VLERËSIMI PËR MIT’HAT FRASHËRIN: ATDHETAR APO TRADHTAR?

1090
Sigal

Flasin për “Telegraf”: Muharrem Xhafa: Ky është shteti i turpit. Adriatik Alimadhi: Mit’hati, krijuesi i Ballit Kombëtar dhe ideator i “Shqipërisë së Lirë”. Av. Preng Çuni: Po rehabilitohen tradhtarët dhe kuislingët. Ylli Meçe: “Rilindja në krye të Ballit, kundër gjakut të dëshmorëve dhe Luftës partizane.

Forumi i “Telegraf”: Vlerësimi historik i Mit’hat Frashërit: Atdhetar? Tradhëtar? Flasin: Muharrem Xhafa, Adriatik Alimadhi, Preng Çuni, Ylli Meçe

Muharrem Xhafa: Ky është shteti i turpit! Mit’hat Frashëri patriot? Jo! Kryetradhëtar? Po!

1 –A duhet vlerësuar Mit’hat Frashëri në Historinë e Shqipërisë si një atdhetar që luftoi për të mirën e Shqipërisë?

-Mit’hat Frashëri nuk mund të vlerësohet si atdhetar, sepse ai as ka luftuar për Shqipërinë, as i ka sjellë ndonjë gjë të mirë popullit shqiptar! Qoftë Mit’hat Frashëri, qoftë cilindo tjetër tradhtar i kallëpit të tij, as e bën e as e kthen në patriot dot ndonjë vendim special i një qeverie, përkrahëse ose jo përkrahëse e neofashizmit. Po kështu, nuk e kthen Mit’hat Frashërin në patriot as sjellja e varrimi me ceremoni i eshtrave të tij në Atdhe! Se Mit’hat Frasheri është dhe mbetet një ndër përfaqësuesit më kryesorë të reaksionit dhe një ndër intelektualët liberalë më pseudopatriotë e tradhtarë të kombit shqiptar!

2 -A mundet që Mit’hat Frashëri të sillet në Shqipëri me ceremoninë e një heroi e atdhetari?

-Kjo nuk duhej bërë kurrë! Asnjë tradhtari, po Mit’hat Frashërit, në veçanti, këtij tradhtari me damkë, nuk mund t’i vishet kostumi i heroit e atdhetarit të kombit dhe t’i bëhen nderime e ceremoni, që u përkasin këtyre, veç, nëse kush e bën është vetë tradhtar, neonazist e kolaboracionist! Gjithkush duhet të dijë se Mit’hat Frashëri në vitet 1908-1912 ndoqi vijën e bashkëpunimit me xhonturqit dhe iu kundërvu lëvizjes kryengritëse të popullit shqiptar, i cili luftonte për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Në vitet e LANÇ-it, Mit’hat Frashëri ishte në krye të organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar dhe përgjegjës kryesor për veprimtarinë që ajo zhvilloi për sabotimin e Luftës Çlirimtare, si edhe për bashkëpunimin me pushtuesit nazifashistë italianë e gjermanë. Kjo qeveri “e majtë” borgjeze nuk mund të dërdëllisë më në nderim të LANÇ-it e të dëshmorëve të Atdheut! Sjellja a riatdhesimi i eshtrave dhe varrimi si hero i kryetradhtarit ballist, Mit’hat Frashërit, është një mesazh i qartë e i poshtër i përmbysjes së historisë së lavdishme të Shqipërisë së Luftës së Dytë Botërore dhe i gjakut të derdhur për atdheun i 28 mijë shqiptarëve dëshmorë të saj! Pse ka qenë i biri i Abdyl Frashërit të Madh, firmëtar i aktit të Pavarësisë, ministër i kabinetit të Ismail Qemal Vlorës, drejtues i disa organeve të shtypit të kohës, autor shkrimesh me pseudonimin, Lumo Skëndo (demaskuar fort nga Andon Zako Çajupi), kryetar i Kongresit të Manastirit dhe Kryetar i Ballit Kombëtar tradhtar, kryeballisti Mithat Frashëri nuk shndërrohet dot në patriot e as trajtohet dot si i tillë! Se tradhtari mbetet tradhtar! Shtoj, përveç sa thashë, se Mit’hat Frashëri e braktisi atdheun, në mos gaboj, në fillim të dhjetorit të vitit 1944, atëherë kur Shqipëria sapo ishte çliruar nga pushtuesit nazifashistë, të cilëve ai, Mit’hati, u kishte shërbyer, pa iu dhimbsur Shqipëria e populli shqiptar! Po ritheksoj gjithashtu, se nuk ka forcë morale asnjë vendim qeverie që të bëjë, të shndërrojë, në patriot Mit’hat Frashërin! Po të kishte qenë i tillë, patriot, Mit’hat Frasheri nuk do të ishte nismëtar, në vitin e fundit të LANÇ-it, i një marrëveshjeje dorëzimi me fqinjët grekë, as frymëzues i paktit kapitullues Dalmaco-Këlcyra, sipas të cilit çetat e Ballit Kombëtar viheshin në shërbim të forcave pushtuese italiane! Po të kishte qenë patriot, ai do të kishte ndjekur rrugën e babait të tij, të cilin e nderon gjithë kombi, Abdyl Frashëri, rrugën e popullit, rrugën e Luftës kundër pushtuesve të huaj Italo-gjermanë! Po të kishte qenë patriot, shteti e qeveritë borgjeze nuk do të kishte pritur 28 vjet për të sjellë eshtrat e Mit’hat Frashërit në atdhe! Qeveritë, “miku im”, i dinë të gjitha këto, po ato kanë interesa antikombëtarë dhe mbrojnë interesat e veta antikombëtare! Populli shqiptar do të mësojë se edhe qeveria e “socialistëve” është kolaboracioniste!

