimit  të munguar të qytetarit ndaj vlerës dhe rëndësisë që ka vota, e cila nuk është dhe nuk duhet të trajtohet si mall që mund të shitet, por si gur themeli për ndërtimin e demokracisë.  Prezenca e kësaj situate është një ndër faktorët që ndikon në tjetërsimin e votës së shqiptarëve. Ndërkohë është e rëndësishme të theksohet se tjetërsim akoma më të madh të kësaj vote sjell sistemi zgjedhor propocional rajonal, që zbatohet duke e ndarë vendin në 12 njësi zgjedhore. Kjo ndarje bën që shumë vota të shqiptarëve, të cilët preferojnë të kenë përfaqësues të  tyre në Kuvend kandidatë të propozuar nga parti të vogla, të tjetërsohen dhe të shkojnë në favor të partive të mëdha. Këtë fakt e dinë mirë partitë kryesore politike, ato që edhe nënshkruan  marrëveshjen për Reformën Zgjedhore. Megjithë këtë, ato bëjnë sikur nuk e kuptojnë efektin e madh  negativ të tij për funksionimin e demokracisë përfaqësuese. Ndaj  edhe në zgjedhjet që vijnë, tjetërsimi i votave  të shqiptarëve do të jetë fenomen që do t`i shoqërojë ato.

Agron Duka, kryetar i PAA-së

Dakordësia e Reformës Zgjedhore nuk duhet shkëputur nga korpusi i 15 kushteve të BE-së,  për hapjen e negociatave

-Çfarë fituan palët politike dhe çfarë fituan shqiptarët me marrëveshjen për Reformën Zgjedhore?

– Sipas meje kanë fituar qytetarët shqiptarë, të cilët marrin në këmbim një normalizim të debatit politik. Mbështetja e partnerëve tanë ndërkombëtarë, ku duhet veçuar sigurisht imputi i Bundestag-ut gjerman, lejoi që, nëpërmjet Këshillit Politik, të vendoseshin në axhendë shqetësimet e ngritura nga opozita, të cilat ishin në zemër të krizës politike. Nga momenti që çështjet e shtruara për zgjidhje mbështeten të këto kushte, që janë edhe të opozitës, në opinionin tim do të thotë që mazhoranca u detyrua të pranojë se akuzat e ngritura nga ne, nuk ishin thjesht politike, por probleme reale që pengojnë rendin ligjor dhe demokratik në Shqipëri.

– A garanton kjo marrëveshje zgjedhje të lira?

Dakordësia e arritur të premten nuk duhet shkëputur nga korpusi i 15 kushteve të imponuara nga ndërkombëtarët. Në këtë kuadër, nisja e zbatimit të tyre, që filloi me adresimin i ndryshimeve në kodin zgjedhor, do të krijojë një infrastrukturë politike, nëpërmjet të cilës vendi do t’i kthehet normalitetit. Më lejoni t’ju kujtoj se jo më vonë se dje, nga Bundestagu u bë thirrje për plotësimin e kushteve brenda dhjetorit, që është edhe momenti në të cilin do të zhvillohet tryeza e parë ndërqeveritare, për çeljen e negociatave. Pra, me zbatimin e kushteve të tjera, siç është ngritja e gjykatave të epërme, ndëshkimi i krimit zgjedhor, vlerësimi nga ana e Kushtetueses e votimve të 30 qershorit etj. do të përmirësojnë sigurisht kuadrin me të cilin ne do të shkojmë në zgjedhje, madje do të ketë edhe monitorim të shtuar të partnerëve për këtë moment të rëndësishëm elektoral.

– A mendoni se palët politike kanë vullnet politik, që më në fund, në zgjedhje parlamentare votat e shqiptarëve të mos tjetërsohen?

– Nëse ne do të kënaqeshim me vullnetin e një pale për të mos tjetërsuar zgjedhjet, atëhere do të ishim në rrugën e gabuar. 30 qershori i shkuar tregoi se edhe votimet monopartiake u tjetërsuan. Prandaj, në një demokraci, është shteti ligjor që garanton liritë, pra edhe lirinë për zgjedhje të ndershme. Kam besimin se, me zbatimin e kushteve, do të kemi një shtet ligjor më të konsoliduar, por gjithashtu, ne si opozitë do të bashkëpunojmë me të gjithë faktorët shoqërorë, për të bërë çmos që zgjedhjet e ardhshme të përbëjnë një shkëputje nga e shkuara.

Nard Ndoka, kryetar i PDK-së

Kryeministrit Rama i mungon vullneti për zgjedhje të lira

– Çfarë fituan palët politike dhe çfarë fituan shqiptarët me marrëveshjen për Reformën Zgjedhore?

