Zgjedhjet, 6 milionë dollarë. Kreu i KQZ tregon shpenzimet e 25 qershorit

520
Zgjedhjet e 25 qershorit i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 6 milionë dollarë. Kjo është shuma që ka shpenzuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga dita e dekretimit të datës së zgjedhjeve nga ish-presidenti Nishani deri në certifikimin përfundimtar të rezultatit të zgjedhjeve. “Zgjedhjet e 25 qershorit kanë kushtuar rreth 6 milionë dollarë. Kjo është shuma e domosdoshme për të përgatitur dhe administruar një proces zgjedhor. Është një shumë që korrespondon pak a shumë edhe me organizimin e proceseve të mëparshme zgjedhore, ndaj themi që në një farë mënyrë buxheti i shtetit është i përgatitur për këtë shumë”, tha Klement Zguri, kryetar i KQZ. Pjesa më e madhe e buxhetit, sipas shpenzimeve të bëra nga KQZ, ka shkuar për mallrat dhe shërbime, pra përgatitja teknike e zgjedhjeve, në shumën 448 milionë lekë. “I gjithë ky fond detajohet për gjithçka, çdo shpenzim, çdo procedurë që bëhet dhe realizohet gjatë një procesi zgjedhor, që në momentin që del dekreti i presidentit. Këtu kam parasysh pagat në të gjitha nivelet e komisioneve, KZAZ, Komisionet e Qendrave të Votimit, të grupeve të numërimit dhe më duhet të them që është një numër I konsiderueshëm pjesëmarrësish. Janë rreth 40-45 mijë persona të cilët marrin pjesë në proces. Zë një vend të konsiderueshëm në të gjithë buxhetin që duhet për të përgatitur zgjedhjet materialet që janë të domosdoshme për procesin, kam parasysh këtu fletët e votimit, kutitë, kodet e sigurisë, bojën matrikulluese, ambientet me qira për qendra votimit apo qendrat e numërimit pasi shumica janë ambiente private”, u shpreh Zguri. Po a do shpenzojmë më pak në zgjedhje, nëse në lokalet e 2019-ës do të aplikohet teknologjia, pra numërim dhe votim elektronik? “Dhe në buxhetin aktual, teknologjia zë një vend të veçantë pasi ne jemi të familjarizuar që në vendin e numërimit të votave, fletët bëhen të dukshme përmes teknologjisë. Është një shumë e caktuar që KQZ ka vlerësuar se duhet për të kryer këtë operacion. Por në qoftë se ligjvënësi do të gjykojë dhe do të arsyetojë që teknologjia të përfshihet në një rrafsh më të gjerë, si votimi dhe numërimi elektronik dhe elementët të tjerë, patjetër që korrespondon me një shumë të caktuar. Nuk jam ekspert dhe s’di të them shifra, por di të them që do të jetë një shifër e konsiderueshme që do të duhet të dalë nga buxheti i shtetit”, tha kreu i KQZ.
Sigal