3 -A mund të vendoset shtatorja e Mit’hat Frashërit përkrah tre Frashërllinjve të mëdhenj: Naimit, Samiut e Abdylit?

-Aq sa fola në përgjigje të dy pyetjeve të para, është mjaft për të thënë: Jo, kurrë jo! Se tradhtari i bën pis heronjtë! Po ky s’është faji i tradhtarit! Ky është faji i qeverisë “socialiste”, i Edi Ramës! Mit’hat Frashërit nuk mund t’i falet kurrë bashkëpunimi (kolaboracionizmi) me pushtuesit nazifashistë të Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore. Ndaj, pa asnjë mëdyshje, Mit’hat Frashëri është dhe duhet të thirret, tradhtar i atdheut! Ai i tillë do të mbetet edhe, nese propozohet të jetë Kryeministër Nderi i Qeverisë Socialiste!

4 -Pse popujt e tjerë të Evropës nuk kanë rehabilituar asnjë bashkëpunëtor të nazifashizmit, ndërsa në Shqipëri ata po rehabilitohen?

– Në SHBA, në Angli, në Rusi, në Francë, në Itali, në Gjermani, në vendet e Evropës së Veriut etj., veteranët e Luftës nderohen, respektohet dhe trajtohen me ligj të veçantë! Në vendin tonë jo, ndodh ndryshe. Rasti i Mit’hat Frashërit shënon kulmin! Hap edhe një “trase” të re! Për turpin e vet, Partia Socialiste e qeveria e saj kanë kaluar djathtas! Jo shumë vonë do të shpallen “heronj” të kombit e atdhetarë edhe Shevqet Vërlaci, Mustafa Kruja, Kolë Bib Miraka me të tjerë , “të harruar” deri më sot!

 5 Mit’hat Frashëri a duhet vlerësuar sipas postulatit të Historisë, që, kush tradhton atdheun një herë, është tradhtar dhe nuk rehabilitohet, sado merita të këtë pasur para aktit të tradhtisë?