Opozita fitoi standardet dhe garancitë maksimale për procesin e administrimit të votës dhe për garën zgjedhore në tërësi. Mazhorancës aktuale, iu mbyllën disa shtigje, të cilat i kishte përdorur për blerjen dhe manipulimin e votave. Shqiptarët dhe vendi fitoi qetësinë dhe paqen sociale e politike dhe kërkesën kushtetuese, se vota do të numërohet dhe përfaqësohet drejt.

– A garanton kjo marrëveshje zgjedhje të lira?

– Baza ligjore, është e pranueshme tashmë nga palët, pra ka një shpresë reale. Për të garantuar, procesin, fushatën, interferimet e pushtetit, policisë dhe të administratës publike, duhet patjetër një qeveri tranzitore, që të ketë besimin e të gjithëve. Vullneti politik është e vetmja mundësi dhe garanci për çdo gjë, ky vullnet i munguar mund të shkërmoqë çdo gjë tjetër të arritur.

–  A mendoni se palët politike kanë vullnet politik, që më në fund, në zgjedhje parlamentare votat e shqiptarëve të mos tjetërsohen?

Vullneti politik, dukshëm mungon nga ana e qeverisë dhe Kryeministrit Rama, kjo e demonstruar kudo publikisht, herë pas here. Shpresojmë që të ketë ndërgjegëjsim të mazhorancës, për të ndryshuar qasje dhe për t’i hapur rrugë qeverisë tranzitore dhe integrimit të vendit.

Hysen Osmanaj, ish anëtar i KQZ-së

Sistemi elektoral nuk garanton mbrojtjen e votës

-Çfarë fituan palët politike dhe çfarë fituan shqiptarët me marrëveshjen për Reformën Zgjedhore?

– Në rradhë të parë mendoj se marrëveshja kishte një rëndësi për qetësimin sado pak të klimës politike, duke ulur mazhorancën në tavolinë me opozitën reale të vendit, e dyta marrëveshja e arritur për administratën zgjedhore u jep subjekteve politike konkuruese besim një proces (një parim shumë i rëndësishëm për një proces zgjedhor) pasi në komisione partitë politike i kanë përfaqësuesit e tyre, po kështu dhe elektorati ka më shumë besim në proces, pasi dihet që administrata publike është shumë e politizuar dhe e fundit u plotësua një nga 15 parakushtet e vendosura për integrim para nisjes së negociatave.

 – A garanton kjo marrëveshje zgjedhje te lira?

– Kjo marrëveshje për mendimin tim nuk garanton zgjedhje as të lira, as të ndershme, as të drejta dhe si rezultat, as demomokratike. Kjo marrëveshje është një hap përpara për të siguruar elektoratin se vota e tyre shkon atje ku ata e kanë adresuar. Detyrimin ligjor për realizuar zgjedhje të lira dhe demoktatike e ka qeveria, ajo duhet të ketë vullnet politik për të realizuar zgjedhje të lira dhe të drejta, pasi i ka të gjithë instrumentat (institucionet) për t’a realizuar. Po kështu dhe forcat politike konkuruese duhet të kenë prioritet të realizojnë zgjedhje të lira dhe të drejta dhe e fundit,  institucionet ligjzbatuese e kanë për detyrë të zbatojnë me korrektësi të gjitha shkeljet ligjore, duke luftuar me forcën e ligjit krimin zgjedhor, siç janë shitblerja e votës, indimidimi i zgjedhësve, votimet për të tretët e tjera fenomene në shkelje të ligjit. Këta tre elementë e kanë për detyrë dhe mund të realizojnë zgjedhje të lira, administrata zgjedhore administron procesin.

– A mendoni se palët politike kanë vullnet politik, që më në fund, në zgjedhjet parlamentare votat e shqiptarëve të mos tjetërsohen?

– Uroj ta kenë këtë vullnet politik për të bërë zgjedhje të lira dhe të drejta, por nisur nga praktika e zgjedhjeve të kaluara, sidomos këtyre të fundit parlamentare dhe vendore, është vështirë të besojmë. Vullneti i tyre është tensionimi i situatës politike, fitorja me çdo kusht, duke shkelur ligjin zgjedhor dhe ligjet e tjera në fuqi dhe duke bërë presion mbi administratën zgjedhore. Administrata zgjedhore, sado profesionale e drejtë dhe përgjegjëshme qoftë, nuk mund të realizojë zgjedhje të lira dhe demokratike, po nuk e patën këtë vullnet qeveria dhe forcat politike konkuruese, administrata ka detyrim ligjor të administrojë procesin në zbatim të kodit zgjedhor, duke qenë e paanshme dhe duke i vënë në kushte të barabarta subjektet konkuruese.