Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho thotë se janë 150 mijë dosje të bllokuara në pritje të shqyrtimit. “Ky është “suksesi” i madh i hartës së re gjyqësore, që ka cënuar të drejtën e qytetarëve për të marrë drejtësi. Ky stok kaq i madh dosjesh tregon se reforma në drejtësi ka dështuar në qëllimin e saj kryesor: drejtësi brenda një afati të arsyeshëm, cilësore dhe të shpejtë për qytetarët. Rreth 80% e çështjeve gjyqësore janë përtej afatit të procesit të rregullt ligjor, ndërsa për të shqyrtuar një dosje, duhet katërfishi i kohës që kërkohej para implementimit të kësaj reforme. Gjykatat janë ende te çështjet e vitit 2016, ndërkohë që shumë qytetarë ndërrojnë jetë pa e marrë kurrë drejtësinë që presin. Sot gjyqësori shqiptar nuk ofron dot shërbimin e drejtësisë për 90% të qytetarëve të vet. Në vend që të shkurtohej, koha për shqyrtimin e një dosjeje është katërfishuar. Në gjykatat e shkallës së parë për të marrë drejtësi, një qytetari i duhen të paktën 2 vite. Në Apelin e juridiksionit të zakonshëm i duhen 5-7 vite
Në Gjykatën e Lartë duhen 8-9 vite. Pra, janë minimumi rreth 12 vite për një proces që kalon në të tre shkallët e gjyqësorit”, shprehet Xhixho.



