– Kush tradhton atdheun një herë, ai mbetet tradhtar përherë! Moralisht, sado merita të ketë pasur, ai person tradhtar nuk rehabilitohet asnjëherë! Mit’hat Frashëri jo e jo, sepse ky i qëndroi tradhtisë deri në fund të jetës së tij, kur e vranë po të tijtë, më 1949-n, në dhomën e një hoteli shumëkatësh në Amerikë! Zoti Gjoça, tradhtarët e atdheut mbeten tradhtarë! Unë jam i sigurt se me vendim qeverie të majtë a të djathtë (kjo nuk ka rendësi) borgjeze kolaboracioniste, ose me dekret të një presidenti, agjent i të huajve, do të dekorohen edhe kokat e tradhtarëve kriminelë të tjerë të mbetur pa nderuar deri më sot! E gjithë kjo bëhet në garë për të thelluar luftën kundër komunizmit! Por kështu komunizmi hedh rrënjë më thellë! Dhe Enver Hoxha bëhet më i dashur për popullin! Ky është shteti i turpit! Mit’hat Frashëri patriot? Jo! Antikomunist? Po! Kryetradhtar? Po!

Bota e civilizuar kurrë nuk i rehabiliton tradhtarët dhe kuislingët

Kryetari i PKSH “8 Nentori”, Av. Preng Çuni

“Është përgjegjësi e madhe të jesh djali i një burri të mirë” themi ne këtej nga fshati ynë. E ky Mit’hat Frashëri, apo siç quhej ndryshe “lumi që e mori Skëndon” tregoi se ishte biri bastard i familjes së dëgjuar të Frashërllinjëve, duke përfituar se ishte i biri Abdyl Frashërit, patriotit e politikanit të madh të vendit tonë. Jeta e tij kishte kaluar kafeneve sa të Lindjes dhe Perëndimit, ku kishte merrte rroga e subvensione majtas e djathtas dhe derdhte lot krokodili për Shqipërinë, duke shkruar nja dy a tre broshura pa vlerë politike e me një gjuhë të stërholluar. Përveç kësaj, megjithëse ai mbahej si “kokë e shqiptarizmës”, Avni Rustemi e pati demaskuar si bashkëpunëtor i Esad Pashës. Lufta LANÇ e popullit tonë dhe veprimtaria e tij aktive në shërbim të okupatorit i a nxori kallajin këtij “atdhetari”, i cili kaloi detin me anijen e armikut të mundur. Sot në këtë vend të mbushur me “çibane” të korofillakëve pushtues grekë, sigurisht mund të gjenden edhe 2 metra për varrin e një tradhtari, si Mit’hat Frashëri, por kurrsesi duke i organizuar një ceremoni shtetërore, apo të mund të vihet një shtatore përkrah Frashërllinjve të mëdhenj, Abdylit, Naimit dhe Samiut. Nuk e di se kush është i interesuar e për çfarë arsye e hoqën nga vendi, ku ai prehej. Mit’hat Frashëri është kryetradhtar, sepse ai kishte rrotull tij elementët më famëkeq si; Ali bej Këlcyra, Kolë Tromara, Faik Quku, Hasan Dosti, Fuat Dibra dhe u vu në krye të Ballit Kombëtar, që doli nga zyrat e Luogotenences së Jakomonit, si kundërpeshë, me qëllim që t’i kundërvihej Frontit Antifashist të LANÇ, e cila udhëhiqej nga Partia Komuniste. Do të mjaftonte vetëm “akti historik” i 12 Prillit 1939, ku këta myteberë shpallën bashkimin e Shqipërisë me Italinë, duke i afruar kurorën e Skënderbeut mbretit të Savojës, Viktor Emanuelit III. Pra, Mit’hat Frashëri tashmë përfundimisht ka hyrë në “librin e faqes zezë” të historisë sonë kombëtare dhe askush nuk do mund që ta pastrojë, apo ta rehabilitoje këtë figurë tradhtare. Në fakt për tradhtarët nuk duhet të ketë vend prehje as për varr, por klasa politike aktuale ka kaluar në mënyrë të skajshme cakun e vlerave, ndaj organizon veprimtari tilla të turpshme e fyese, duke rivarrosur tradhtarët si heronj e duke vendosur bustet e tyre, siç ka ndodhur edhe me një mbret aventurier të vetëshpallur e hajn si dhe tjerë kriminelë lufte të dënuar me vendim gjykate. Bota e civilizuar kurrë nuk i rehabiliton tradhtarët edhe sot ajo nuk i pranon kuislingët tradhtarë e bashkëpunëtorët të nazifashizmit. Por klasa aktuale politike qeverisëse, edhe pse është vetëquajtur e “majtë”, realisht ajo si pjesë e frontit të përbashkët antikomunist ndjek sot të njëjtën politike, të cilën patën ndjekur udhëheqësit e tyre shpirtërorë, dikur si Mit’hat Frashëri etj. Nuk thonë kot, se kur largohen Heronjtë, në skenë hipin klounët.

