Zbardhen emrat e parë të drejtorëve kryesorë

631
Sigal

Vali Bizhga, drejtoresha e Kabinetit të Edi Ramës

 Vali Bizhga do të jetë drejtoresha e Kabinetit qeveritar të drejtuar nga Edi Rama. Kjo është bërë e ditur nga vetë ky i fundit. “Është kënaqësi dhe nder t’ju prezantoj Drejtoren e Kabinetit tim në Kryeministri, Vali Bizhgën. Me Valin kemi punuar krah për krah për shumë vite në Bashkinë e Tiranës, ku kam pasur privilegjin ta kem zëvendësen time dhe më pas Drejtore të Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë. Por kemi ndarë së bashku edhe përpjekjet dhe emocionet e disa fushatave, ku Vali ka luajtur prapa kuintave rolin kyç të Drejtorit Ekzekutiv të fushatës. Një betejë më e rëndësishme për të, ajo me një kancer të shfaqur befas në formë agresive, e shkëputi lidhjen tonë të punës për aq sa kohë iu desh Valit ta fitonte betejën më të vështirë të jetës së vet. Tashmë, ajo është rikthyer në fushën e kahershme të përpjekjes sonë të përbashkët për të bërë punë të mira për vendin e njerëzit, e do të mbulojë me profesionalizmin, pastërtinë dhe përkushtimin e saj të posaçëm në komunikimin me njerëzit, një detyrë ku pa asnjë dyshim do vendosë një standard të ri”, shprehet Rama.

 Sokol Balla drejtor i Televizionit Shqiptar, Ahmet Prençi, Drejtor i bluve, ndërsa Afrim Qëndro kreu i legalizimeve

 Sokol Balla gjendet i pari në listën paraprake për emrin e drejtorit të Radiotelevizionit Shqiptar. Sipas burimeve brenda selisë rozë, aktualisht nevojitet një reformim i plotë i programeve radiotelevizive dhe për këtë arsye, Balla, është piketuar si gazetari që mund ta kryejë më së miri këtë detyrë. Kjo edhe për shkak të prirjeve të tij individuale në fushën e gazetarisë, por, edhe për eksperiencën e gjatë që ka në mediat televizive. Dhe nëse kjo gjë do të rezultojë e saktë, atëherë Balla do të rikthehet edhe njëherë atje ku e nisi, profesionin e mrekullueshëm të gazetarit duke drejtuar emisionin e parë të tij, që përfshinte sferën e kulturës dhe sportit. Por këtë radhë ai do të thirret si një profesionist për të orientuar reformimin e plotë të TVSH-së shtetërore, në mënyrë që gazetarët e këtij televizioni të mos ndërrohen vazhdimisht, sa herë që ndodh rotacioni politik i forcave politike. Përveç Ballës në listën e gjertanishme ndodhen edhe tre emra të tjerë, të cilët për momentin nuk bëhen të ditur, ndërkohë që flitet se njëri prej tyre ndodhet aktualisht si punonjës në këtë televizion. Ardhja e Ballës në RTVSH, do të mundësojë gjithashtu edhe shumë ndryshime në stafin e këtij televizioni, ku do të preferohen profesionistët, përpara militantëve. Pavarësisht se, edhe Balla vetë, është i lidhur preferencialisht me politikën, përsëri ata që e kanë propozuar thonë se ai do të dijë të ndërtojë një televizion kombëtar dhe profesional. Madje, për këtë arsye përflitet se Televizioni Shqiptar do të përpiqet të mbledhë sa më shumë emisione me shikueshmëri të lartë, duke marrë numrin rekord të shikuesve. Natyrisht, përveç larmisë së emisioneve, shikueshmëria parashikohet të rritet edhe me transmetimin e ndeshjeve ndërkombëtare apo kombëtare të futbollit, si edhe me Festivalet Ndërkombëtare të Muzikës, apo me përzgjedhjen e filmave më të mirë botërorë të kohëve të fundit. Në këtë mënyrë Petrit Beci, pas një periudhe të gjatë krye të TVSH-së do të largohet prej andej për të rifilluar punë në ndonjë stacion privat televiziv, ose në Qendrën Kombëtare të Kinemasë.

 Drejtori i Policisë

Për Drejtori i ri të Policisë Shqiptare, është përmendur emri i Ahmet Prençit. Natyrisht së bashku me të janë hedhur edhe disa alternative të tjera, por duket se shigjeta peshores së diskutimeve anon më shumë nga ai. Nëse kjo ndodh, atëherë Ahmet Prençi rikthehet në krye të bluve për të dytën herë, pasi ai ka qenë njëherë në krye të tyre. Prençi ishte emëruar më parë në këtë detyrë më 30 mars të vitit 2007 dhe është larguar nga detyra në vitin 2009, duke u zëvendësuar nga Hysni Burgaj. Nëse është i vërtetë rikthimi i Prençit, atëherë, do të kemi një rokadë të dyfishtë, ku ai do të zëvendësojë Burgajn, të cilit i liroi vendin rreth katër vjet më parë. Kryekomisari Ahmet Prençi prej më shumë se 2 vitesh ka qëndruar në postin e drejtorit të Policisë së Qarkut të Shkodrës, ndërsa kishte punuar dhe si oficer i policisë gjyqësore në prokurori. Ai është diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë dhe Drejtësisë, si dhe ka marrë master në polici. Gjithashtu, Prençi ka punuar dhe si zv.drejtor i policisë së Gjirokastrës dhe Shef i Policisë Kriminale në Tiranë. Policia nën drejtimin e Ahmet Prençit ka kaluar 2 procese zgjedhore, lokalet e vitit 2007 dhe zgjedhjet e përgjithshme të qershorit të vitit 2009. Megjithatë duhet thënë se përveç Premçit, po flitet edhe për dy të tjerë, pa llogaritur këtu emrin e Shemsi Prençit, i cili gjithashtu është një alternativë e fortë për këtë post.

Kreu i ALUIZNI-t

Ndërsa në krye të ALUIZNI-t, diskutohet emri i ish- drejtorit të Ndërmarrjes së Gjelbërimit Afrim Qëndro, i cili shumë vite më parë është akuzuar për hapjen e digave të Liqenit Artificial. Por aktualisht, Qëndro ka kryer shumë detyra të rëndësishme shtetërore ndërkohë që po përgatitet të marrë në dorë listat e ALUIZNI-t, për të legalizuar ndërtimet në të gjithë Shqipërinë. Vetë Qëndro është i ndërgjegjshëm që përveç tij, ekziston edhe një kandidaturë tjetër, me eksperiencë pune të përafërt me të, por tani për tani emri i tij është më i publikuar. Në këtë mënyrë me këta tre emra, duket se, kompletohet lista e emrave për tre nga institucionet kryesore të vendit tonë.