Vepror Hasani: Ligji nuk i lejon mbylljen e aktivitetit pa shlyerjen e detyrimeve

57
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Bashkia Korçë, më shumë se 800 biznese në vështirësi       

Shumë biznese të qarkut Korçë aktualisht gjenden në vështirësi serioze. Sa është numri i tyre që kanë ulur qepenat është e vështirë të thuhet, pasi edhe ato biznese që kanë ulur qepenat dhe kanë ndalur aktivitetin e tyre, në Tatime dhe Bashki figurojnë aktive, sepse sipas një ligji të nxjerrë nga qeveria në vitit 2018, të gjitha bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Republikën e Shqipërisë, nuk mund të pushojnë aktivitetin e vet pa shlyer më parë detyrimet financiare dhe pagimin e gjobave. Për këtë arsye edhe bizneset që realisht e kanë ndalur punën, rezultojnë funksionale për shkak të këtij ligji, NIPT-i i tyre  figuron aktiv, ndaj mbetet e vështirë të mësohet sa aktivitete kanë pushuar së qenia aktive ose kanë falimentuar dhe sa janë në aktivitet. Por fal përkushtimit të Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë, sondazheve të kryera prej tyre dhe kontakteve që kanë patur me biznesin e vogël dhe te mesëm, kanë mundur të sjellin shifra që flasin për gjendjen reale të biznesit në qarkun e Korçës.

Gjendja e njëjtë në gjithë Shqipërinë

Sipas burimeve pranë Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë, vetëm në bashkinë e Korçës figurojnë me aktivitet të pushuar më shumë se 800 biznese. Ndërsa si qark, ende nuk e kanë një shifër, por pritet që kjo gjë të bëhet e ditur në në vijim, që sigurisht si qark, numri i bizneseve pa aktivitet do të jetë shumë më i madh, ndërsa në shkallë vendi numri i tyre  shkon nëmë shumë se 25.000, çka do të thotë se në çdo qytet dhe bashki  të vendit, gjenden biznese të falimentuara. Për pasojë edhe numri i të papunëve gjatë vitit pandemik ka ardhur në rritje, ndërsa në familje ka sjellë më shumë varfëri dhe stres. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Bashkinë e Pogradecit, ku të ardhurat nga turizmi janë të konsiderueshme, por edhe për  Bashkinë e Devollit të Kolonjës dhe Pustecit, të cilat  janë më të vogla dhe me më pak biznese.

Të penalizuar me gjoba mbi 90% e biznesit

Gjithnjë sipas burimeve të Shoqatës së biznesit të Vogël dhe te Mesëm në Shqipëri, në shkallë vendi mbi 90% e biznesit janë penalizuar me gjoba të vogla apo të mëdha, por që mjaft prej tyre e kanë të pamundur t’i shlyejnë, ashtu siç e kanë të pamundur të pushojnë edhe aktivitetin. Biznese të tilla, sipas burimeve në fjalë, përjetojnë këtë situatë prej kohësh. Dhe përveç kësaj gjendja e tyre vjion të vështirësohet përherë e më tepër, sepse ndërsa kanë ndalur aktivitetin, në të njëjtën kohë u duhet të paguajnë taksat, sepse i tillë është ligji i vitit i cituar më sipër.

Si u arrit në këtë gjendje, po kështu edhe Korça?

Për shoqatën  e biznesit të vogël dhe të mesëm të Shqipërisë, biznesi mbërriti në këtë situatë sepse me fillimin e pandemisë nisi edhe humbja e vendeve të punës, kjo edhe për shkak të kufizimit të orareve, gjithashtu ra fuqia blerëse etj. Në të tilla vështirësi u vu edhe biznesi turistik, kur mund të ishte vepruar krejt ndryshe. Bujtinat, hotelet, restorantet, mund të ishin lënë pa orar, por duke  vendosur masa të tjera shtesë  për ruajtjen e distancës, (qofte edhe më e madhe), ashtu sikurse edhe për numrin e personave që duhej të ishin në të njëjtën kohë në bujtinë apo restrant. Të pranueshme do të ishin edhe masat e tjera të kësaj natyre. Vendosja e orareve për biznese turistike e paksoi numrin e turistëve, pasi qëllimi vizitës së tyre në rajonin e Korçës nuk përmbushej për shkak të orareve. Gjithashtu, edhe nga vetë  Bashkia Korçë, përgjatë pandemisë nuk u morën masa lehtësuese për bizneset, kur në bashki të tjera të vendit  iu parapri situtës që po agravohej, sepse siç dihet, biznesi i vogël dhe i mesëm barrën kryesore të taksave dhe tarifave e ka nga pushteti lokal. Pra, nuk u ndoq shembulli i bashkive, që ose përgjysmuan taksat për biznesin e tyre, ose i ndihmuan me forma të tjera. Ndaj për të gjitha këto arsye që u përmendën më sipër, e sollën biznesin e qarkut Korçë në këtë gjendje,  ku sot bisnesmenët as i mbyllin dot bizneset e tyre, as i mbajnë dot në aktivitet. Atëherë si dilet nga kjo situate që po rëndon gjendjen e biznesit?