Deputeti demokrat Xhelal Mziu e konsideroi mazhorancën e sotme parlamentare si ideatoren e tensioneve në sallën e seancave plenare. Sipas tij, opozita po përballet me një strategji të mirëfilltë ku mazhoranca nuk rresht së provokuari vazhdimisht duke i krijuar kështu kushtet vetes për të miratuar ligje pa debat dhe zhurmë, siç ishte ai i dhënies të më shumë se 30 milionë euro Albcontrolit, që ishin para të sekuestruara të Beçhetti. Në një dalje televizive deputeti demokrat tha ndër të tjera se: “Është mazhoranca e interesuar të kalojë në heshtje projektligje që janë në dëm të qytetarëve. Ne si opozitë nuk e duam një gjë të tillë, por jemi të imponuar përballë kësaj situate”. Deputeti qëndrestar demokrat Xhelal Mziu komentoi edhe nën cilësinë e dikurshme të tij si ish-kryebashkiak i Kamzës ndaj vendimit e GJKKO-së për dënimin e kryebashkiakut socialist të Kuçovës. “Ky lajm nuk është më i çuditshëm, pasi ka afro 10 vite që jemi mësuar me kryebashkiakët apo deputetët socialistë, që për shkak të ligjit të dekriminalizimit detyrohen të lënë mandatet, të dënohen apo të heqin dorë nga detyra e tyre. Ndjej keqardhje si person, por në aspektin e frymës së krijuar në këto vite, ku është e pamundur nga mazhoranca që të kalojë në filtër kandidatët e saj para kandidimit, por kjo nuk është një pakujdesi, por një mënyrë e qëllimtë e kësaj mazhorance e cila i përdor këta njerëz për të marrë vota”, -theksoi ndër të tjera ligjvënësi demokrat, Xhelal Mziu.