Mid’hat Frashri ideoi dhe e krijoi vetë Ballin Kombëtar, kryetar i Komitetit Demokrat “Shqipëria e Lirë”

Adriatik Alimadhi, Kryetari i Ballit Kombëtar, Prononcim i dhënë për gazetën “Telegraf”

Shikoni, unë e ndjek me shumë kujdes politikëbërjen në Shqipëri, ajo ka vepruar dhe vepron me mendësi komuniste. Shikoni vendimin e qeverisë aktuale për kthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit. Unë besoj që ju e dini, se Mid’hat Frashëri ideoi dhe e krijoi vetë Ballin Kombëtar, kryetar i parë, deri në vitin 1949, kryetari historik i Ballit Kombëtar, kryetar i Komitetit Demokrat “Shqipëria e Lirë”. Pra, përse nuk i thuhen këto, por ka një tendencë shkëputjeje, që kjo politikë bërje ta shkëputë Mid’hat Frashëri nga Balli Kombëtar, pra Mid’hat qenka pozitiv dhe fajin e ka pasur përsëri Balli Kombëtar. Kjo është poshtërsia më e madhe për të gënjyer dhe mashtruar mendësinë shqiptare.

Edvin Rama – Në krye të “Ballit Kombëtar” kundër partizanëve

Ylli MEÇE

Që Rama është një ballist, kjo nuk ka nevojë të vërtetohet, por deri dje e mendoja, se do të ish nga ata të qorrollepsurit si Arifi që i shkuan pas Sali “beut” të gënjyer nga parullat e tyre të “Atdhetarizmës”. Por nuk paskësh qenë kështu, Edvin “aga” na paskësh qenë një ballist i formuar në ide, bile aq të forta, saqë iu kundërvu edhe të atit të vet, i cili kish mbajtur qëndrime të prera ndaj armiqve e sidomos elementëve të organizatave tradhtare. Nderimi që dashka t’i bëjë liderit të tij shpirtëror Mit’hat Frashërit nuk është çudi, jo vetëm ta habisë, por edhe ta ngjallë prej vërteti ashtu sikurse vit për vit, vdes e “ngjallet Krishti” çdo fund dhjetori. Të presësh me nderime një kryetradhtar që bashkëpunoi me nazi-fashistët:

-do të thotë as më shumë e as më pak, të futesh dhe vetë në rrugën e tradhtisë kombëtare, :

-do të thotë që të rihapësh luftën kundër partizanëve tanë legjendarë,

– do të thotë që lufta e jonë paska qenë e përbashkët me të dy palët krah për krah partizanë e ballistë kundër pushtuesve dhe në fund ….. i këputim një “Rroftë Shqipëria!”

