‘Vendoret’, Meta: Nëse gjykata s’i jep PD-në Berishës tregon se jemi shtet mafioz! Alibeaj përballë? Nuk më intereson ç’bën ‘Rilindja’

14 maji, dita kur do të mbahen zgjedhjet vendore, do të shënjojë një ndryshim të madh. Kështu shprehet kreu i Partisë së Lirisë, në një intervistë. Ai thekson se më 14 maj pritet një uragan në drejtim të kutive të votimit dhe qytetarët me votën e tyre do të dënojnë këtë qeveri korruptive.

“Përvëlues me skandale të jashtëzakonshëm ka qenë shtatori, tetori nëntori dhe fillimi i këtij viti. Aq përvëlues saqë edhe oxhaqet janë plot me zjarr. Përveç denoncimeve dhe skandaleve ku është zhytur qeveria ne njëkohësisht i kemi kushtuar vëmendje maksimale edhe protestave dhe zgjedhjeve që do të vijnë dhe pas asnjë diskutim do shënojnë një ndryshim të madh”, tha Meta.

NOA

Meta u ndal edhe tek përçarja e PD-së dhe çështja e kontrollit të partisë, teksa ende Gjykata e Apelit ende s’ka marrë një vendim për të vulën e partisë. Meta u shpreh se nëse vendimi do të jetë në favor të grupit të Enkeljed Alibeajt do të tregojë se vendi ynë udhëhiqet nga një shtet mafioz dhe se vendimet i merr kreu i Meduzës, referuar këtu kryeministrit Edi Rama, me të njëjtën gjuhë që përdor edhe Sali Berisha. Sipas tij, një vendim i tillë do t’i kthehet në boomerag Ramës dhe sistemit të drejtësisë.

“Nëse gjykata konfirmon që Shqipëria është një shtet mafioz ku vulën e cakton kreu i meduzës do jetë një boomerang për kreun e meduzës dhe ata që i shërbejnë atij dhe për vetë sistemin gjyqësor”, u shpreh Meta.

Tirana, Durrësi dhe Elbasani do të jenë tre bastionet kryesore të Partisë së Lirisë në këto zgjedhje. Meta tha se synojnë Këshillat Bashkiakë në mënyrë që të rikthejnë llogari dhënien e pushtetit vendore. Ndërkohë, grupit të Alibeajt, Meta duket se i ka mbyllur derën, duke thënë se nuk bashkëpunon me ata që janë të blerë nga Edi Rama. I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Alibeaj del me kandidatë më vete në zgjedhjet vendore, Meta tha se nuk i intereson se ç’bën ‘Rilindja’.

‘Bastionet kryesore të Partisë së Lirisë do të jenë Tirana Durrësi dhe Elbasani. Ne kemi bindjen të plotë për një sukses spektakolar të Partisë së Lirisë në të gjithë vendin. Pa më të voglin ndryshim në Shkodër flamuri i ndryshimit do të qëndroje i ngritur”, vijoi Meta.

Meta komentoi edhe largimin e deputetit Agron Çela nga Partia e Lirisë tek Partia Socialiste duke thënë se është thjesht një proces i pastrimit të opozitës. Ndalur tek ‘Pakoja e Madhe’, Meta tha se është e pamjaftueshme.

Sa i takon faktit që ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është vënë nën akuzë për shpërdorim detyre sa i takon çështjes së Gërdecit, Meta refuzoi të bëjë një koment, duke thënë se kjo është përpjekje për të shmangur vëmendjen nga afera e Inceneratorëve.