Që Rama është një “Zero me xhufkë” në histori, unë nuk e ve në dyshim, por si është e mundur, brenda atij rrethit të hierarkisë së tij të parë, fundja dhe të dytë, nuk paska njeri me mend e t’i thotë… “Ore ku po të çon mushka?!” Apo janë bërë sikurse i themi ne nga Labëria “të dytë nga mëndja”, të gjithë dhe nuk e merr vesh i pari të dytin?! Ka mundësi, kjo e dyta të jetë Po mirë këta, po dokumentet e anglo-amerikanëve, prej 1943 e deri në gjysmën e vitit 1945, a i njohin se çfarë thonë, për organizatat tradhtare të “Ballit “ dhe “ Legalitetit”? I njohin këta këto dokumente apo jo?! Mos kështu, or Ramë “aga”, se po e tregon veten krejt të pa ditur! Gjithsesi ja se çfarë shkruhet në njërën nga dokumentet engleze: …” Duhet denoncuar Këshilli i Regjencës (përmenden të gjithë me emra) sikurse edhe “Balli Kombëtar” me zogistët. Të gjithë janë duke bashkëpunuar me gjermanët, të cilët po pajisen me armë prej tyre në sasi të mëdha. Gjermanët i vendosin ata (ballistët) të ruajnë rrugët kryesore, të ruajnë rendin dhe të dalin si patrulla, duke lehtësuar kështu nga këto detyra trupat gjermane. Theksojmë se të gjitha aksionet e fundit luftarake të partizanëve kanë hasur në forca të përziera gjermano- balliste” ( dt 17.Xll.1943 prot-fo file nr.37145 ). Pra kjo nuk ishte rastësi por ish-një platformë politike dhe ideologjike e këtyre organizatave tradhtare e sidomos e Ballit Kombëtar dhe kryetarit të tij anti kombëtar Mit’hat Frashërit, i cili edhe në të famshmin Dekalog prej 10 pikash përmend se “do të luftojmë armikun” por se kush ish ky armik nuk përmendet, sepse ata bashkëpunuan me të, duke filluar që nga “Protokolli Dalmazzo Këlcyra” dhe ja se çfarë firmosin Ballistët:

1 ) Ne sigurojmë, duke marrë çdo përgjegjësi, shkëlqesën Dalmaco, komandant epror i fuqive të armatosura të Shqipërisë se asnjë lëvizje kryengritëse me karakter të përgjithshëm nuk do të ngjajë në Shqipërinë jugore…;

2 ) Ne japim fjalën tonë të nderit se do të përdorim gjithë ndikimin tonë për të ndaluar…sulmet dhe aktet e sabotimit që mund të kryheshin eventualisht nga elementë armiq;


3.) Ne e ndjejmë veten të detyruar të zhvillojmë propagandën e duhur për të ndaluar dezertimet e reja të ushtarakëve, për të inkurajuar rekrutime të reja në ushtri dhe për të siguruar që dezertorët të kthehen sa më shpejt ndër repartet operative”………..

Këtë fragment të shkëputur prej Protokollit të Nderit autorët e vëllimit të parë të historisë së Luftës Nacionalçlirimtare shënojnë se e kanë marrë prej origjinalit që ndodhet në Arkiv Edhe ne “Dekalogun” famëkeq te tyre që në thelb përbën “kodin e luftimit” të Ballit nëse vihet re me kujdes aty nuk gjen asnjë pikë që të cilësohet fashizmi italian si pushtues , gjë që në fakt i bënte ballistët të kompromentuar në veprimtarinë e tyre. Natyrisht deri ne kapitullimin e Italisë ata ndoqën një politikë..” tërhiq e mos këput” duke çjerrë gurmazet për Nacionalizmën, por sapo erdhën gjermanët, nisur dhe nga opinioni i krijuar mbi forcat gjermane, ata u lidhën këmbë e kokë me pushtuesit. Kapja e gjeneralit englez Devis nga Azis Biçaku dhe dorëzimi te gjermanët në shkurt te vitit 44′ është një fakt i bashkëpunimit të tyre pa mohueshëm sikurse edhe veprimtaria e tyre pjesëmarrëse në qeverinë Kuislinge të Rexhep Mitrovicës. Natyrisht edhe në konceptimin e luftës ngrihen dhe parullat përshëndetëse me njeri-tjetrin por edhe urryese ndaj armikut. Le t’i shikojmë ato. Partizanët “Vdekje fashizmit, Liri popullit!” Pra ishte e qartë, se pa luftuar fashizmin nuk do kish liri për popullin. Po ballistët e Lumo Skëndos? Ja dhe ata: “Shqipëria e shqiptarëve- vdekje tradhtarëve!” Kjo parullë aspak nuk përcakton, se kemi armiq dhe jemi të pushtuar, por më shumë i bën jehonë pushtimit që na bashkoi dhe e bëri Shqipërinë etnike të shqiptarëve…dhe vdekje tradhtarëve. Po kush ish kundër ballit ? Italianët jo…gjermanët jo e jo, pra rezultonin partizanët. Ajo që vërteton katërçipërisht bashkëpunimin e tyre me nazifashistët është edhe vetë fakti se ata u shqyen me njeri-tjetrin, kush e kush të hipte më parë në makinat e gjermanit e t’ia mbathte së bashku me liderin e tyre Mit’hat Frashëri, i cili e mbajti frymën në Angli nga ku villte vrer kundër Luftës Nacional-Çlirimtare dhe lirisë së popullit shqiptar. Nëse ishin atdhetarë të vërtetë, përse do të largoheshin? Nëse nuk kishin bërë krime, pse nuk qëndruan në vend si ballistët e gënjyer? Sepse ish e qartë si drita e diellit “Balli Kombëtar” dhe Mit’hat Frashëri që rrinte në mes të Tiranës ishin kolaboracionistë të qeverisë Kuislinge dhe se anëtarë të tij ishin edhe anëtarë të Regjencës tradhtare. Dhe tradhtia e tyre ishte vazhdimësi, sepse vetëm e vetëm duhej të shmangej influenca dhe fitorja e Nacional – Çlirimtares, Balli do të lidhte aleanca edhe me reaksionarët shovinistë në veri të kufijve tanë me bandat e Mihajlloviçit, por dhe në jug me shovinistët grekë të Napolon Zervës, sikurse është ajo që shkruan me dorën e tij Mithat Frashëri që autorizonte një nga krerët e Ballit, Dhimitër Fallon të futej në tratativa me ekstremistët e të djathtës greke te Zervës, marrëveshje kjo që ngeli vetëm në letër, sepse Dhimitri u kap nga forcat partizane bashkë me letrën. Ata që kishin lyer duart me gjakun bijve dhe bijave të popullit dhe zhytur ato deri në bërryl e dinin se nuk do t’i shpëtonin dot drejtësisë së popullit, ndaj dhe morën rrugën e arratisë, ku disa do të përfundonin në kampet e te arratisurve në Itali, Greqi, Belgjikë e gjetkë dhe që në të pastajmen do të na rivinin përsëri si diversantë. Vërtetojnë katërçipërisht faktin e bashkëpunimit me nazifashistët sepse, para tyre ishin ata që i luftonin, por ja që Balli u gjend në një front të përbashkët me okupatorin. Nëse unë shprehem se Ed Rama është një ballist dhe kaluar ballistëve nuk gaboj aspak, sepse ai ashtu sikurse dhe zogisti Sali, përsëri, veçse kësaj here në kushte të tjera historike, filluan të rehabilitojnë të gjithë bashibozukët kriminelë, diversantë të kualifikuar dhe të pa kualifikuar, në emër të luftës që ata i paskëshin bërë komunizmit. Por me këtë rehabilitim, me këto përmendore që u ngrenë, me emra sheshesh e shkollash, ata në radhë të parë kanë hapur zjarr ndaj partizanëve, kanë rivrarë për së dyti dëshmorët tanë dhe si të mos mjaftonte kjo, gjoja anatemojnë shovinizmin grek nga brigjet shqiptare, teksa ata jo vetëm që kërkojnë “Vorio Epirin” në mes të Bularatit, por tanët janë gati të japin dhe detin…në emër të “Atdhedashurisë për Shqipërinë!” “Rroftë e përparoftë kryetradhtari Mit’hat Frashëri dhe Kryeballisti modern, Edi Rama!” Vdekje fashizmit- Liri Popullit!